Si ka ndodhur që një shkrimtar shqiptar të jetë fituesi i të gjitha trofeve prestigjioze botërore, me përjashtim të Nobelit.
Ende pa e përjetuar zhgënjimin për mosmarrjen e çmimit Nobel të Letërsisë në tetorin e këtij viti, papritur Ismail Kadareja u shpërblye me dy çmime të mëdha botërore: Nobeli Amerikan, me një vlerë prej 50 mijë dollarësh dhe çmimi “Pak Kyongni”, më i larti që jep Koreja e Jugut për shkrimtarët botërorë, me një vlerë 100 mijë dollarë.
Bujar Hudhri, i vetmi nga Shqipëria që e shoqëroi shkrimtarin e madh për ceremoninë e marrjes së çmimit “Pak Kyongni” më 26 tetor në Seul të Koresë së Jugut, e vë gishtin mbi një plagë të politikës dhe shoqërisë shqiptare, që është mënyra sesi trajtohet shkrimtari dhe letërsia në vendin tonë.
Në rrëfimin tij ekskluzivisht për Report Tv, Bujar Hudhri, flet për udhëtimin e vetmuar të Kadarenë drejt Koresë së Jugut, dhe vlerësimin e letërsisë së tij në botë, për mungesën e përfaqësive shtetërore apo diplomatike në ceremoninë e çmimeve të mëdha që Kadare ka fituar ndër vite, dhe për atë se çfarë e dëshpëron më shumë shkrimtarin, kur ndodhet mes trofeve botërore dhe heshtjes së vendit të tij.
Ndërsa Nobeli Amerikan dhe “Pak Kyongni”, i bashkohen listës së çmimeve pararendëse Prix Mondial Cino Del Duca, Man Booker Internacional Prize, Princi Asturias Aëards për Artet, Çmimi Jeruzalem- lind pyetja: A mund të jetë rastësi, fama botërore e Ismail Kadaresë...?!
Zoti Hudhri, ju patët një udhëtim me shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadare për një çmim të rëndësishëm që ai mori në Kore. Pavarësisht se lajmet u dhanë në Shqipëri për çmimin “Pak Kyongni”, jemi kurioz të dimë për udhëtimin e shkrimtarit në Korenë e Jugut, mbërritjen atje, si u prit dhe një histori për marrjen e këtij çmimi, pse ky çmim është një nga më të rëndësishmit?
-Çmimi korean “Pak Kyongni”, më i rëndësishmi që Koreja e Jugut jep për letërsinë, e ka marrë emrin nga shkrimtarja Pak Kyongni e, cila quhet nëna e letërsisë koreane. Kjo ka qenë një shkrimtare e shquar, e cila ka shkruar një sagë prej 20 vëllimesh me titullin “Toka”. Ky roman flet për një familje koreane, duke filluar nga shekulli i 19-të deri në fillimin e luftës së Dytë Botërore, siç thuhet në materialet e tyre, në kohën kur ikën imperialistët japonezë. Me këtë titull, e bija e shkrimtares themeloi i një fondacion dhe ky fondacion jep edhe çmimin “Pak Kyongni”, në bashkëpunim me shtetin koreano-jugor dhe jepet për shkrimtarët më të njohur botërorë. Unë jam nga të parët që kam marrë vesh që Kadareja do ta merrte këtë çmim, që në muajin maj kur agjencia e Kadaresë, më shkroi mua nëse Kadareja do ta pranonte këtë çmim. Më shkroi mua që t’ia mbushja mendjen shkrimtarit, sepse kishte edhe një shumë të rëndësishme parash, por edhe ishte i rëndësishëm, si për agjencinë, edhe për Kadarenë, por edhe për vetë çmimin. Kadareja e pranoi, e ktheu përgjigjen me politesë dhe na u tha që kjo të mbahej sekret, sepse ende nuk ishte shpallur, dhe për t’u habitur u shpall në fakt pa dijeninë tonë si kohë në fillim të shtatorit dhe ata e kishin marrë vesh në shqip nga zëri i Amerikës, sepse u dha lajmi më para, sepse atje është shatë orë para në Seul. Ajo për çfarë unë vendosa të shkoja në Seul ka një kuptim. Unë kam qenë i pranishëm kur botuesi francez Claude Durand, e mori në telefon dhe i tha: “Urime! Ke fitur çmimin “Man Booker”. Ky ishte çmimi i parë inagurant, që siç u tha, kur Kadare mundi titanët e letërsisë botërore që ishin nobelistë të shquar. Unë atëherë, të jem i sinqertë nuk është se e vlerësova kur më tha Kadare që të shkoja kur ai të merrte çmimin. Por shpesh herë, ai ma pati thënë si një lloj pengu, një lloj trishtimi: “Po si nuk u gjet një kamera shqiptare, si nuk erdhi njëri?!” Ndërkohë që ju, e dini, që një shtangist merr një çmim që mund ta dorëzojë pas dy muajsh dhe qeveria shkon ta presë në aeroport, kurse kur bëhet fjalë për kulturën dhe kur bëhet fjalë që të konkurrosh ti me kulturën botërore, që vjen nga një vend i vogël si Shqipëria, kjo ishte një gjë e jashtëzakonshme. Kështu që u nismë në Seul. Kadareja u nis direkt nga Parisi . U takuam në hotel “Princ” në Seul, kështu që ishte një gjë shumë e bukur të takoheshe atje mijëra kilometra larg me shkrimtarin shumë të dashur të shqiptarëve. Ajo që më ranë sy, që në fillim ishte nderimi i madh për Kadarenë.
Na tregoni diçka më shumë nga mikpritja që i bënë Kadaresë, dhe a njihej atje, pse ishte një figurë kaq e njohur, saqë arritën ta nominonin krahas emrave të mëdhenj të letërsisë botërore?
-Kadareja ishte shumë i njohur në Seul, dhe në Korenë e Jugut, që nga viti 1993 e deri më sot ishin botuar mbi 20 vepra nga Kadareja. Krejt letërsia e Kadaresë, ajo më e mira është e përkthyer nga frëngjishtja ose nga anglishtja në Seul. Të nesërmen e mbërritjes sonë na pritën në qendrën koerane të shtypit. Krejt mediat koreane ishin shumë të interesuara për ta takuar Kadarenë, për t’i bërë pyetje dhe interesi i madhe i gazetarëve dukej, sepse të gjithë kishin marrë libra të Kadaresë dhe kërkonin nënshkrimin e tij. Mbas kësaj konference për shtyp, ku Kadareja foli kaq bukur ne shkuam në thellësi të Koresë të Jugut në një distrikt, ku ishte qendra e informacionit Toxhi. Dhe kur hymë ne në ambientet e brendshme kishte 30 shkrimtarë të tjerë, aty. Ishte një rezidencë e shkrimtarëve dhe më vonë u bënë shumë vizita në universitete, ku Kadareja lexoi një pjesë nga eseja për Eskilin në shqip. Vepra ishte e përkthyer në koreanisht dhe anglisht. Ishin biseda shumë të këndshme, spontane dhe kjo lirshmëri e Kadaresë bëri që krejt studentët të afroheshin e t’i bënin pyetje nga më të ndryshmet për atë vetë, për Shqipërinë dhe të gjithë kishin blerë librat e Kadaresë dhe të mendosh se atje një libër i Kadaresë ishte 30 euro, ishte një nivel shumë i lartë i jetës .
Duke pasur parasysh se letërsia e Kadaresë ka një bërthamë kombëtare që i përket kombit tonë tipikisht, si ka mundësi të përcillet në një komb që ka jetuar një histori e një kulturë tjetër?
Kadareja thotë se një shkrimtar sa është kombëtar është edhe universal. Ne shkuam në shtëpinë, ku kishte lindur shkrimtarja Pak Kyongni, dhe të prek shumë ajo që këtu nuk para e ndjejmë: nderimi për njerëzit e kulturës, për shkrimtarët, për artistët, për ata që s’janë por që i kanë dhënë shumë këtij vendi.
A mund të na tregoni disa momente të veçanta edhe për vetë jetën e shkrimtarit, një takim ndryshe nga vendet e tjera ku ka pasur ceremonitë e çmimeve?
-Ajo që ishte e bukura, ndërkohë që ne ishim në Kore, Kadare sapo kishte marrë edhe një çmim tjetër Nobeli i Amerikës dhe ishte tamam viti i suksesit ndërkombëtar të Kadaresë, si të thuash për të plotësuar çmimin Nobel, I cili nuk ka të krahasuar me asnjë çmim tjetër për nga rëndësia dhe nga vlera, por çuditërisht Kadare u shpërblye me dy çmime ndërkombëtare. Çmimin Nobeli Amerikan, vetë themeluesit e këtij çmimi kanë thënë se “ne nuk mund të konkurrojmë me Nobelin, ne jemi një alternativë e Nobelit, por neve ndryshe nga Nobeli, nuk shohim gjeografinë, ideologjinë, por shohim vetëm letërsinë”, dhe ky është vlerësimi shumë i madhe për Kadarenë. Nobelin amerikan e kanë marrë pjesa më e madhe e nobelistëve.
Ka ndonjë çmim tjetër të madh të rëndësishëm në botë, përveç Nobelit që nuk e ka marrë Kadareja?
-Kadareja i ka marrë të gjitha çmimet si Man Booker Prize, që është i një niveli shumë të lartë, Princi Asturias, pa llogaritur shumë çmime që Kadare i refuzon. Pra Kadare pothuaj e ka marrë të gjithë hierarkinë e çmimeve, përveç Çmimit Nobel, për të cilin Kadare ka mbi 40 vjet që nominohet rregullisht, që kur ai botoi për herë të parë në Francë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” që si një stuhi letrare e përshkroi të gjithë Europën dhe që atëherë Kadare nominohet çdo vit.
Kadarenë duket se e ka ndjekur ky qëndrim, që vjen nga ai që quhet vendi mëmë, që përfaqësohet në fakt si një “mëmë e mjerë”, duke kujtuar momentin kur në Francë kur ai u nderua si anëtar i Akademisë, mungonte Presidenti i Republikës, e bëhet fjalë për një nderim që për çdo shkrimtar të botës shkonin secili nga presidentët e vendit?
-Nderimi për njerëzit e kulturës në Shqipëri pothuajse mungon. Madje, në Seul erdhi dhe përshëndeti Ambasadori i Francës. Ne s’kemi ambasadë në Seul, por më kujtohet, ç’më ka thënë Kadare kur u bë darka për çmimin Man Booker Prize, ku mungoi ambasadori shqiptar, por nuk mungoi ambasadori francez që kishte organizuar edhe darkën. Mund të ketë keqkuptime, mund të ketë xhelozira, por mund të ketë shumë enigma, mistere, por një gjë nuk ndryshon kurrë që mungon vëmendja ndaj njerëzve të kulturës në këto kohë të vështira, kur kërkon të kesh identitet dhe unë mendoj se nuk ka identitet më të qartë se emri i Kadaresë, ku ti me letërsinë e tij ballafaqohesh kudo në botë.
Si e përjetoi vete shkrimtari këtë situatë?
-Të vetmin peng që ka pasur ai, gjithmonë ma ka thënë që për çmimin Man Booker Prize, që askush nuk është kujtuar. Unë e kisha këtë si shtysë për të shkuar kaq larg në Seul dhe jam i lumtur që kam qenë me një shkrimtar si Kadareja dhe zonjën e tij Elena, ndenjëm disa ditë atje dhe pamë se ç’vlerë të çmuar ka letërsia. Është diçka që ti e ndjen dhe të shohësh se kur vjen nga një vend i vogël si Shqipëria, në një vend të largët në një tjetër kontinent dhe të shohësh sesi ata iu përulën shkrimtarit për letërsinë që ai ka dhuruar.
Çfarë mendon se ata shohin tek Kadareja?
-Mendoj se një shoqëri e zhvilluar, e civilizuar ka nevojë për kulturën e tjetrit. Kjo është shkalla më e lartë e një shoqërie, të cilën e tregon dhe mikpritja që iu bë veprës së Kadaresë. Çmimi i lartë që i dhanë dhe mikpritja që i bën atij, tregon nivelin e lartë të asaj shoqërie. Në Kore kanë arritur një standard të lartë jetese dhe kanë kuptuar se pas kësaj se çdo të thotë të kesh një vëmendje ndaj kulturës. Ata mbështesin autorët e tyre me përkthime e botime, me shtypjen e librave dhe kjo është një gjë që as mund të mendohet në vendin tonë. Apo jo?!
Le të kthehemi tek marrëdhëniet e shkrimtarit Ismail Kadare me kokat e mëdha botërore. Unë di se ai ka shumë miq...
-Në do ta shohësh sesi nderohet Kadareja me të vërtetë, këtë mund ta shohësh vetëm, jashtë. Unë kam pasur gjithmonë rastin ta shoh, në Frankfurt, në Francë, në Itali, në Shkup, në Athinë e kudo. Kadareja ka zënë vend në fondin e kulturës botërore. Kadare është botuar në afër 50 gjuhë të huaja. Për Kadarenë janë bërë me dhjetëra libra. Për krijimtarinë e tij, për atë vet. Ka tema të veçanta për krijimtarinë e tij.
** *
Ndërsa rrëfen më tej marrëdhëniet e para me shkrimtarin dhe vijimin e punës së veprave të tij, botuesi Bujar Hudhri flet edhe për mënyrën sesi e vlerëson Kadarenë, duke u shprehur se ai e vlerëson shkrimtarin, por edhe sesi e respekton distancën e artë që mban duke e vlerësuar si një nga shkrimtarët më të shquar shqiptarë e botërorë.
Duke kujtuar veprat e Kadaresë me botuesin e tij, Bujar Hudhri, flasim sesi ai lë gjurmë të forta gjatë procesit krijues, që të imponojnë leximin e pandërprerë.
Me letërsinë e tij, Ismail Kadare vazhdon të jetë në garën e çmimit më të madh të letërsisë, Nobelit, së bashku me mjeshtrit e penës botërore si Kundera, Amos Oz e të tjerë. Kadare kandidon për çmimin e madh me “Pallatin e ëndrrave”, me atë vepër me të cilën diktatura mori goditjen e parë në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve...