Materialet e gjetura në të dy sondazhet arkeologjike nën nivelin e themeleve të kishës, dëshmojnë për një periudhë shumë më të hershme se sa ndërtimi i saj (viti 1166 kur përmendet e dokumentuar për herë të parë).
Gjatë kërkimeve arkeologjike u zbulua qeramikë e periudhës helenistike (shek. II-I para Kr.), që sipas arkeologut, Hoxha, ishin të ngjashme me gjetjet e vendbanimit të Pllanës nga arkeologët austriakë Praschniker dhe Schober, që është identifikuar si Bassania e burimeve antike. Pati edhe gjetje të periudhës Romake (shek. I-III pas Kr.)
Në një studim të vitit 1978, botuar në revistën “Monumentet”, Dhimitër Shuteriqi thekson se gjatë punimeve rastësore në vitet 60-të, ka pasur gjetje të periudhës antike në Rubik dhe në jug të tij, tek kisha e Shëlbuemit, etj. Në Rubik, Fang, Rrasfik, etj. janë zbuluar vegla pune, enë qeramike, aksesorë të ndryshëm, të ngjashëm me ato të zbuluara në disa zona të Mirditës, si në: Përlat, Baz, Malaj, Ungrej, Bushkash, Kokërdhok, Kalor (Fushë Papërdhok), Gëziq, Kalivaç. etj.
At Fabian Barcata (prifti-misionar austriak që shërbeu për disa vite në fillim të shek. XX, në zonën e Rubikut), në romanin e tij “Lule”, do shkruante se në shkëmbin e kishës së Shëlbuemit ka qënë një vendbanim para-Romak, dhe pas pushtimit nga Romakët, në shkëmb u ndërtua një kështjellë.
Në Rubik që në antikitet ka kaluar një rrugë e rëndësishme që lidhte Lissusin (Lezhën) me Therandën (Prizrenin) e deri në Naissus (Nish). Rruga të çonte prej Lissusi (Lezhë), me anën e Mirditës për në Drin, vazhdonte për në Prizren e Kosovë, e pastaj për në Nish e gjatë lumit Timok për Tunë. Një dëshmi se kjo rrugë rrihej edhe përpara se ta ndreqnin Romakët, janë monedhat e qyteteve të Dyrrahut dhe të Apollonisë që gjenden në Siebenburgen.1)
Në librin “Mbi ndërtimet”, Prokopi i Cezaresë ndër të tjera përmend edhe “castrum Matris”, si një ndër kalatë që ishte ndërtuar në fillim të shek.VI nga Justiniani I në Epirin e Ri, për t’u mbrojtur nga dyndjet barbare.2)
Historiani bizantin i shek. VI, Prokopi nga Cezarea, na bën të ditur se Justiniani ndërtoi ose rindërtoi 58 fortifikime në Epir të Ri dhe 36 në Epir të Vjetër, një pjesë e mirë e të cilave gjenden në vendin tonë.
Ndërtimet e shek. VI në shumicën e tyre dallohen nga një vendosje më e çrregullt e gurëve, cilësia më e lartë i llaçit me sasi të madhe gëlqereje dhe një preferim i “muraturës së derdhur” të përbërë prej faqeve anësore dhe bërthamës, teknikë kjo që rekomandohet edhe nga Prokopi. Muret e fortifikimeve ngrihen drejt mbi shkëmb ose mbi themele guri mbi terrenet e buta.
Në kalanë e Rubikut, trashësia e pakët nuk lejonte krijimin e shtegut, ky formohej me anën e një platforme me trarë të inkastruar në murë, zgjidhje që e gjejmë të trashëguar në mesjetë dhe në qytetin e fortifikuar të Drishtit. Në shtigje kalohej me anë shkallësh zakonisht me pjerrësi 45°, në afërsi të kullave.3)
Përveç mureve rrethuese të kalasë, në majën më të lartë, vërehen mbetjet e një çisterne uji të ndërtuar me muraturë guri. Çisterna duket se ka pasur një bazë të thjeshtë drejtkëndore me përmasa 3.60 x 2.50 m.
Ndërsa nga sipër ka qënë e mbuluar me qemer guri, duke pasur lartësinë maksimale pak më shumë se 2 m. Aty këtu, në sipërfaqen e brendshme të mureve kanë mbetur ende gjurmë të suvatimit me llaç horasan me funksion hidrolizues.4)
Kalaja e Rubikut ruan grykën e lumit të vogël që quhet Rubik, i cili buron në malin e Zhupës dhe derdhet në lumin Fanë në qytetin e Rubikut. Kalaja ndodhet në bregun verior të lumit. Në bregun jugor, në një lartësi gati të njëjtë, gjendet edhe një fortifikatë tjetër mesjetare që ruan grykën e lumit. Pra rruga e hershme që kalonte këtu dhe lidhte Lezhën me brendësinë e Shqipërisë drejt lindjes, deri në Prizren e tutje ishte e fortifikuar.5)
Në periudhën e mesjetës zona e Rubikut rrethohej nga disa kala (fortifikata), të cilat kishin funksion mbrojtës dhe kontrollues.
Sipas Dhimitër Shuteriqit, përballë me kalanë e Matrizës pothuajse në të njëjtën lartësi, ndodhej edhe një kala tjetër mesjetare (të cilën e përmend edhe At Domeniko Pasi, që vizitoi malësitë shqiptare në fund të shek. XIX). Edhe në Rrasfik ndodhet një fortifikatë që në popull njihet si “Kulla e Skëndërbeut”, të cilën e përmend Marin Barleti në veprën “Historia e Skëndërbeut”. Këtë funksion e ka kryer më së miri edhe kisha e Shëlbuemit, që në atë periudhë ka qenë e fortifikuar. Në Rrasfik, Skënderbeu kishte një kullë që fabrikonte barutin, që përdorte gjatë luftrave në këto anë. Aty kishte dhe një vijë që çonte uji në kullën e barutit. Sot ruhen vetëm muret e kullës.6)
Rruga Lezhë - Prizren, ishte shumë e rëndësishme për veprimtarinë ekonomike dhe tregtare të Kastriotëve. Nëpërmjet rrugës Lezhë - Prizren, ka shkruar A. Dyselie, Gjon Kastrioti ka synuar të bënte tregti transballkanike. Për lidhjen e trevave bregdetare me trevat lindore, pas Rrugës Egnatia, rruga Lezhë-Prizren e më tutje ka qenë më e rëndësishmja në trojet e Arbënisë së Epërme e të Mesme. Rruga ka ndjekur rrjedhjen e lumit Fan dhe të Fanit të Vogël dhe nga Kumlla e Fanit ka dalë në Lumë për të arritur në Prizren. Kjo rrugë është emërtuar edhe si “rruga tregtare nëpër tokën e Gjon Kastriotit”. Zotërimi i rrugës Lezhë - Prizren ka qenë një faktor parësor për veprimtarinë ekonomike e politike të disa familjeve fisnike, si Kastriotët, Dukagjinët, Jonimët etj.
Kalaja e Rubikut, pikë kryesore mbështetëse në luftimet e Skënderbeut
Në dokumenet e kohës thuhet se, me përkrahjen osmane, rruga tregtare nga bregdeti e deri në Prizren, në mos tërësisht së paku pjesërisht, kaloi nën zotërimin e Jonimëve, siç e dëshmon emërtimi “Dhimitër Jonima” i trevës nga Lezha në Rubik. Deri në vitin 1409 Dhimitër Jonima përmendet si zotërues i qendrës tregtare e doganore të Shufadasë, në grykëderdjen e lumit Mat. Edhe Jonimët nuk e mbajtën gjatë në zotërim rrugën tregtare që lidhte bregdetin me Prizrenin. 7)
Burimet historike të fillim shek. XV, tregojnë se Gjon Kastrioti mori në zotërim portin dhe qendrën doganore të Shufadasë, dhe kriporet e Shën Kollit, që më parë kishin qënë në duart e Dhimitër Jonimës, si edhe gjithë zotërimin e tij, ku gjendeshin edhe dy kështjella. Shtrirja e gjerë e shtetit të Kastriotëve është pasqyruar edhe në burimet historike osmane. Në një dokument të muajt maj të vitit 1438 përmendet regjistri kadastral i “Tokave të Gjonit” (Juvan-ili) dhe si pjesë e tyre vilajeti i Dhimitër Jonimës. 8)
Në vitet 30-të shek. XV Gjergj Kastrioti përmendet si Spahi i një timari të madh me të pakten 9 fshatra në vilajetin e Dhimitër Jonimës. Gjatë këtyre viteve ai kishte një timar të madh në trevën Lezhë - Rubik, që përshkohej nga rruga e karvaneve që lidhte bregdetin me Prizrenin. 9)
Sipas Oliver Schmitt, në këtë periudhë u ndërmor nga Skënderbeu një ndërmarrje restauruse dhe fortifikuese në këtë zonë. (Schmitt sqaron aktivitetin e Skënderbeut për ndërtimin dhe përforcimin e kështjellave malore në shpinë të Krujës dhe në afërsi të Lezhës.10)
Duke u mbështetur në burimet historike, Kalaja e Matrizës Rubik ka shërbyer si pikë kryesore mbështetëse në veprimet luftarake të Skëndërbeut në këtë zonë. Kalaja e Matrizës ka pasur funksion mbrojtës dhe kontrollues, pasi në luginat lumore që zgjaten në lindje të saj janë të vendosur mjaft fshatra, me një popullsi të dendur për periudhën e mesjetës.11)
Nga një shënim në defterin shqiptar (Arvanid Defteri), në lidhje me Skëndërbeun, mësojmë se në maj 1438 nëntë katunde nga vilajeti i Dhimitër Jonimës që i përkisnin Skëndërbeut i ishin dhënë Andre Karlos. Siç duket kjo ka lidhje me heqjen e Skëndërbeut nga posti i Subashit. Këto nëntë katunde, sipas defterit në fjalë, ishin të regjistruara edhe në defterin e tokave të Gjonit (Juvan-ili),. d.m.th. u përkasin tokave të Gjon Kastriotit, babait të Skëndërbeut. Këto toka, shteti osman i konsideronte si toka shtetërore që jepeshin si timare, por për Skënderbeun ato ishin tokat e zotërimit të babait të tij.12)
Luftime të ushtrisë së Skënderbeut me turqit janë zhvilluar në Bulger (në Kulme të Dervenit dhe në luginën e Fanit, pranë Rubikut), ashtu siç na dokumenton edhe Barleti.13)
Skënderbeu pasi u kthye nga Roma, mblodhi nga çdo anë dhe bashkoi në një vend një ushtri shumë të madhe. Këtë ushtri Skënderbeu e ndau më dysh. Në krye të njërës vuri princin Lekë Dukagjini. dhe në krye të tjetrës Nikollë Monetën, fisnik prej Shkodre. Këta, duke i drejtuar forcat nga Lezha përmes fushave të Matjes dhe pyllit të Jonimëve, do ta sulmonin armikun nga kjo anë. Skënderbeu do të sulmonte nga ana tjetër. Jonima, vëllai i Ballabanit, e kishte kaluar tanimë malin e Bulgrit. Skënderbeu, kur e mori vesh këtë, vazhdoi për tërë natën me shpejtësinë më të madhe në drejtim të Jonimës duke e zënë të gjallë bashkë me të birin Heder.14)
Në ushtrinë që Skënderbeu mbante gjithnjë në këmbë, kishte edhe shumë mirditas.15)
Pas pushtimit osman edhe Rubiku nuk i shpëtoi valës shkatërruese, duke e humbur rëndësinë e tij, popullsia u zhvendos në fshatrat përreth. Kjo pasqyrohet edhe në të dhënat e defterit osman të vitit 1467, për sanxhakun e Ohrit. Sipas të cilit një pjesë e madhe e popullsisë kishte braktisur vendbanimet e tyre, për shkak të djegieve dhe shkatërrimeve në masë. Ushtritë turke i përkshkuen viset shqiptare, tue plaçkit, tue rrëmbye, tue mbyt, tue shkatërrue dhe tue zezue. Vendi i qetë i Rubikut u ba menjëherë nji grumbull rrënimesh.16)
Në zonën e Rubikut, sipas defterit osman të vitit 1467, përmenden disa familje të rëndësishme të kohës, si: Matriza, Plesha, Skura, Suma, Aleksi, Gjika, Trasha, Skanda, etj. Në kadastrën Venedikase të Katedrales së Ljubiçit, në vitin 1416, përmendet Martin Matriza si komandant i Renesit (Rencit) në Shëngjin.
Sipas dokumenteve të kohës në malin e Rencit në Shëngjin, në ato vite, Gjon Kastrioti kishte ngritur një kala, pasi Shëngjini ishte bërë pjesë e zotërimeve të tij.
Edhe familja Plesha ishte ndër familjet e rëndësishme të “aristokracisë së maleve” në atë periudhë, por edhe në vazhdim. Në një dokument të vitit 1595, si një ndër krerët e malësive të veriut, përmendet edhe Tom Plesha, që mbante titullin e Kavalierit. “Kavalier Tom Plesha, i dërguem shqiptar, i paraqet Papës, nëpërmjet të nuncit të Venedikut, shestimet e Shqiptarvet për me u lirue prej robnijet.” (Arkivi i Vatikanit).17)
Sipas defterit osman të vitit 1520-30-të, vilajeti i Pjetër (Dhimitër) Jonimës, përbëhej nga këto fshatra.
(1-Birzanë - Përzanë), (2-Bukati - Bokjani?), (3-Darda - Dardha), (4-Dullak), (5-Dush), (6-Fank - Fang), (7-Fiko - Qafë Fiku), (8-Gajbi – Treshi i vjetër), (9-Griy - Grykë Manati), (10- Iskirat), (11-Isbitan - Spiten), (12-Kabrol - Kaproll), (13-Koshtanja), (14-Kolashi - Kolsh), (15- Kastik - Rrasfik?), (16-Koryesod - Kryezez?), (17-Lurt - Lurth), (18-Lendije), (19- Manatya - Manatia), (20-Mataris - Matriza), (21-Merkite), (22-Napizi), (23-Pedana - Pllana), (24-Rupiçe - Rubiku), (25-Solomon - Sollomun), (26-Skandani), (27-Salet), (28-Shukalza – Vau Shkieza?), (30-Skopid - Shkopet), (31-Tirkes), (32-Zujmija - Zejmen). 18)*) studiues
Referencat
1-Revista “Leka”, nr 4, viti 1944, f. 156
2-Proc. "Mbi ndërtimet" IV 4, 117, 30
3-Apollon Baçe, Fortifikimet e antikitetit te vonë në vendin tone, Revista “Monumentet”, 1976, f. 45-56
4-Gëzim Hoxha, Konteksti arkeologjik i truallit dhe peisazhit rrethues të kishës së Shëlbuemit në Rubik. Revista “Hylli i Dritës”, nr 2, viti 2016, f. 162
5-Dhimitër Shuteriqi, Mbi disa vizatime rupestre mesjetare pranë Rubigut dhe mbi disa motive skulpturore popullore në Mirditë, Revista “Monumentet”, nr 18, viti 1979. f. 67.
6-Mark Tirta, Skëndërbeu në gojëdhënën popullore të Mirditës (Konferenca e dytë e studimeve Albanologjike), f.506
7-Kasem Biçoku, Mjedisi kishtar dhe politik i kuvendit të Arbërit, Gazeta “Ndryshe”
8-Historia e Popullit Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave, f. 272
9-Historia e Popullit Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave, f.342
10- Oliver Jens Schmitt, “Skënderbeu”, f. 181-182
11-Gëzim Hoxha, Konteksti arkeologjik i truallit dhe peisazhit rrethues të kishës së Shëlbuemit në Rubik. Revista “Hylli i Dritës”, nr 2, viti 2016, f. 166
12-Halil Inalçik, Krahina e Krujës dhe e Dibrës rreth vitit 1467 (Konferenca e dytë e studimeve Albanologjike), f. 184
13-Mark Tirta, Skëndërbeu në gojëdhënën popullore të Mirditës (Konferenca e dytë e studimeve Albanologjike), f. 504
14-Marin Barleti, “Historia e Skëndërbeut”. f. 476
15-Fan S.Noli, “Historia e Skënderbeut”, f. 114
16-Fabian Barcata, “Lule”, f.32
17-Revista “Leka”, viti 1936, nr. 10, f. 447
18-Halil Inalçik, Arvanid Defteri (Defteri Shqiptar).
Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com