Eksperti Ralf Gjoni është shprehur se nëse ekziston një risk i vogël për sulme të mundshme terroriste në Shqipëri, vendi më i rrezikuar është kampi ASHRAF 3 në Manës të Durrësit, ku qëndrojnë eksponentë të opozitës iraniane (MEK).
Në emisionin ‘Bota Report’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Gjoni tha se nuk shikonte arsye për t’u shqetësuar, për sulme të mundshme terroriste në jetën e përditshme të Tiranës.
“Përsa kohë që jeta ime si shqiptar është e garantuar, atëherë edhe jeta e amerikanëve, francezëve, gjermanëve dhe italianëve si turistë apo rezidentë në Republikën time është e garantuar. Prandaj unë mendoj se qeveria duhet të mbajë përgjegjësi përsa i përket monitorimit të ndonjë aktiviteti potencial terrorist në vendin tonë. A ekziston një rrisk i vogël për ndonjë sulm terrorist në vendin tonë? Do të thoja ndoshta te Kampi i MEK mund të ekzistojë një risk potencial. Në jetën e përditshme të Tiranës, mesa kam dijeni, nuk shoh ndonjë arsye për t’u shqetësuar. Unë preferoj që t’i këshilloj gjithë shqiptarët që më pyesin që të ndjekin udhëzimet e Ministrisë së Brendshme, të qeverisë së Shqipërisë”, tha mes të tjerash Gjoni.
Gjoni tha gjithashtu se çdo ambasadë që nxjerr njoftime të tilla si ai që dje nxori Ambasada e SHBA-së në Tiranë, duhet të mbajë përgjegjësi përsa i përket riskut dhe panikut që mund të përhapet.
Në përfundim Gjoni teksa këshilloi qytetarët që të ndjekin udhëzimet e Qeverisë shqiptare, tha gjithashtu se nuk ka nevojë për panik, por për vigjilencë të shtuar.
“Dhe çdo ambasadë që nxjerr një njoftim për shtyp e ka për qytetarët e saj, por duhet të mbajë përgjegjësi përsa i përket riskut apo panikut që mund të përhapet nga kjo deklaratë. Qytetarët shqiptarë duhet të jenë të kujdesshëm, të ndjekin vetëm udhëzimet e ministristrisë së Brendshme dhe të mos bien pre e thashethemnajës së rrjeteve sociale. Rrjetet po përhapin panik. Unë mendoj se nuk ka nevojë për panik. Duhet të jemi vigjilentë, por jo të përhapim panik”, tha mes të tjerash Gjoni.
Komente












