TIRANE- Tre javë pas kallëzimit ndaj ish-ministrit të djathtë të Arsimit Myqerem Tafaj, Prokuroria e Përgjithshme ka sekuestruar dokumentacionin e akreditimit të universitetit privat “Vitrina” dhe dosjen me procedurat e ndjekura nga ish-ministri për transferimin e pronave publike vartësi të Ministrisë tek privatët.

Ky fakt konfirmohet për A1Report nga burime pranë akuzës, të cilat deklaruan se verifikimi i këtyre dokumentacioneve është drejt fundit dhe brenda muajit prill do të vendoset nëse do të merret apo jo i pandehur Myqerem Tafaj. 

Tafaj u kallëzua më 26 mars për shpërdorim detyre pasi sipas padisë, gjatë kohës që ai ka ushtruar funksionin e ministrit ka akredituar universitetin “Vitrina” dhe pse më parë Këshilli i Akreditimeve kishte vendosur të mos akreditonte këtë universitet.

Aktualisht Myqerem Tafaj ushtron funksionin e deputetit në Partinë Demokratike, ndërsa hetimet ndaj tij po kryhen nga Prokuroria e Përgjithshme pasi ai gëzon statusin e deputetit dhe koha në të cilën akuzohet për shpërdorim detyre ka pasur funksionin e ministrit.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptara.com)