Europa nuk është më prioritet strategjik për SHBA ndaj dhe duhet të ndryshojë qasjen e saj të sigurisë. Kështu deklaron shefja e diplomacisë së BE-së Kaja Kallas e cila paralajmëron se marrëdhënia Transatlantike është tronditur në themele.
Në një konferencë për mbrotjen, ajo deklaroi se Europa duhet të marrë menjëherë përgjegjësi të mëdha për mbrojtjen e saj dhe të ndalë varësinë nga Shtetet e Bashkuara.
Kallas theksoi se edhe pse SHBA do të mbetet partnere dhe aleate e Europës, asnjë fuqi e madhe nuk ka mbijetuar ndonjëherë duke “deleguar mbijetesën e vet”.
Deklaratat e shefes së diplomacisë së BE vijnë në një kohë kur klima e tensioneve me SHBA-në u përshkallëzuan pasi presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi me marrjen nën kontroll të Groenlandës, territor gjysmë-autonom i Danimarkës, duke shkaktuar reagime të forta në Europë.
Komentet e Kaja Kallas erdhën si përgjigje e deklaratave të shefit të NATO-s Mark Rutte, i cili tha pak ditë më parë se Europa nuk mund të mbrohet pa SHBA-në.
Shefja e diplomacisë së BE-së tha se largimi gradual i SHBA-së nga Europa është strukturor dhe jo i përkohshëm, duke shtuar se vendet europiane duhet të veprojnë më shumë si një bllok i bashkuar, veçanërisht 23 shtetet që janë njëkohësisht anëtare të BE-së dhe NATO-s.
Komente









