Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka përcaktuar rregullat dhe procedurat për kalimin në pronësi të truallit shtetëror, që është në përdorim nga individë apo subjekte, të cilët nuk kanë akt pronësie, apo dokumenti i tyre është i pavlefshëm.
Aplikimi do të kryhet platformës e-Albania, ndërsa dokumentacioni ngarkohet elektronikisht dhe depozitohet pranë Drejtorisë Vendore të ASHK-së përkatëse.
Kjo vlen për ndërtesat e privatizuara sipas ligjeve nr. 7512, datë 15.08.1991 dhe nr. 7476, datë 12.03.1991.
Ndërtesa duhet të jetë fituar me kontratë privatizimi nga organi shtetëror përkatës, trualli të jetë pronë shtetërore dhe jo tokë publike e patjetërsueshme, si dhe pasuria të jetë në posedim të kërkuesit.
Së dyti, përfshihen ndërtesat me leje ndërtimi të lëshuar pas datës 10.08.1991. Në këto raste, trualli duhet të jetë pronë shtetërore, të mos ekzistojë dokument i mëparshëm për dhënien e tij në përdorim dhe të jenë përmbushur të gjitha detyrimet përkatëse financiare.
Për objektet me funksion banimi, kalimi i truallit realizohet pa pagesë. Ndërsa për objektet me funksion social-ekonomik, kalimi bëhet me pagesë,
Njoftimi i plotë
Agjencia Shtetërore e Kadastrës informon qytetarët, se tashmë me miratimin e VKM nr. 4, datë 15.01.2026, përcaktohen qartësisht rregullat dhe procedurat për kalimin në pronësi të truallit shtetëror, duke garantuar transparencë, siguri juridike dhe trajtim të barabartë për çdo aplikant.
Aplikimi kryhet përmes platformës shtetërore e-Albania, ndërsa dokumentacioni ngarkohet elektronikisht dhe depozitohet pranë Drejtorisë Vendore të ASHK-së përkatëse. Qëllimi: më pak burokraci, më shumë transparencë dhe siguri juridike.
Vendimi trajton dy kategori kryesore përfituesish.
Së pari, ndërtesat e privatizuara sipas ligjeve nr. 7512, datë 15.08.1991 dhe nr. 7476, datë 12.03.1991. Për këto raste, kushti themelor është që ndërtesa të jetë fituar me kontratë privatizimi nga organi shtetëror përkatës, trualli të jetë pronë shtetërore (dhe jo tokë publike e patjetërsueshme), si dhe pasuria të jetë në posedim të kërkuesit. Një element thelbësor mbetet edhe shlyerja e detyrimeve për taksën e truallit në përdorim.
Së dyti, përfshihen ndërtesat me leje ndërtimi të lëshuar pas datës 10.08.1991. Në këto raste, trualli duhet të jetë pronë shtetërore, të mos ekzistojë dokument i mëparshëm për dhënien e tij në përdorim dhe të jenë përmbushur të gjitha detyrimet përkatëse financiare. Në të dyja kategoritë, sipërfaqja që kalon në pronësi përcaktohet sipas genplanit përkatës ose, në mungesë të tij, sipas sipërfaqes nën objekt.
Kërkesa paraqitet online, ndërsa dokumentacioni përkatës ngarkohet në format PDF dhe më pas depozitohet me postë pranë Drejtorisë Vendore të ASHK-së që administron zonën ku ndodhet pasuria. Ky standardizim synon të shmangë paqartësitë dhe të përshpejtojë shqyrtimin e aplikimeve, duke e bërë procesin më të sigurt dhe më të parashikueshëm për qytetarët.
Kur aplikohet me pagesë dhe kur jo?
Vendimi përcakton qartë se për objektet me funksion banimi, kalimi i truallit realizohet pa pagesë. Ndërsa për objektet me funksion social-ekonomik, kalimi bëhet me pagesë, sipas çmimit të miratuar në hartën e vlerës së tokës. Në rastet me funksion të përzier, pagesa aplikohet vetëm për pjesën e përdorur për veprimtari ekonomike.
Kategoritë që nuk trajtohen nga kjo VKM:
Për transparencë të plotë, vendimi nuk përfshin objektet e privatizuara sipas ligjit nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”, si dhe rastet që lidhen me privatizimin e objekteve të ish-ndërmarrjeve bujqësore sipas ligjit nr. 18/2023. Me këtë vendim, procesi i kalimit në pronësi të truallit shtetëror plotësohet duke u bërë më i thjeshtë në aplikim, më i qartë në rregulla dhe më i sigurt në zbatim — duke konsoliduar një tjetër hap drejt formalizimit të pasurive.
Komente










