Analisti Ilir Demalia dhe politologu Gentjan Gaba kanë diskutuar në studion e emisionit ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv mbi raportin për Shqipërinë të miratuar nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian dhe për ecurinë e procesit të anëtarësimit të vendit tonë në BE.

Gjatë fjalës së tij, Demalia tha se Shqipëria ka ecur me ritme të mira në rrugën drejt BE-së në aspektin e ligjshmërisë dhe marrëdhënieve të ndërtuara në arenën ndërkombëtare, merita këto që sipas tij janë kryesisht të kryeministrit Edi Rama.

“Shqipëria ka ecur në aspektin e ligjshmërisë dhe marrëdhënieve që ka ndërtuar dhe kjo është merita e Ramës me thënë të drejtën, që iu përkushtua shumë hyrjes në BE dhe mënyra e tij për të krijuar miq me të gjithë liderët e BE-së. Por në anën tjetër i ndodhi korrupsioni, arroganca e shumë njerëzve të pushtetit, ligjshmëritë që janë por nuk zbatohen. Të gjitha këto janë pengesa për të shkuar më tej”, tha mes të tjerash Demalia.

Demalia theksoi më tej, duke cituar edhe pjesë nga raporti, se problem për ecurinë e Shqipërisë në BE nuk është vetëm puna e qeverisë, por edhe opozita, e cila sipas tij nuk është konstruktive.

Për Demalinë, një opozitë e tillë që vetëm rrudhet dhe ka humbur besueshmërinë te qytetarët, e bën edhe forcën që është në pushtet që të jetë më autoritare.

“Por gjithmonë duhet të kuptojmë që ne jemi në një proces dhe nuk mund të bëjmë hapa gjigand. Por ajo që është një pengesë tjetër është edhe opozita, siç e përmend edhe vetë raporti, që nuk është konstruktive. Një opozitë e tillë, jo vetëm që po rudhet dhe ka humbur çdo lloj besueshmërie, e bën edhe forcën në pushtet që të jetë autoritariste”, vijoi më tej Demalia.

Nga ana tjetër, Gaba tha se qeveria dhe kryeministri Edi Rama janë përgjegjës për kritikat që kishte nxjerrë në pah raporti i PE për Shqipërinë.

Kjo pasi sipas tij, qeveria ka rolin kyç në përmbushjen e detyrimeve dhe kushteve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

“Në raport evidentohet dëshira e madhe e shqiptarëve për t’u anëtarësuar në BE. Kurse te pjesa e kritikave pastaj është për të vënë duart në kokë. Sepse aty më shumë sesa kritika janë kushte që ne duhet të kalojmë si shoqëri dhe detyrat për t’i kaluar këto kushte si shoqëri, i bien kryesisht të parit të shtëpisë që është kryeministri dhe qeveria”, tha mes të tjerash Gaba.

Më tej Gaba evidentoi çështjen e imunitetit të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, si një nga shkaqet që sipas tij ka çuar në ngadalësimin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së.

Kjo pasi sipas Gabës, nëse Parlamenti do të kishte votuar pro kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, Shqipëria do të ishte një hap më pranë anëtarësimit në BE.

“Por duke pasur parasysh kritikat që janë renditur aty, është sa dhe përgjegjës për zgjidhjen e tyre, por edhe fajtor për to. Përshembull nëse kemi një kusht për zonjën Balluku për çështjen e imunitetit, nëse rruga për në BE do të ishte më e kollajtë deri pak muaj më parë, nëse ne do të kishim marrë si Parlament atë vendim që mund të merrte 5-6 minuta për t’i hapur rrugë kërkesës së SPAK, ne do të kishim hapur shampanjë. Por nuk e hapëm dot sepse kemi ngecur te testi për Ballukun”, shtoi Gaba.

Komisioni i jashtëm në Parlamentin Evropian miratoi ditën e djeshme me 58 vota pro raportin për Shqipërinë, që do t’i kalojë për miratim seancës plenare. Raporti vlerëson procesin e negociatave, ndërsa Shqipëria cilësohet si “Kampione” për hapat drejt integrimit. Në dokument kërkohet thellim i reformave në drejtësi e asaj zgjedhore dhe dhënien fund të polarizimit politik.