Aty nga mesi i muajit tetor të vitit 1982, vetëm pak ditë pas arrestimit të ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, (ish – ministër i Punëve të Brendshëm në vitet 1954-1979) dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, (arrestuar që me 22 mars 1982), me porosi të Enver Hoxhës dhe me urdhër të ministrit të Brendshëm Hekuran Isait, u krijua Grupi Operativ Special, në krye të të cilit ishte zv/ministri i Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht drejtor i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, ku si ndihmësa të tij, ishin Enver Zeneli dhe Hasan Ulqinaku. Detyra kryesore e këtij grupi, ishte; “Zbulimi dhe hetimi i veprimtarisë së grupit armiqësor”, të kryesuar nga Kadri Hazbiu, ku bënin pjesë edhe Feçor Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Fiqret Shehu (me dy djemtë, Skënderin dhe Bashkimin), etj., si dhe lidhjet që ata kishin pasur me ish-kryeministrin Mehmet Shehu.
Përveç detyrave të tjera, siç ishin; rishikimi, studimi dhe analiza e një numri të madh dosjesh dhe dokumentesh arkivore që i përkisnin një periudhe të gjatë kohe (1945-1982), “Grupi Operativ Special”, thirri disave prej ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes së PPSH-së dhe ish-kuadrove drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, oficerëve të Sigurimit të Shtetit, etj., që të jepnin me shkrim ato që ata dinin apo kishin dyshime, lidhur me “veprimtarinë armiqësore”, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut e bashkëpunëtorëve të tyre, me urdhër të ministrit Hekuran Isai, u krijuan edhe tre grupe ekspertësh me specialistë përkatës nga Ministria e Mbrojtjes Popullore, e Punëve të Brendshme dhe ajo e Shëndetësisë.
Këto tre grupe ekspertësh, pasi do të studionin dhe analizonin “veprimtarinë armiqësore” të tre ish-titullarëve kryesorë të këtyre ministrive, përkatësisht Kadri Hazbiut, Feçor Shehut dhe Llambi Ziçishtit, do të përpilonin një raport të hollësishëm, i cili do t’i dorëzohej Grupit Operativ Special, që kryesohej nga Zylyftar Ramizi. (...) Kurse në grupin e ekspertëve të përzgjedhur nga Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët do jepnin raportin e tyre edhe për anën e fortifikimeve, bënin pjesë; Vasil Kola, Baudin Kazani, Dhimitër Lazri, Veip Proda, Llazi Cici, Tomor Lapardhaja dhe Qëndro Koçi. Të dy këto grupe ekspertësh, në përfundim të punës së tyre hartuan nga një raport-informacion prej qindra faqesh, që iu dorëzua Grupit Operativ Special, i cili pasi e “studioi dhe analizoi” atë, po me ekspertë të tjerë të atashuar pranë atij grupi, dokumentet kryesore ja dorëzoi grupit të hetuesve që u caktuan për procesin hetimor të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut”, (me në krye Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Llambi Ziçishtin, Nesti Nasen, Mihallaq Ziçishtin, Llambi Peçinin, Fiqret Shehun, etj.), gjë e cila do të përbënte dhe bazën për akt-akuzën ndaj tyre.
Në raport-informacionet e grupit të ekspertëve të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe atij të Ministrisë së Punëve të Brendshme, një vend kryesor zinin edhe “sabotimet” e Kadri Hazbiut në fushën e fortifikimeve, si në periudhën kur ai kishte drejtuar Ministrinë e Brendshme në vitet 1954-1979, ashtu dhe atë të Mbrojtjes Popullore, nga fillimi i vitit 1980, deri ditën që u arrestua më 15 tetor 1982. Në atë pjesë të raport-informacioneve, bëhet fjalë edhe për dy nga objektet më kryesore nëntokësore të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Brendshme, siç ishte “Vend-Komanda e Përgjithshme” (objekt i cili prej disa vitesh njihet si muzeu “Bunk-Art 1”), ku në rast lufte do strehohej Shtabi i Përgjithshëm dhe Këshilli i Mbrojtjes me në krye Enver Hoxhën, nga ku pre-supozohej se do drejtohej lufta në rast të një invazioni apo agresioni ushtarak kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Si dhe objekti tjetër nëntokësor që ndodhet poshtë oborrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (Muzeu “Bunk-Art-2”), ku gjithashtu në rast lufte do të strehohej ekipi drejtues i asaj ministrie. Lidhur me këto dhe të tjera nga raport-informacionet e grupeve të ekspertëve përkatës të dy ministrive, për “Bunk-Art 1” dhe “Bunk-Art 2”, të cilët prej vitesh janë bërë objekt vizitash edhe për turistët e huaj që vazhdojnë të kenë një kuriozitet dhe interes të madh për të njohur Shqipërinë komuniste, na njohin këto dokumente arkivore që janë nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (prej vitesh pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse, nga Memorie.al.
Ne DOSJEN HETIMORE Nr. 14 tek AKTET E EKSPERTIMIT lexohet:
- Mbi veprimtarinë armiqësore të Kadri Hazbiut në fushën e fortifikimit të organeve e reparteve të Punëve të Brendshme:
Nga studimi i materialeve të Partisë dhe gjendjes në fortifikimeve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, del se armiku Kadri Hazbiu ka sabotuar në mënyrë të ndryshme edhe në fushën e gatishmërisë luftarake të organeve e reparteve të Punëve të Brendshme e në veçanti në drejtim të pajisjeve të tyre në objekte fortifikuese. Prej tij nuk janë mbajtur parasysh orientimet e Këshillit të Mbrojtjes dhe konkluzionet e nxjerra nga stërvitjet e zhvilluara.
Kapitulli VIII – pika 2, e orientimeve të Këshillit të Mbrojtjes “Mbi masat për përgatitjen shtetërore-civile të vendit për kohë lufte, përcakton që: “për të siguruar drejtim të pa ndërprerë për kohë lufte, organet shtetërore dhe ekonomike, duke filluar nga Këshilli i Ministrave, ministritë dhe institucionet qendrore, Komitetet Ekzekutive të Këshillave Popullore të rretheve deri në bazë të ndërtojnë, kompletojnë dhe të mbajnë në gatishmëri vendet kryesore të drejtimit për kohë lufte, ai dhe ato rezervë dhe t’i kompletojnë me bazë materiale të nevojshme dhe mjete ndërlidhjeje”.
Për realizimin e këtyre detyrave Drejtoria Operative dhe e Përgatitjes me studimin Nr. 202, datë 11.9.1979, “Mbi gjendjen dhe masat që duheshin marrë për vend-drejtimet kryesore në ministri dhe Degët e Punëve të Brendshme, propozojë të merreshin masa për rregullimin e gjendjes”.
Për aparatin qendror të Ministrisë, të ndërlidhjes, vend-drejtimi kryesor i saj në 41 dhoma pune, por prej armikut Kadri Hazbiu u ulën në 23 të tilla. Po të mos ishin marrë masa pas arrestimit të Feçor Shehut për plotësimin e projektit, objekti nuk do të plotësonte gjithë nevojat për drejtimin e kohës së luftës.
- Degët e Punëve të Brendshme Shkodër, Durrës, Elbasan, Vlorë, Korçë, Berat, Fier, Gjirokastër, Sarandë dhe Drejtoria e Punëve të Brendshme e Tiranës, ka qenë e nevojshme që vend-drejtimet kryesore t’i kishin se 13 dhoma pune, ambiente për filtro-ventilim, nyjen e përpunimit sanitar, vend-strehim për grupin elektrik, ndërlidhje. Kadri Hazbiu nuk e pranoi këtë projekt dhe dha orientime që këto degë, të kenë 2-10 dhoma pune, të shfrytëzojnë strehimet ekzistuese por këto s’janë të përshtatshme për drejtim.
Degët e Punëve të Brendshme të kategorisë së dytë, duhet që përveç ambienteve ndihmëse që do të kishin si degët e mësipërme për vend drejtimin kryesor të kishin edhe 10 dhoma pune. Edhe për këto armiku Kadri Hazbiu caktoi detyrë që në Librazhd, Pogradec, Lushnje, Lezhë, Rrëshen, Përmet dhe Krujë për vend- drejtim kryesor të shfrytëzohen strehimet ekzistuese pa asnjë shtesë për dhoma pune e ambientet e tjera ndihmëse përjashto një ambient për filtro-ventilimin e tyre.
Drejtim tjetër i veprimtarisë armiqësore të Kadri Hazbiut në drejtim të fortifikimit, është shkelja e kritereve të ndërtimit të vend-drejtimeve. Kështu, pa u ndërtuar vend-drejtimi kryesor i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërtohet vend-drejtimi rezervë Nr. 21, për shkallën e dytë të luftës popullore.
Edhe pse kanë përfunduar punimet në këtë vend-drejtim, për shkak se është caktuar në një formacion gëlqeror me përmbajtje ujërash, ai është i papërshtatshëm për punë e drejtim, ka lagështi. Dhe temperature e brendshme është 9 gradë celsius. Ndërtimi i këtij vend-drejtimi, filloi në vitin 1966 dhe përfundoi në vitin 1972.
Janë ndërtuar vend-drejtime rezervë Nr. 2 për Degët e Brendshme në Sarandë, Gjirokastër, Fier, dhe Ersekë. Pa bërë në radhë të parë për këto vend-drejtime kryesore rezervë Nr. 1. Me këto ndërtime armiku Kadri Hazbiu ka vënë në zbatim në sektorin e fortifikimit, teorinë e rrëshqitjes dhe tërheqjes, në zonat strategjike të vendit. Organet e mësipërme, ende nuk janë të pajisura me vend-drejtim kryesor ose rezervë Nr. 1.
Pa marrë masa për ndërtimin e vend-drejtimeve kryesore ose rezervë Nr. 1 në Degët e Punëve të Brendshme, në Skrapar, Përmet, Tepelenë, Gramsh, Gjirokastër, janë bërë ndërtime për vend-strehime për kompanitë rezerviste dhe për efektivin e Degës, duke pretenduar se gjoja, duhet t’i kemi si strehim e më pas t’i kthejmë në vend-strehime.
Kjo ka sjellë dëmtimin e rëndë të aftësisë mbrojtëse dhe veprimtarisë minuese ndaj organeve tona, në kohë lufte. Shpërndarja e fondeve në shumë objekteve (mesatarisht 40-50 në viti) pa bërë përqendrimin e tyre në ato më të domosdoshmet, siç kanë qenë vend-drejtimet kryesore ose rezerve Nr.1, ka sjelle si pasojë që të mos realizonin në kohë ndërtimet.
Kështu, në dhjetëvjeçarin 1970-1980, janë ndërtuar dhjetëra vend-strehime për efektivin dhe 31 vend-strehime për makinat zjarrfikëse, ose ato në organikë. Si rezultat, ka mjaft objekte që janë lënë pa u përfunduar sepse, në vitet para-ardhëse fondet janë shkurtuar.
Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Arkivi i Shtetit pa tunelizim, si për fondin që është brenda qytetit, ashtu edhe në vendet e caktuara për evakuim, ka krijuar vështirësi që ai të dëmtohet në kohë lufte dhe të hyjë më kollaj në dorën e armikut.
Ndërtimi i disa vend-drejtimeve jo me ambiente të mjaftueshme me punë, me aftësi mbrojtëse të vogël, lënia e disa organeve e reparteve pa vend-drejtime kryesore, është mbuluar nga armiku Kadri Hazbiu nën pretekstin e kursimeve, gjoja “mos ta rëndojmë shtetin”.
Nga analiza në tërësi e veprimtarisë armiqësore në fushën e fortifikimit në Organet e Punëve të Brendshme, arrijmë në konkluzion se armiqtë Kadri Hazbiu e Feçor Shehu kanë sabotuar vijën e Partisë dhe kërkesat e Artit Ushtarak Popullor në fortifikimin dhe i kanë krijuar pasoja të dëmshme mbrojtjes së vendit në rast lufte’’.
Ne DOSJA HETIMORE Nr. 14 me titul ‘’Veprimtaria armiqësore në fushën e fortifikimit të vendit’’ lexohet:
‘’Në fushën e fortifikimit armiqtë Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu i kanë sjellë dëme të mëdha mbrojtjes dhe ekonomisë, pasi kanë kryer veprime në kundërshtim me vendimet e Këshillit të Mbrojtjes, ligjeve etj.
Kështu janë kryer veprime sabotimi në veprën e madhe të fortifikimit, objektet e fortifikimit, etj. Në urdhrin Nr.19, datë 25.3.1981, “Mbi disa rregulla të kryerjes së punimeve fortifikuese”, pika Nr.1, thuhet: “Ndalohet kategorikisht fortifikimi i rajoneve të mbrojtjes nga poshtë-lart. Fortifikimi i rajoneve do të kryhet vetëm nga lart-poshtë, duke kapur në radhë të parë vendet kyçe e dominuese të rajonit të mbrojtjes.
Asnjë qendër zjarri të mos vendoset në fushë pa mbaruar fortifikimi i plotë nga lart-poshtë. Ndalohet rreptësisht çdo ndërtim objekti që bie në kundërshtim me këtë miratim. Çdo shkelje e kërkesave të këtij urdhri, si dhe të kritereve të dhëna për fortifikimin e mbrojtjes, të dënohet rëndë deri në ndjekje penale”.
Ky urdhër është dhënë me qëllim armiqësor, mbasi bie në kundërshtim me kërkesat e Artit Ushtarak mbi Luftën Popullore, i cili kërkon që fortifikimi të fillojë nga vija e parë në thellësi dhe nga e thjeshta, tek e komplikuara. Në këtë urdhër me qëllim armiqësor, kërkohet të lihet fusha pa fortifikim dhe të fortifikohet mali, veprim që cënon mbrojtjen e atdheut.
Nga disa informime që i janë bërë armikut Kadri Hazbiu nga Ministria e Punëve të Brendshme, për marrjen e masave për gjendjen e punimeve në objektet e udhëheqjes së Partisë, siç është informacioni Nr.13, datë 5.2.1982, në të cilin paraqitet gjendja dhe bëheshin kërkesa për të rregulluar gjendjen, armiku Kadri Hazbiu nuk mori asnjë masë.
Në këtë informacion armiku Kadri Hazbiu ka bërë një shënim; “Çështja kërkon studim, për zgjidhje nga Veliu, Mendui, Alfredi dhe unë”, në fakt nuk u mor asnjë masë dhe nuk u bë asnjë studim, duke penguar me qëllim mbarëvajtjen e punës në këto objekte shumë të rëndësishme.
Armiku Kadri Hazbiu nuk mori masa për zbatimin e urdhrit Nr.2282, datë 6.9.1980 ku në këtë urdhër thuhej që deri në 30.10.1980 të grumbulloheshin elementët parafabrikat në të gjithë vendin.
Në fakt grumbullimi i elementëve të mbetur nuk u bë me qëllim, nuk u kërkua zbatimi i urdhrit për të dëmtuar jo vetëm mbrojtjen e vendit, por edhe ekonominë në tërësi, mbasi kjo sasi e elementëve të mbetur u prodhuan përsëri duke ri harxhuar vlera të rëndësishme monetare e materiale.
Në fortifikimin e vendit nga armiqtë Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, u ishte dhënë përparësi ndërtimit të qendrave të zjarrit, duke nënvleftësuar ndërtimin e punimeve fushore, dhe objektet e drejtimit si vend-komanda e pika drejtimi.
Kjo është bërë me qëllim armiqësor për të krijuar konceptin e dëmshëm se mund të luftohet vetëm në beton, për të dobësuar aftësinë mbrojtëse, për të lënë repartet e ushtrisë pa drejtim në rast lufte, duke shkelur vijën ushtarake të Partisë.
Kadri Hazbiu sabotoi zbatimin e vendimit të Këshillit të Mbrojtjes, siç është Vendimi Nr.4, datë 15.5.1975 për përfundimin e disa objekteve të rëndësishme si baza ushtarake në Himrë, Shëngjin, Uzinën e Poliçanit etj.
Me qëllim armiqësor u zvarritën këto objekte për të lënë pa strehuar anijet tona, duke cënuar rëndë mbrojtjen e bregdetit tonë dhe vënien në shfrytëzim të Uzinës së Poliçanit.
Në informacionin tepër sekret datë 5.1.1982 dërguar shokut Enver Hoxha nga armiku Kadri Hazbiu, ka mashtrime me qëllime armiqësore për tre probleme:
a) Është thënë se “Në objektin e Poliçanit punimet e fazës së parë përfundojnë në tremujorin e parë të vitit 1982, ndërsa punimet e ndërtimit në të gjithë objektin përfundojnë në fund të vitit 1982”. Kjo nuk është e vërtetë mbasi akoma dhe sot punimet nuk kanë përfunduar dhe kanë shumë volume punimesh për t’u kryer edhe në të ardhmen.
b) “Në bazën e Palermos ku punimet në objektin kryesor përfundojnë deri në fund të vitit 1982, ndërsa brigada e nëndetëseve të dislokohet në këtë bazë gjatë vitit 1983”. Kjo nuk është e vërtetë, se punimet në këtë bazë nuk përfunduan në fund të vitit 1982 dhe se në këtë objekt do të punohen edhe gjatë vitit 1983 e, në të ardhmen.
c) Më poshtë në informacionin thuhet; “Objektet e Radio-Televizionit dhe vend-komandën e Këshillit të Mbrojtjes do të vihen në gatishmëri”. Këto objekte nuk u vunë në gatishmëri gjatë vitit 1982.
Këto mashtrime nga armiku Kadri Hazbiu janë bërë me qëllim që të dezinformohej udhëheqja e Partisë dhe të cënohej gatishmëria luftarake e këtyre objekteve shumë të rëndësishme për mbrojtjen. Armiku Kadri Hazbiu nuk mori masa për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.2191, datë 28.6.1977 dhe Nr.114, datë 30.5.1978, për ndërtimin e objekteve të Radio-Televizionit në afatet e caktuara, të cilat duhej të përfundonin në vitin 1981.
Armiqtë Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, duke ditur rëndësinë e këtyre objekteve zvarriten me qëllime armiqësore përfundimin e tyre, duke dëmtuar rëndë aftësinë mbrojtëse të vendit.
Disa vend-komanda e pika drejtimi operativ të njësive dhe reparteve si dhe shumë depo municioni tip tunel, nuk kanë pasur personel për mirëmbajtjen e tyre, e si rezultat ato janë dëmtuar së bashku me municionet, komandat e njësive i kanë ngritur këto probleme.
Por armiqtë Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu nuk pranonin të caktonin punëtorë për mirëmbajtjen e këtyre objekteve, me qëllim që të dëmtoheshin municionet, të dëmtoheshin objektet e ndërtimit, që ushtria në rast lufte të ishte pa municione dhe pa drejtim.
Armiqtë në kundërshtim me urdhëresën Nr.8, nuk lejuan futjen e kontroll-revizionit në punimet mbrojtëse, me qëllim që të dëmtohej ekonomia e vendit dhe fortifikimi të mbetej jashtë kontrollit’’. / Memorie.al
Komente











