DURRËS- Familja Hysenaj ka hapur dyer e mortit në Arapaj të Durrësit. Të afërmit përcollën të premten në banesën e fundit Astrit Hysenajn, i cili u mbyt në kanal në rrethana ende të paqarta ditën e përmbytiejeve në Durrësit. Të afërmit ngushëllojnë nënën e moshuar të Astritit, djalin e vetëm dhe bashkëshorten që ka mbetur e ve dhe pa asnjë të ardhur, pasi I ndjeri ishte I vetmi që punonte për të mbajtur familjen.
Klediana Bërsheni, mbesa e 54-vjeçarit rrëfen për mikrofonin e Report Tv se daja kishte dalë në punë mes të stuhisë, mëngjesin e 6 janarit. Nuk e kishte ndalur rrebeshi edhe pse familja e kishte paralajmëruar për rrezikun që I kanosej. Në orën 10:30, ai duhet të mbaronte punën por nuk ishte kthyer në shtëpi.
Duke parë se qyteti u përmbyt, familja është shqetësuar dhe ka shkuar ta kërkojnë tek Ndërmarrja Komunale, ku 54-vjeçari punonte për pastrimin e qytetit. Nuk e gjetën në punë dhe bënë denoncim në polici. Trupi i pajetë u gjet nga policia pas dy ditësh në këtë kanal që shihni në pamje, pranë Plepave në Durrës. Familjarët, ndryshe nga sa pretendon Bashkia e Durrësit thanë se Astriti ka humbur jetën në krye të detyrës. Për herë të fundit është parë rreth orës 08:30 pikërisht tek Plepat, ku po punonte për pastrimin e plehrave, teksa qyteti ishte mbuluar nga uji.
“Daja është nisur në punë si gjithmonë në 5 e gjysmë, në orarin e punës. Ka parë gjendjen dhe situatës, familja ka tentuar që ta ndalojë. Është nisur deri në momentin që mbaronte punën në 10 e gjysmë s’kemi ndjerë asnjë shqetësim, shqetësimi nisi pasi nuk u paraqit në shtëpi. Pritëm pak orë dhe nisëm kërkimet ne si familje, për shkak të situatës. E pamë që s’po vinte dhe bëmë denoncimin në polici, është 24 orarëshi që duhej të presim. Kemi nisur kërkimet vetë, kemi parë nga kamerat, që deri në orën 08:25 ai ka qenë duke punuar tek mbikalimi i parë i këmbësorëve kur vjen nga aksi Plepa-Durrës. Pastaj nuk është parë më”, tha ajo.
Detaje më të forta rrëfen djali i xhaxhait Osman Hysenaj, i cili thotë se kanë në duar pamje filmike nga kamerat e sigurisë që tregojnë momentet e fundit të 54-vjeçarit. Ai thekson se deri në momentin e fundit të jetës, Hysenaj ka qenë në krye të detyrës dhe në pamjet filmike, të orës 08:30 shihet edhe momeni kur ai po pastron kanalet nga plehrat, ndërsa niveli i ujit kishte shkuar deri në gju.
“Pas asaj s’ka asnjë lloj informacioni, njeri që ta ketë parë. Ka qenë rreth orës 8:30, te filmimet e kamerave po ta shohësh ka qenë uji deri te gjuri dhe ia prapë mblidhet letrat që ishin sipër ujit dhe i hidhte te koshi. Këto dyshojmë ne që kanë qenë momentet e fundit. Deri në momentin e fundit të jetës ka qenë në krye të detyrës. Nëse ndonjëri ka pamje filmike pas kësaj ore, të na i vendosin në dispozicion. Ai ka qenë duke punuar dhe duke mbledh letrat dhe duke i hedhur në kosh”, tha Hysenaj.
Të tronditur nga humbja e njerit të tyre të dashur, familjarët janë të shqetësuar për qëndrimin e kryebashkiakjes, Emirjana Sako, e cila u përpoq të mohonte punën e palodhur punëtorit të pastrimit dhe të heqë çdo përgjegjësi, duke thënë se ngjarja ka ndodhur pas ores 10:30, kur Hysenaj ka përfunduar orarin e punës.
“Dhe vendi ku është gjetur, ka rënë në një kanal të vogël në zonën ku është parë për herë të fundit dhe rrjedha e ujit të nxjerr pikërisht në zonën ku është gjetur. Nuk mund të përbaltet figura e tij”, thotë Bërsheni.
54-vjeçari ka lënë pas gruan dhe djalin 21-vjeçar të papunë, si edhe nënën e tij 85-vjeçare. Ai ishte i vetmi që siguronte të ardhurat për familjen, e cila tashmë ka mbetur pa një përkrahje financiare, por vetëm me pensionin që merr e moshuara. Dy familjarët e 54-vjeçarit u bëjnë apel institucioneve që familjes t’iu sigurojnë një ndihmë ekonomike ose një punë për djalin 21-vjeçar.
“Ka mbetur nëna 85 vjeçe, e shoqja e papunë, dhe një djalë 21 vjeç që herë punon dhe herë nuk punon. I vetmi që siguronte të ardhura ishte, tani kanë mbetur vetëm me pensionin e nënës. Duhet një ndihmë ekonomike, ose ti gjejnë djalit një punë të përhershme. Si do mbahet një familje me një pensionist”, thotë Hysenaj.
“E vetmja nevojë që kemi si familje është që të ketë një ndihmë financiare sa i përket familjes, janë në gjendje të vështirë ekonomike. Përveç dhimbjes që kanë, të paktën ti rrinë afër me një ndihmë ekonomike. Është shumë e dhimbshme humbja e tij, pastaj të kalojmë te pjesa ekonomike që është domosdoshmëria e jetesës bëjmë apel ti qëndrojnë pranë familjes me një ndihmë ekonomike”, vijon Bërsheni.
Në momentin e fundit të jetës, 54-vjeçarit i gjetur vetëm 10 mijë lekë të vjetra.
“Ai deri në 8 e gjysmë ka qenë në krye të detyrës. Në shtëpi nuk ka lënë asnjë lek, policia që i ka gjetur trupin i ka gjetur 10 mijë lekë të vjetra në xhep. Mendoni si mund të jetojë një familje me 10 mijë lekë. Mos te thuhet që është larguar nga vendi i punës, ne nuk fajësojmë as bashkinë as ndërmarrjen, është fatkeqësi e natyrës, por të paktën mos të hidhet baltë”, tregon djali i xhaxhait.
Kjo dëshmi është një thirrje e fortë për prokurorinë e Durrësit, e cila duhet të zbardhë rrethanat e vdekjes së punëtorit të pastrimit, Astrit Hysenajt dhe të vendosë para drejtësisë përgjegjësit. Hetimi tashmë ka nisur për tre vepra penale shpërdorim detyre, shkatërrimi i pronës me përmbytje dhe shkatërrim prone nga pakujdesia.
Komente







Autopsi dhe Akti ekspertimit mjeko ligjor e nxjerr sakte kur ka vdekur oren
PërgjigjuNjerez te pacipe. 0 pergjegjesi si shefi i tyre. Jo ti qajne hallin familjes dhe ti ndihmojne por hedhin dhe balte. Shpresoj qe sako me shok te perfundojne ne burg
PërgjigjuTE PREHET NE PAQE I NDJERI DHE TE DALIN PERPARA DREJTESISE ATO QE THOJNE QE NUK KA QENE NE PUNE, KUJTONI SE DO I HILLNI SHOSHE DIELLIT
Përgjigju