Kajsiu: Zhgënjimi i Shqipërisë, tradhëtia e Maqedonisë dhe një 'laisez faire' për Rusinë

Kajsiu: Zhgënjimi i Shqipërisë, tradhëtia e Maqedonisë dhe një 'laisez faire' për Rusinë

Në skenën e madhe të Samitit europian, ku të gjithë projektorët janë drejtuar nga seria finale e telenovelës së Brexit, drama e vogël ballkanike për fat të keq rezultoi të ishte pak më shumë se ajo reklama që ndërpret filmin në momentin e tij kulmor.

Mes përgëzimeve për rezultatet e arritura, pa dyshim lobimi asnjëherë aq i fuqishëm gjerman për negociatat tona ishte lajmi më i mirë i ditës. E megjithatë, pikëpamja e Francës, për reformimin e brendshëm të BE-së përpara hapjes së negociatave na detyron përsëri të presim.

Pak në Ballkan e kuptojnë përse procesi i reformimit të BE-së nuk mund të ecë paralel me atë të negociatave, që gjithsesi do të marrin edhe shumë vite deri në momentin e finalizimit të tyre.

Nga rajoni, Kryeministri i Kroacisë, Plenkoviç nuk fshehu zhgënjimin e tij për “ndryshimin e rregullave të lojës pasi loja ka nisur”. Ndërsa Kryeministri i Bullgarisë, Borisov, shkoi më tej, duke e konsideruar një gabim historik të Europës, që lë Ballkanin nën mëshirën e Rusisë.

Nuk është hera e parë, që fatet e këtij rajoni, kaq vital e shpëthyes anashkalohen për arsye të brendshme. Nga Traktati i Shën Stefanit, Kongresi i Berlinit, Traktati i Versajës, Protokolli i Fshehtë i Londrës, Sevri, e ca të tjerë, shpesh Europa është tërhequr nga Ballkani, për t’u rikthyer fuqishëm sa herë vakuumi i krijuar i ka dhënë jetë një vorbulle që rrezikonte të përfshinte edhe ata vetë.

Por duke lënë mënjanë analogjitë historike, ajo që për ne është një shtyrje që ndryshon pakgjë, për Maqedoninë është një kafshatë që zor se mund të kapërdihet.

Me ose pa negociata, e vërteta është se Shqipëria ka ende shumë rrugë për të ndjekur deri në anëtarësimin e plotë. Ndaj, në hapen këtë vit, pas ca muajsh apo pas një viti, për ne nuk ka ndonjë ndryshim të madh.

Pa dyshim, zhgënjimi mbetet. Mbetet sepse kështu siç qëndrojnë punët, është e vështirë të kapësh më fillin e logjikës europiane. 27 vende, plus Anglinë në dalje, që bien dakord çdo vit që Komisioni Europian është organi kompetent për të vlerësuar përmes mijëra kriteresh çdo arritje të vendit tonë.

Pastaj, kur Komisioni Europian del në qershor dhe thotë me plotë gojën që Shqipëria ka bërë gjithçka mirë, raporti fillon e transformohet sipas optikës të secilit vend. E nga Shqipëria e meriton, del që Shqipëria duhet të presë sepse problem është tek ata. A do te jete valle e mundur te behen per ne 27 mendje bashke?

Pavarësisht, në thelb asgjë nuk ndryshon. Europa dhe Shqipëria kanë rënë dakord për martesë, por një datë për të, nuk ka. Nuk kishte më parë, nuk ka as tani.

Ndërsa për Maqedoninë, situata është shumë ndryshe. Edhe pse deri më tani asnjë vend tjetër nuk ka avancuar sa ne me vetingun dhe reformën në drejtësi, sakrifica e Maqedonisë ishte shumë më e madhe, e përfundimi shumë më i dhimbshëm.

Pas Malit të Zi, Maqedonia u shndërrua në fushëbetejën kryesore të influencës ruse në Ballkan deri në vitin 2017, kur një rokadë e dhunshme që mbajti peng vendin për më shumë se një vit u realizua me ardhjen e Zaevit pro-perëndimor dhe largimin e Gruevskit pro-rus.

Premtimi që iu dha Zaevit ishte i qartë. Me gjetjen e një marrëveshje për të zgjidhur problemin e emrit me Greqinë, rruga e vendit do të ishte e shtruar si në NATO ashtu edhe në BE.

Ndryshe nga ne, integrimi në BE për Maqedoninë nuk është vetëm një ambicie për standarte më të mira, por një domosdoshmëri e skakierës gjeopolitike për t’u shkëputur nga zgripi rus, diçka aspak e lehtë nëse besohet raporti i Shërbimeve Inteligjente Maqedonase, që thonë se prej së paku 10 vitesh, Rusia ka përdorur të gjithë mënyrat për të mbjellë kaos dhe pakënaqësi në vend.
https://www.theguardian.com/world/2017/jun/04/russia-actively-stoking-discord-in-macedonia-since-2008-intel-files-say-leak-kremlin-balkan-nato-west-influence

Prandaj, lënia në dhomën e pritjes, për Maqedoninë përbën një shuplakë të vërtetë fytyrës. Jo më kot, Zaev foli për “shpresë të tradhëtuar”. Nga ana e tij, Presidenti Maqedonas pyeti se “çfarë duhet t’i themi tani qytetarëve, që votuan zemërthyer për ndërrimin e emrit vetëm me shpresën e integrimit?”.

Mbase më mirë nga të gjithë e parashtroi Borisovi. “Franca nuk e di, se sa e vështirë ka qenë për Bullgarinë dhe vendet e rajonit të distancohen nga influenca ruse dhe influenca të tjera të dëmshme. Ky është një gabim skandaloz, që i hap rrugën pikërisht ndikimeve që na është dashur të luftojmë fuqimisht”.

Pa dyshim, vetoja franceze diktohet nga arsye të brendshme. Vala e jelekëverdhëve i ka tronditur pozitat e një Macroni që fitoi ngushtë përballë ultra-radikales Le Pen në zgjedhjet presidenciale të 2017. Sot për sot, 4 në 10 francezë mbështesin platformën e ekstremit të djathtë e gati po aq daljen e Francës nga Bashkimi Europian.

Në një situatë të tillë politike, Macron e di që nuk e ka të lehtë të mbrojë vendimin për zgjerimin e mëtejshëm kur ka përballë një influencë kaq të fuqishme të Frontit Nacional.

Por pavarësisht të gjithave, lënia në dhomën e pritjes për dy vendet tona nuk i shërben askujt. Lodhja nga stërzgjatja e bisedimeve e bën Ballkanin shumë më vulnerabël.

Shqipëria del nga Samiti e paqartë se çfarë duhet të bëjë kur i thuhet bravo për gjithçka, por prit dhe pak. Maqedonia del nga Samiti gati gati e poshtëruar, sepse pranoi të ndërronte emrin për hir të Europës. Tani, VMRO e Gruevskit ka gojë të flasë. “E shihni, që Europa nuk është zgjidhja”.

Ndërsa Rusia, ndonëse e paftuar në Samit, pa dyshim që ka një arsye për të buzëqeshur. Vetoja franceze, pa e kuptuar, është një “laisez faire”, një nga ato rastet që Putini zor se i lë t’i shpëtojë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë