Kalaja e Rozafës vijon të jetë një nga destinacionet më të preferuara të turistëve. Gjatë muajit gusht, monumenti u vizitua nga 27 mijë e 143 persona, një rritje prej 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shifrat u ndanë nga kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se interesi për trashëgiminë historike dhe kulturore shqiptare po vijon të rritet.
E ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të Shkodrës, Kalaja e Rozafës ka një pozicion strategjik, nga ku shihen lumenjtë Drin, Kir dhe Buna, si edhe panorama e qytetit. Me origjinë ilire, ajo lidhet me legjendën e Rozafës dhe besës, një nga rrëfimet më të njohura të traditës shqiptare. Në hyrje të kalasë ndodhet basorelievi i Rozafës, ndërsa uji gëlqeror që rrjedh aty simbolizon, sipas gojëdhënës, qumështin e gjirit që iu la jashtë për të ushqyer foshnjën.
Forma që ka sot kalaja u mor gjatë sundimit të Balshajve në shekullin XIV, ndërsa pjesa më e madhe e mureve i përket periudhës veneciane. Edhe pushtimi osman ka lënë gjurmët e tij në këtë monument.
Sot, Kalaja e Rozafës është objekti kryesor turistik i Shkodrës, ku vizitorët njihen me historinë e qytetit përmes gravurave, riprodhimeve të dokumenteve arkivore dhe veprave të artit, ndërsa shijojnë edhe pamjen e veçantë të bashkimit të tre lumenjve.












Komente
Komento