Për kalanë e Kaninës na informon udhëpërshkruesi osman Evlija Çelebi në shek.XVII duke përshkruar nga portat e kalasë, fortesën e brendshme, xhaminë e mbuluar me tjegulla që e cilëson me një minare të bukur dhe pallatin e Gazi Sinan Pashës afër saj…[3] (fig.1)
Në fillim të shek.XIX, si Leake [4] më 9 dhjetor 1804 ashtu edhe Pouqueville [5] më 1807 e përshkruajnë kalimthi kalanë e Kaninës dhe fshatin me të njëjtin emër. Më 1812 kalaja ra në duart e Ali pashës. [6] Kalaja e Kaninës e lënë pas dore si fortifikim që nga viti 1832 iu nënshtrua shkatërrimeve të herëpashershme. [7] Në gjendje të mjerueshme e gjetën ushtarët turq në gusht të vitit 1848 kur erdhën për të shtruar kryengritjen kundër Tanzimatit.
Këtë na e vërteton edhe kënga popullore: “Atje, në limën në Vlorë, tre karadhe e dy pampor, prunë nizam edhe tabor, zunë kalan që ish bërë horr!”[8] Më 21 tetor 1848 në kalanë e Kaninës ngjitet edhe artisti anglez Edëard Lear [9] ku realizon një vizatim në të cilin duket mjaft mirë kulla e sahatit (fig.2). Ky është dokumentimi i parë deri më sot i kullës së sahatit. Më 28 tetor, siç shprehet Lear “përpara se dielli të fundosej poshtë…” [10] ai realizon edhe dy vizatime të tjera nga Kanina.
Në njërin prej këtyre dy vizatimeve të realizuara, kulla e sahatit si ndërtim arkitektonik mbi kullën fortifikuese është shumë i lexueshëm (fig.3). Por, me hyrjen edhe me qëndrimin e ushtarëve turq deri më 1850, kalaja u shkatërrua edhe më tepër, sepse kur dolën morrën me vete topat e fundit edhe prishën gjithë godinat që qëndronin ende në këmbë. Mendojmë se këtë fat mund të ketë pësuar edhe kulla e sahatit. Jetëgjatësia e saj mund të ketë qenë shumë e shkurtër vetëm disa vjet nga koha e ndërtimit dhe shkatërruar më 1850.
Ky është fakti që albanologu Han (1854) si studiues, por edhe si një dëshmitar okular nuk e përmend kullën e sahatit në kalanë e Kaninës, ndonëse përshkruan hollësisht planin e kështjellës krahasimisht me ato të Akrokorintit, të Patrasit dhe fortesat e tjera të këtyre viseve, por njëherazi përshkruan edhe për banesat e familjes së sundimtarit dhe i cilëson gërmadha.[11] Nga një vizatim i vitit 1884 realizuar nga drejtori i minierës së Selenicës Ing. Barthélemy ku ka paraqitur kalanë e Kaninës në aksonometri (fig.4) ambjenti i këmbanës i kullës së sahatit nuk duket. [12]
Më 1891 kulla e sahatit në kalanë e Kaninës u meremetua dhe në të u vendos “sahati i Kaninës”, i ardhur nga Gjermania. Me interes të veçantë është shënimi në trokën e saj, ku thuhet se ajo i ishte dhuruar kishës (Shën-Onufrit të Kaninës) nga Gjergj Arianiti. [13] Edhe Eqrem bej Vlora në librin e tij “Kalaja e Kaninës dhe shkrime të tjera” na informon se “nga banesa që kishte ngritur Zejnel pasha, kishe mbetur në këmbë deri në vitin 1919, një kullë gjysmë e shkatërruar; më 1891 u meremetua edhe u vendos në të sahati i katundit të Kaninës”. Më pas ai vazhdon: “pas ushtarëve turq (1850) shtatëdhjetë vjet pas kësaj kalaja mbeti në dorë të zotit dhe mëshirë të njërëzve, deri sa, më 1916 e zuri ushtria italiane.
Mbeturinat, që mundnin ende të pasqyronin diçka gjendjen e mëparshme, kjo ushtri nuk i mbrojti, pa dashur i zhduku. Më së fundi, në korrik të vitit 1919, e bombardoi kalanë edhe, kot së koti e rrënoi krejt”. [14] Një dëm të konsiderueshëm kalaja e Kaninës pësoi prej bombardimit italian me artileri të rëndë gjatë Luftës së Vlorës, si dhe shembjes së një pjese të saj nga trupat xheniere. [15] Këmbana e kullës së sahatit ishte zhdukur pas bombardimit që pësoi kalaja në vitin 1920 (qershor) nga ana e flotës italiane. Thonë që është ruajtur në shtëpinë e Selman Delos, në Kaninë. [16]
Të dhëna tekniko-arkitektonike
Kulla e sahatit në kalanë e Kaninës (fig.5), ashtu si kullat e sahatit në Elbasan dhe Prezë kanë të veçantën e tyre sepse ato janë të ndërtuara mbi kulla fortifikuese, kuptohet kur këto të fundit e humbin cilësinë e plotë si kullë fortifikuese kalaje. Mbi kullën e gurtë (5,60 m) streha e së cilës është me dy pllaka guri pas një mbulese me flet plumbi me pendencë dhe lartësi 0,5 m lartësohej ambjenti i këmbanores 1,3 m me katër kolona prej druri.
Këto kolona kufizohen në mënyrë perimetrale nga një paturë prej druri, duke të dhënë përshtypjen e dritares me hark. Në pjesën e harkuar mjeshtrat tanë popullor kanë realizuar një dekoracion të thjeshtuar, por duke futur gjëra vetiake në këtë drejtim ata kanë pasuruar vlerat estetike të saj. Ky ambjent mbulohej me një çati me konstruksion druri ku forma piramidale me bazë katrore me lartësi 0,5 m mbulohej me fletë plumbi.
Pra, kulla e sahatit mendojmë se ka qenë 7,90 m, ndërsa nga tabani i kullës gjashtëkëndore e cila ka një lartësi të ruajtur 7 m [17] ajo zhvillohej në vertikalitet deri 15 m e lartë (fig.6 skicuar nga Dritan Çoku). Planimetria e kullës së sahatit është katrore ku trashësia e muraturës prej guri është 0,75 m. Qoshet e kullës së sahatit janë realizuar me gurë të punuar. Sot ajo ruhet në gjendje rrënoje (fig.7 skicuar nga Dritan Çoku).
Kulla e sahatit si një kategori arkitektonike, që reflekton kushtet ekonomiko-shoqërore, duke i materializuar këto si konceptim, ashtu edhe në teknikën e materialin e përdorur, përbën për historinë e arkitekturës sonë mesjetare një kapitull të veçantë.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 Maj 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)