Ministri i Financave, Petrit Malaj, reagoi pasditen e kësaj të enjte, disa orë pasi u kallëzua penalisht në SPAK së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë dhe drejtorët e Thesarit në të gjithë vendin nga18 drejtues të gjykatave të vendit dhe 2 krerë të shoqatave të gjyqtarëve e prokurorëve për bllokimin e rritjes së pagave të magjistratëve.
Në postimin e tij, Malaj shpjegoi se kallëzimi është bërë sepse Ministria e Financave ka refuzuar të hapë Thesarin e shtetit pa një vendim të Kuvendit, duke theksuar se qeveria do ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese më 17 shtator, kur të miratohet ligji përkatës.
Ai publikoi edhe pagat që, sipas tij, kërkojnë gjyqtarët dhe prokurorët, duke deklaruar se rritja do t'i kushtonte buxhetit të shtetit 40 milionë euro shtesë çdo vit, ndërsa kërkesa për pagesat e prapambetura për periudhën 2023-2026 do të kishte një efekt financiar prej 125 milionë eurosh.
Malaj gjithashtu u bëri thirrje drejtorëve të Thesarit të vazhdojnë të zbatojnë ligjin dhe të mos intimidohen nga kallëzimi.
Postimi i plotë i Ministrit Malaj
"Të kallëzohesh sepse po zbaton ligjin, nga garantët e barazisë para ligjit!
Sot, në Ministrinë e Financave u depozitua një kallëzim penal për mua si titullar i institucionit, Sekretarin e Përgjithshëm dhe drejtorët e thesarit në të gjithë Shqipërinë.
Arsyeja: Kemi refuzuar të hapim dyert e thesarit të shtetit për të nxjerrë që aty pa vendim të Parlamentit një volum të konsiderueshëm parash, si shtesë rroge për gjyqtarët dhe prokurorët.
Nuk dua të bëj asnjë polemikë me askënd dhe as të risqaroj pozicionin e Ministrisë së Financave, ndërkohë që është thënë publikisht nga qeveria shqiptare dhe përfaqësuesit e Parlamentit, se askush nuk do të pengojë adresimin e çështjes së pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të ndodhë më 17 shtator, kur të miratohet ligji që i jep Ministrisë së Financave të drejtën administrative të veprimit.
Por, kjo nuk i ka penguar përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor që të përshkallëzojnë konfliktin me ekzekutivin duke nënshkruar një kallëzim penal që do ta marrë me siguri historia.
Ndërkohë unë sot dua t’u bëj me dije qytetarëve sa kushton kërkesa e kallzuesve të nderuar, sipas shkallës së pagave:
Gjyqtar i Shkallës së Parë
Është: 376,381 Lekë
Kërkohet: 567,421 Lekë
Gjyqtar i Shkallës së Dytë
Është: 388,927 Lekë
Kërkohet: 586,335 Lekë
Gjyqtar i GJKKO
Është: 401,473 Lekë
Kërkohet: 605,350 Lekë
Efekti total në buxhetin e shtetit me këto kërkesa është 40 milionë euro shtesë, çdo vit. Por nuk mbyllet këtu.
Magjistratët kërkojnë rishikim të pagave për periudhën 2023-2026 me një efekt në buxhetin e shtetit 125 milionë euro.
Ndërkohë u them drejtorëve të Thesarit në të gjithë Shqipërinë dhe Sekretarit të Përgjithshëm, që sot u kallëzuan së bashku me mua, se duhet të vazhdojnë ta kryejnë detyrën e tyre me qetësi dhe pa u intimiduar, duke ruajtur gjithmonë me rigorozitet financat e shtetit, të udhëhequr nga ligji" shkroi Malaj
Lajmi kryesor:
Bllokimi i pagave/ Magjistratët kallëzojnë në SPAK ministrin e Financave, sekretarin dhe 14 drejtues të Thesarit! Rama: Më shtoni edhe mua e Gogun! Petrit Malaj: Zbatuam ligjin








