TIRANE - Organi i Prokurorisë ka njoftuar ditën e sotme se ka regjistruar procedimin penal dhe ka nisur hetimet për disa raste të referuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në fund të muajit dhjetorit 2012 dhe fillim të muajit janar 2013.

Prokuroria njofton se ende nuk ka ngritur akuza, por po zhvillon hetime për 32 zyrtarë të niveleve të ndryshme, të kallëzuar penalisht nga KLSH për vepra penale që lidhen me ushtrimin e funksioneve publike. Ndërkohë që është në proces verifikimi kallëzimi penal i referuar nga KLSH për 4 zyrtarë të tjerë.

“Në bazë të rasteve të përcjella nga Kontrolli i Lartë i Shtetit kanë filluar hetimet për rastet si më poshtë:
1. Prokuroria e Matit ka regjistruar dhe ka filluar hetimin mbi 5 punonjës që kanë ushtruar ose ushtrojnë funksione në Ujësjellës-Kanalizime, Mat.
2. Prokuroria e Përmetit ka regjistruar dhe ka filluar hetimin mbi 2 punonjës që kanë ushtruar ose ushtrojnë funksione në Bashkinë Përmet.
3. Prokuroria e Sarandës ka regjistruar dhe ka filluar hetimin mbi 10 punonjës që kanë ushtruar ose ushtrojnë funksione në Bashkinë Sarandë.
4. Prokuroria e Pogradecit ka regjistruar dhe ka filluar hetimin mbi 6 punonjës që kanë ushtruar ose ushtrojnë funksione në Bashkinë Pogradec.
5. Prokuroria e Vlorës ka regjistruar dhe ka filluar hetimin mbi 7 punonjës që kanë ushtruar ose ushtrojnë funksione në Bashkinë Himarë.
6. Prokuroria e Tiranës ka regjistruar dhe ka filluar hetimin mbi 2 punonjës që kanë ushtruar funksione në Kontrollin e Lartë të Shtetit.
7. Ndërkohë, nuk është regjistruar hetimi, por është në proces verifikimi kallëzimi mbi 4 punonjës që kanë ushtruar ose ushtrojnë funksione në komunën Bërzhitë, Tiranë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Gjithashtu Prokuroria ka njoftuar se po punon intensivisht mbi këto raste, për të vlerësuar nëse ekzistojnë kushtet për ngritjen e akuzave ndaj zyrtarëve të kallëzuar penalisht nga KLSH.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)