Kadë Ahmatja, lahutarja
e shekullit të tetëmbëdhjetë…

Kadë Ahmatja, lahutarja<br />e shekullit të tetëmbëdhjetë…
Lahuta është ndër instrumentet muzikorë më të hershëm, por edhe më primitivë në Europë, shprehen studiuesit. Trupi i lahutës punohet kryesisht prej drurit të panjës, por mund të punohet edhe nga druri i krekcit, manit, arrës e verrit. Pjesa e lugut të lahutës mbulohet me lëkurë të tërhequr,kryesisht e kecit, por është përdorur edhe plënci i lopës. Harku i lahutës kryesisht punohet nga degët e drurit të thanës dhe me qime të bishtit të kalit. Në vend të telave, te lahuta vendosen deri në dyzet fije të bishtit të kalit të tërhequra, të cilat lidhen te koka e lahutës, kalojnë në një vrimë mes përmes kalit që punohet prej druri dhe vendoset mbi zhark dhe tendosen te bishti i lahutës.

Tingulli prodhohet duke përshkuar me hark bishtin e lahutës, ndërsa akordet ndërrohen duke prekur bishtin me gishtat e dorës tjetër. Lahutari luan në lahutë ulur këmbëkryq ose në karrike, thotë kompozitori i njohur Kolë Susaj.

Me lahutë janë kënduar eposi i kreshnikëve që i përket epikës legjendare, por edhe këngët epike historike, shprehet gjithashtu koreografi Deli Metaliaj, studiues i folklorit dhe valles, si dhe interpretues i saj. Ka patur raste që edhe femrat e kësaj zone kanë qenë interpretuese të këngëve kreshnike. Këtu mund të përmendim Kade Ahmaten nga lagja Brashtë e fshatit Gjonpepaj, motra e lahutarit të njohur, Hajdar Ahmati, e cila i ka rënë dhe i ka kënduar lahutës që në shekullin e XVIII, mbase e para lahutare dhe këngëtare në veri, në djepin e patriarkalizmit shekullor, në Nikaj Mërtur.

Për Kadën tregohet edhe kjo histori, e transmetuar gojë më gojë, si legjendat: Hajdar Ahmati ishte shumë i njohur si lahutar, me trup të madh lis bjeshke (ende sot në malësi, kur dikush e ka këmbën e madhe, përdoret shprehja “e paska këmbën sa të Hajdar Ahmatit”), trim i pashoq në luftë, por edhe me gjaqe. Një natë gjaksit e kishin hetuar se kishte shkuar për festë në fisin e Shalë dhe sapo erret, ia rrethojnë shtëpinë për t’i vënë flakën. Kada i heton dhe menjëherë merr lahutën dhe fillon këngën, duke imituar zërin e vëllait, Hajdarit. Gjaksit sapo dëgjojnë këngën e lahutës, ikin me shpejtësi, nga frika se del Hajdari dhe i vret të gjithë. Të nesërmen e shohin Hajdar Ahmatin duke zbritur Lugut të Ndërmanjës me pushkën në krah e duke kënduar gjatë kthimit nga Shala.

Brenda asaj dite të gjitha fiset e malësisë morën lajmin se Kadë Ahmatja me këngë e lahutë shpëtoj kullat pa u djegë me njerëz e bagëti brenda. Thonë që ky veprim i guximshëm i saj është bërë shkak që të falen gjaqet.

Nikaj Mërturi ka patur lahutë dhe lahutarë pothuaj në çdo shtëpi, Ukshin Brahimi, Mulaj, Mirash Gjoni, i cili njihet edhe si lahutari krijues i këngës “Ajkuna qan Omerin”, Mhill Preka, Sokol Martini, Pal Qerimi, Zef Avdia, Mark Mitri, Dedë Sokoli, apo më të rinjtë si Syk Paplekaj, Zef Markokaj, Zef Beka, Sokol Mulaj dhe Gofile Paplekaj.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë