Sipas Kullës, z.zaganjori ka shkelur statusin e diplomatit, duke u përfshirë në fushatat elektorale të Berishës, kur ishte president. "Z.Zaganjori gjatë kohës që ka qenë ambasador në RFGJ-së në 1994 përtej statusit të diplomatit ka ardhur për të bërë fushatë për ndryshimet kushtetuese"-tha z.Kulla, duke kujtuar hartimin e Kushtetutës së re, që u rrëzua në referendumin e nëntorit 1994. "Ka qenë diplomat politik, edhe pse ndalohet të bëhet fushatë elektorale"-u shpreh ai. Por sipas tij, Zaganjori ka vijuar shkeljet me statusin e tij.
"Ai ka një vit që i ka mbaruar mandati dhe vazhdon të marrë rrogën, të përdorë makinën e shtetit, edhe pse mandati kushtetues thotë 9 vite dhe ai mund të kishte dhënë dorëheqjen siç bëri kolegu Petrit Plloci pak javë më parë"- tha këshilltari politik i Nanos. Sipas tij, falë postit të tij si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ai ka ndikuar që familjarët e tij të marrin favore të pamerituara. Ai solli rastin e bashkëshortes së tij, më parë mësuese gjimnani në shkolla "Partizani" e që më pas mori licensën për notere. Sipas këshilltarit të Nanos mjaftojnë këto fakte që z.Zaganjori të mos ketë kurajon publike dhe morale që të kandidojë për postin e presidentit.
Sipas Kullës votimi i djeshëm në Kuvend ishte dështim. "Nuk ka kandidim zyrtarisht dhe votimi i djeshëm ishte një nul. Nga profile i lartë politik i z.Nano kanë shkuar në pa profil", tha ai duke u shtuar se do të kishte qenë 1000 herë më mirë zonja Topalli apo z.Bode, sesa Zaganjori.
Kulla tha se vetëkandidimi i z.Nano ishte një shans për vendin. "Ai është zgjedhur si një kandidaturë që do të maksimalizojë shanset e Shqipërisë"-tha këshilltari i ish-kryeministrit.
VOTIMET
Si pedagog është mbrojtës i zjarrtë i opozitës, por kur vjen puna në realitet, atëherë i del kundër asaj. Emisioni Fiks Fare ka denoncuar një vendim skandaloz të gjykatësit Xhezair Zaganjorit, që del kundër mendimit të pedagogut Xhezair Zaganjori.
Fiks Fare ka treguar një nga librat e tij për të drejtën, ku Zaganjori me shumë pasion i referohet një vendimi të Gjykatës Kushtetuese në Gjermani, vend me të cilin ka lidhje të forta akademike e diplomatike. Në vendim thuhet se opozita ka të drejtën e pakufizuar për tu ankuar në Gjykatën Kushtetuese për shkeljet që i bëhen ligjit, pasi në njëfarë mënyre është ajo që duhet të jetë gardiane e shkeljeve të ligjit nga qeveria.
Por vetëm para pak ditësh, vetë Zaganjori ka votuar kundër këtij parimi, kur ka vendosur se opozita nuk ka legjitimitet të ankohet për ligjin për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. Ajo që është edhe më interesante është se në mendimin e pakicës, gjykatësit Sokol Berberi dhe Petri Plloçi citojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese gjermane, të cilin e kishte mbrojtur me shumë pasion Zaganjori kur ishte pedagog.
VENDIMI
Para pak ditësh opozita u alarmua pasi një vendim i Gjykatës Kushtetuese kufizonte mundësitë e tyre për tu ankimuar në këtë gjykatë. Bëhej fjalë për një vendim që rrëzonte të drejtën e opozitës për tu ankimuar për prishjen e piramidës dhe ndërtimin aty të kompleksit të ri parlamentar. Pesë anëtarë të Kushtetuese votuan kundër opozitës. Ata ishin Bashkim Dedja, Vladimir Kristo, Xhezair Zaganjori, Fatmir Hoxha dhe Admir Thanza. "Nuk është e mjaftueshme për Gjykatën fakti që të dyja palët kundërshtare në procesin e konfliktit të kompetencave të pretendojnë interpretim ose zbatim të gabuar të ligjit ose Kushtetutës, por midis palëve duhet të ekzistojë një marrëdhënie juridike në kuptimin kushtetues dhe nga kjo marrëdhënie të kenë ardhur pasoja të tilla që të kenë shkaktuar mosmarrëveshjen midis tyre. Gjithashtu, thjesht fakti se dy bartës të kompetencave kushtetuese kanë mendime të ndryshme mbi kushtetutshmërinë e një akti normativ, nuk është shkak i mjaftueshëm për të konkluduar në ekzistencën e një konflikti të kompetencave. Përndryshe, nga çdo rast i kontrollit abstrakt ose konkret do të lindte një konflikt kompetence, çka nuk është e pajtueshme me funksionin e kontrollit kushtetues për këtë qëllim (Vendimi i Mbledhjes së Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nr.34/2011). Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese vlerëson se kërkuesi nuk legjitimohet në paraqitjen e kërkesës para kësaj Gjykate," thuhej në vendimin e tyre.
(sg/Shqiptarja.com)