TIRANË- Ngërçi i krijuar me pagat në sistemin e drejtësisë tashmë ka përfunduar në dyert e SPAK. Pas bllokimit të listëpagesave nga Thesari, magjistratët kanë bërë një tjetër lëvizje duke kallëzuar ministrin e Financave, Petrit Malaj, Sekretarin e Përgjithshëm Gentian Këri dhe 14 drejtues të Thesarit në rrethe.
Janë 18 gjykata në vend që kanë firmosur kallëzimin, mes tyre dy shoqatat ajo e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Kallëzimit nuk i është bashkuar vetëm Gjykata Administrative e Lushnjës dhe Gjykata e Lartë.
Kallëzimi është bërë për veprat penale “shpërdorim detyre”, “pengim për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe “mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës”.
Ngërçi me pagat nisi pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit të 31 korrikut formulën e re për pagat e magjistratëve, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën e re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë që ishte më parë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.
Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit dhe kërkoi që ato të ridërgoheshin sipas metodologjisë së mëparshme. Si pasojë, pa pagat e gushtit kanë mbetur jo vetëm gjyqtarë dhe prokurorë, por edhe punonjës të administratës së gjykatave dhe prokurorive.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Lajmi në përditësim....
Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë










Komente
Komento