Kadilli, PD: Topi dhe PS
bllokuan ligjin e ‘spiunëve

Kadilli, PD: Topi dhe PS<br />bllokuan ligjin e ‘spiunëve
Deputeti demokrat Fatbardh Kadilli në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" është shprehur se janë socialistët e presidenti Topi ata që kanë bllokuar hartimin e një ligji për "Lustracionin" që do të çonte në hapjen e daosjeve dhe pastrimin e politikës shqiptare dhe administratës nga ish bashkëpuntorët e Sigurimit të Shtetit. Njëherësh, në lidhje me ndryshimet në qeveri ai shprehet se ky nuk është një garim, por nëse ndodh do jetë një proces normal përtëritje, në kuadrin e tërë përtëritjes dhe të një mandate të tretë qeverisës, vota për të cilin bazohet në arritje. Kadilli thotë për partinë e Topit se s'dëmton PD, por vetëm është një adresë e re për të, kur ai do ikë nga Presidenca.


Si e vlerësoni ecurinë e dialogut pozitë-opozitë në funksion të integrimit në BE. Mendoni se pas lëshimeve të PS, duhet të ketë lëshime dhe nga PD për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare?
Së pari nuk mendoj se deri më sot nga ana e PS është bërë ndonjë lëshim. Fakti që, pas më shumë se dy vjetësh qëndrimi bllokues, PS vendosi të bëhet pjese e procesit për shqyrtimin e projektligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, nuk është lëshim. Përkundrazi, edhe fakti se gjykohet i tillë lëshim, tregon se sa larg është PS nga kuptimi I detyrimit politik që ka jo ndaj nesh si kundërshtarë, por ndaj votuesve të vet që janë shqiptarë që edhe ata sikundër votuesit e PD-së presin zhvillimin e institucioneve dhe demokracisë, presin bërjen e vendit një kandidat të merituar për në familjen
evropiane. Dialogu mes palëve është jetik, për demokracinë. Ndërsa kur flisni për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare, padyshim këto janë reforma që kryhen vetëm me konsensus, por kjo nuk do të thotë që njera palë t'i japë të drejtë vetes të bllokojë nëpërmjet kërkesave ekstremale, apo kërkesave që çojnë në zgjidhje që janë provuar nga koha se nuk mund të funksionojnë.

Mendoni se mazhoranca i ka realizuar detyrat e shtëpisë dhe nëse statusi i vendit kandidat për këtë vit dështon, kush mban peshën kryesore të fajit?
Nuk mendoj se këtë vit do të dështojmë si vend në marrjen e statusit kandidat për në BE. Ne jemi më në fund në një proces bashkëpunimi për reformat e kërkuara. Jam i bindur se PS për arsye të qarta pragmatike do të tërheqë zvarrë këtë bashkëpunim, do e pengojë sa të mundet, por është në limitet e një diskredidimi edhe më të madh nga ai që ka pasuar prej bllokimit dhe kjo do ketë koston e vet. Për të evituar sa të mundet koston elektorale
dhe atë në marrëdhëniet ndërkombëtare, PS do tërhiqet zvarrë, por do bashkëpunojë. Kjo është ajo që besoj unë. Në të kundërt shqiptarët do të dëmtohen dhe do dinë të ndëshkojnë fajtorin me votë, siç edhe e bënë më 8 maj, kur diferenca mes maxhorancës dhe opozitës u thellua.

PD është në vitin e tretë të mandatit të dytë qeverisës. Mendoni se qeveria ka nevojë për rifreskim, për të përballuar sfidën elektorale të vitit të ardhshëm, pasi natyrshëm 8 vite në pushtet sjellin konsumim politik?
Pas tetë vitesh në qeverisje, në garën për të kërkuar një mandat të tretë, PD del para shqiptarëve me një listë të gjatë arritjesh, me një realitet shumë të ndryshuar në kahun politik, krahasuar me momentin kur mori drejtimin e vendit. Ky është bilanci I tetë viteve. Shqiptarët dinë të bëjnë këtë bilanc me mëncçri mes arritjeve dhe konsumit. Nuk mendoj se përtëritja është çështje gare. Qeveria ka bërë ndryshime individësh, ka prodhuar impuls të ri politik në vazhdimësi, kështu që nuk flitet dot për një faze përtëritjeje. Flitet për një proces natyral në të cilin kanë ndodhur të gjitha sa duhen për të përtërirë energjitë.

Tashmë kanë filluar ethet presidenciale, mendoni se mund të gjendet një emër konsensusi për kreun e shtetit?
Nuk duhet të na kthehet në kompleksmënyra e zgjedhjes së Presidentit. Kushtetuta na jep një mundësi për kandidatët që të fitojnë mbështetje të cilësuar, pra tre të pestat e Kuvendit, por kjo është vetëm një mundësi, pasi Presidenti mund të zgjidhet edhe me shumicën e thjeshtë. I takon opozitës të ketë një qasje bashkëpunuese nëse gjykon se duhet të zgjerojë mbështetjen për kandidatin për President.

Presidenti Topi ka deklaruar se do të krijojë parti politike pas largimit nga Presidenca. E dëmton PD krijimi i një partie të re, teksa dhe deputeti Oketa u largua nga PD ndërkohë që pretendohet se ka dhe të tjerë?
Nuk e dëmton PD-në një parti si ajo që po formon Topi. Një parti e krijuar në këtë mënyrë, aq më shumë duke qenë President, është që në fillim e dështuar. Partia duhet të ketë një mision, duhet të ketë arsye publike që të justifikojë ekzistencën e saj. Kjo është një parti që po krijohet vetëm që t'u dhënë një foltore nën logon e një partie, z.Topi dhe të tjerëve, të cilët deri tani nuk kanë artikuluar asnjë argument bindës pse po krijohet kjo parti, kujt i intereson veç mbajtjes së tyre në politike. Partia e z.Topi është vetëm një projekt individual, është vetëm një adresë ku të strehohet politikisht z.Topi pasi të lërë presidencën.

Po Kreshnik Spahiu i Aleancës Kuq e Zi sa rrezikon...?
Ky është duke u vërtitur kuturu mes patetikës nacionaliste duke e menduar si bazë elektorale, por nuk shoh të krijojë dot një terren solid për të prodhuar politik në vend të folklorit që po prodhon deri tani.

Ka shërthyer një debat i forte për dosjet e sigurimit të shtetit, agjenturat e huaja në Shqipëri dhe lidhjet me nomenklaturën komuniste të politikës. Ka pasur akuza të ndërsjella nga Topi, Berisha, Biberaj, Rama e Balla, ku janë përmendur raste konkrete. Mendoni se ka sih-spiunë të Sigurimit apo të UDB jugosllave, në Kuvend, partitë politike dhe në qeveri dhe si e mendoni ligjin për hapjen e dosjeve?
Procesi i lustrimit është ndërprerë dhe penguar nga e majta dhe në herën e fundit edhe nga z.Topi. Shoqëria shqiptare nuk do të jetë e shëndetshme sa kohë nuk bën ndarjen me të kaluarën dhe kjo ndarje fillon nga kërkimi i ndjesës nga e majta mbi të cilën rëndon trashëgimia e terrorit komunist dhe diktsturës mbi shqiptarët. Kur them kërkesë ndjese nuk kam parasysh vetëm shqiptimin e kësaj fraze, absolutisht jo. Kjo do të ishte një turp më shumë. Bëhet fjalë për një ndryshim thelbësor në sjellje dhe qëndrimin e PS ndaj vuajtjes që shkaktuan dhe ndaj viktimave që shkaktuan.

Ju thoni se është përgegjësi e së majtës...?
Populli thotë "në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari", ndërsa Rama i detyron disa të viktima të dyfishta, të djeshme dhe të sotme, të ulen menjëherë në rradhë pas Gramoz Ruçit, apo t'ua hartojë programin e kompensimit seleksioni i fëmijëve të ishbllokut, i cili është prova e restaurimit të ish-nomenklaturës komuniste. Dosjet janë vetëm pjesë e vogël e lustrimit, por në asnjë mënyrë nuk mjaftojnë për pajtimin e shoqërisë dhe vënien e paqes mbi shpirtrat e vuajtur.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Sarandë, 2 vite burg biznesmenit Pando Papuçi I Konfiskohet pallati 7 katësh në ndërtim e sipër! Ishte pa leje

Sarandë, 2 vite burg biznesmenit Pando Papuçi I Konfiskohet pallati 7 katësh në ndërtim e sipër! Ishte pa leje