Erion Braçe ka evidentuar një sërë problematikash në bashkinë e Tiranës, për të cilën ka shprehur edhe interesin për të kandiduar. Deputeti socialist thotë se çdo ditë do të angazhohet me vepra për t’u dhënë zë shqetësimeve të qytetarëve.
Ai thotë gjithashtu se në Tiranë punët e bashkisë kanë ngecur pasi asgjë nuk ecën dhe tani është i vendosur të veprojë vetë. Së treti, Braçe refuzon t’i marrë gjërat me ritëm të ngadaltë pasi beson se punët nuk presin pasi njerëzit janë gjithnjë në pritje që “udhëheqësit të prishin rehatinë.”
“Tre gjëra për javën
- Unë pa njerëz? Joooo, me njerëz plot, por unë nuk abuzoj me ta!
- Kur puna nuk bëhet, nuk e bëjnë, duhet ta bësh vetë, punën do bëj!
- Ka kohë, pse e nise kaq shpejt? Joooo, nuk ka kohë, për punën koha ka mbaruar!
E para, më pyesin pse dal vetëm - ku i ke njerëzit, më thonë. Me njerëz jam, plot. Në çdo video ata janë rreth meje, madje madje ata më sjellin në territor, në lagje, blloqe, rrugë e rrugica; ata më thërrasin e unë përgjigjem, në këmbë kudo; duan të më tregojnë hallin, shqetësimin që iu prish e nxin jetën; duan që unë ta shoh në vend dhe unë për këtë shkoj; duan t’i jap zë hallit të tyre nga aty dhe unë atë bëj; do të vijoj ta bëj tani, do ta bëj çdo ditë, deri në fund. Sot kështu, në bashki pa fjalë, pa filma, me vepra!
Në anën tjetër, unë nuk dua të abuzoj me njerëzit, të bëj sikur, pra të shkoj në Ministrinë e Mbrojtjes, Laprakë, Zall Bastar e të bëj sikur atë punën e bëra unë; unë e refuzoj personalizimin e pushtetit!
E dyta, u bënë disa muaj që kemi ngritur një grup pune për punët e Tiranës, grup në të cilin drejtuesja politike është thuajse kryetarja në detyrë e bashkisë së Tiranës; problemi është që përsëri punët nuk ecin, nuk bëhen, shqetësimet nuk marrin përgjigje, hallet nuk zgjidhen; nganjëherë shkoj atje dhe më duket vetja si në kurth, e pranoj dhe këtë që punët të bëhen; por punët, jo vetëm të pesës por të të gjithë Tiranës nuk bëhen. Atëherë kur puna nuk bëhet, nuk e bëjnë, duhet ta bësh vetë dhe unë këtë do të bëj.
E treta, po e dëgjoj gjithnjë e më shpesh këtë shprehjen “Po është shpejt, nuk është koha tani, ka kohë plot”! Ouuu? Për çfarë ka kohë? Për propagandë? Për qokë? Joooo, faleminderit! Kohë për punët në Tiranë nuk ka, koha për punët ka mbaruar! Ose është tani, ose ditë tjetër nuk ka! Kjo marrja me nge e punëve, në ekuilibër e pa prishur rehatinë e udhëheqësve të çdo niveli, të ngre nervat; sepse janë njerëz ata që presin e presin që udhëheqësit të prishin rehatinë!”, thotë Braçe.
Komente









