Policia e Tiranës referoi Prokurori, Adriana Kalanë, kryetare e komisionit të Apelimit në PD-së, nën akuzën e kanosjes për shkak të detyrës. Shkak janë bërë disa deklarata kërcënuese ku përmend armë zjarri, duke kërcënuar kryeministrin Edi Rama.

Kalaja, pas disa shkrimeve për një foto të sajën teksa bën qitje, bëri një deklaratë publike gjatë protestës së fundit para bashkisë Tiranë, ku shprehej se ka foto edhe më të bukur, me një pistoletë që ia ka vënë në kokë Ramës.

“Ju e dini shumë mirë që mua nuk më lodh as mikrofoni, as pistoleta. Jam këtu për t’i thënë dikujt, mjaft u more me foton time me pistoletë, sepse kam një foto më të bukur, kur unë pistoletën e kam vënë në kokë të Edi Ramës, atë përdor”, tha Kalaja.

Kalaja është marrë në pyetje nga grupi hetimor, dhe pas dëshmisë përgënjeshtroi se ka dashur ta kërcënojë kryeministrin por tha se donte të ironizontedisa shkrime kundër saj në media.

‘Sapo vij nga komisariati nr. 1 në orët e pasdites me kanë kontaktuar për të dhënë një deklaratë pa më thënë detajet për protestën e sotme. Për rreth një orë në policinë e pushtetit të kriminalizuar nga Edi Rama dhe Balla jam marrë në pyetje me akuzën e kanosje për shkak të detyrës. Unë sot paskam kanosur Edi Ramën. Tani unë e kam medalje ari të më thërrasë policia e narkosit dhe të akuzojë se paskam kanosur një bandit si Edi Rama. Unë deklaroj se e kanos Edi Ramën dhe e kanos për të shkuar në burg do apo nuk do Altin Dumani, do apo s’do Edi Rama që sot ka urdhëruar arrestimin tim. ‘- tha Kalaja.

Në fakt deklarata kërcënuese, Kalaja bën në çdo tubim para bashkisë së Tiranës, ku përsërit herë pas here thirrjen për të marrë zvarrë kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj.