Kthimi i dekretit nga Presidenti Bujar Nishani, për ligjin "Për masat shtesë të sigurisë”, ka sjellë edhe reagimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat, Ministria e Brendshme sqaron se përgatitja, shqyrtimi dhe miratimi i ligjit "Për masat shtesë të sigurisë", është realizuar në të gjitha etapat e tij, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë si dhe në konsultim me grupet e interesit, përfshirë Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
 
"Grupi i punës, në harkun kohor të 8 muajve që është nevojitur për ligjin, ka pasur kontakte të vazhdueshme me ekspertët e misioneve ndërkombëtare të atashuara në Shqipëri", thuhet në reagimin e Ministrisë së Brendshme.   
 
Bëjmë me dije gjithashtu, vijon deklarata për shtyp, se në ligj janë reflektuar edhe sugjerimet e grupeve të konsultuara të interesit gjatë takimeve të zhvilluara.
 
"Sjellim në vëmendje të publikut se janë organizuar konsulta me grupet e interesit, si dhe një takim i gjerë publik me ta, ndërkohë vërejtjet e tyre janë reflektuar në variantin e fundit që qeveria ka dërguar në Kuvend. Njëherësh theksojmë se ligji është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale", vijon deklarata e Ministrisë.
 
Në hartimin e ligjit për "Për masat shtesë të sigurisë", sqaron Ministria e Brendshme, janë reflektuar edhe vërejtjet e ekspertëve ndërkombëtarë.
 
"Nënvizojmë se ekspertët ndërkombëtarë në vazhdimësi kanë dhënë vërejtjet e tyre për projektligjin, si në formë të shkruar, ashtu edhe në takimet e rregullta me grupin e punës, vërejtje të cilat janë reflektuar në ligjin e miratuar".

Redaksia Online
Shqiptarja.com