Përfaqësues të PD-së në KQZ u shprehën se nuk ka kohë fizike për të shqyrtuar të gjitha listat e partive. Sipas tyre nevojitet 1 dite kohe per ta bere kete gje, ndërsa Biba u shpreh se ato duhen mbyllur.
Anëtarët e djathtë në shenjë proteste braktisin mbledhjen dhe largohen duke bojkotuar tryezën e sotme.
Kjo u konsiderua si tentativë për shtyrje artificiale të kohës nga përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, Eridian Salianji, i cili tha se këto verifikime i kishte bërë njëherë administrata e KQZ.
Pas hedhjes në votim të propozimit, anëtarët e shumicës votuan kundër dhe kjo u bë shkak që përfaqësuesit e opozitës të braktisnin mbledhjen.
Pavaresisht kësaj, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve miratoi listat shumëemërore të Partive Politike të regjistruara në zgjedhjet e 18 qershorit. 27 kandidatë rezultuan se kishin marrë dënime nga gjykatat por që nuk ndaloheshin për të kandiduar në bazë të ligjit të dekriminalizimit. Ndërsa për zgjedhjet e Kavajës, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve konstatoi formalisht se asnjë komisioner nuk ishte paraqitur për të marrë në dorëzim materialet zgjedhore, duke e bërë të pamundur zhvillimin e votimit për këtë Bashki.
Gjithsej për zgjedhjet e 18 qershorit janë regjistruar 15 parti politike. Afati i fundit për miratimin e fletës së votimit, është data 9 maj
Tre anëtarët e PD: Vendimmarrja e KQZ abuzive, u shkel Kodi
Tre anëtarët e opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, zv/kryetari i këtij institucioni Hysen Osmanaj dhe dy anëtarët, Vera Shtjefni dhe Klement Zguri, kanë sqaruar arsyet se pse braktisën mbledhjen e KQZ-së.
Përmes një deklarate shpërndarë për mediat, përfaqësuesit e PD akuzojnë KQZ-në se mori vendimmarrje abuzive sa i takon miratimit të listave shumë emërore të kandidatëve për deputetë.
Sipas tyre, KQZ nuk mori parasysh kërkesën e tre anëtarëve për verifikimin e dokumentacionit të paraqitur nga partitë politike. Duke e cilësuar vendimin e tij për të miratuar listat shumë emërore tre anëtarët thonë se kjo është një tjetër shkelje.
Deklarata e perfaqesuesve te djathte te KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ne mbledhjen e dt. 07. 05. 2017, do të shqyrtonte disa projekt-vendime për miratimin e listave shumemërore të kandidateve per deputet të paraqitura nga partite politike.
Tre anëtarët e KQZ konstatuan se për disa subjekte zgjedhore kishte parregullsi/mospërputhje mes nënshkrimeve mbështetëse në lista dhe atyre të vendosura në kopjet e kartave të identitetit.
Ne kërkuam verifikimin e këtij dokumentacioni. Kërkesa ishte në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor dhe eshte detyrim i KQZ për të verifikuar nënshkrimet mbështetëse të zgjedhësve për kandidatët dhe për të përjashtuar nënshkrimet e parregullta, sikurse e percakton neni 71 i Kodit Zgjedhor.
Kryetari i KQZ refuzoi të kryejë këtë procedurë dhe e rrëzoi këkesën tonë përmes një votimi të pambështetur në ligj.
Vendimmarrja e kryetarit të KQZ për të penguar ligjshmërinë dhe trasparencën e dokumentacionit të kandidatëve për deputet dhe për të na penguar të ushtrojmë detyrën është një sjellje e përsëritur në dëm të misionit dhe detyrave të KQZ dhe në favor të interesave të subjekteve të caktuara zgjedhore.
Fatkeqësisht kjo vendimarrje e re abuzive, është ne vazhdën e vendimarrjeve të paligjshme të KQZ, si për shembull regjistrimi i listave të kandidateve të subjekteve zgjedhore tej afatit ligjor. Ne si anëtarë të KQZ-se, shprehim shqetësimin se kjo sjellje e KQZ-se po cënon rëndë procesin zgjedhor dhe po inkurajon dhe hap rrugën manipulimeve zgjedhore.
Hysen Osmanaj, Zv/Kryetar i KQZ-se
Vera Shtjefni, Anetare
Klement Zguri, Anetar
KQZ gjobit PS
Pas Lëvizjes Socialiste për Integrim, edhe Partia Socialiste është gjobitur me 1 mln lekë nga KQZ pasi nuk kanë respektuar nenet për kuotat gjinore.
Lista e PS në qytetin e Beratit kryesohet nga Blendi Klosi, Ermonela Valikaj, Atnor Shameti e ndërsa ndiqet më pas nga tre meshkuj të tjerë.
Siç parashikojnë nenet 67 dhe 175 të Kodit Zgjedhor, 1 në 3 emrat duhet të jetë i gjinisë tjetër. Në këtë rast kemi të bëjmë me një diskriminim për femrat.
Lista e PS në Berat
Blendi Klosi
Ermonela Valikaj
Atnor Shameti
Fadil Nasufi
Arben Konomi
Eugent Kallfani
Saimir Plaku
Jorid Çelaj
(d.b-B.K/Shqiptarja.com)