Kampi i Tepelenës,një dëshmi e të vërtetave të dhimbshme

Kampi i Tepelenës,një dëshmi e të vërtetave të dhimbshme
Kampet, si ky i Tepelenës, janë një dëshmi e të vërtetave të dhimbshme nga e kaluara komuniste e Shqipërisë: shpërngulje, internime, punë e detyruar, tortura dhe vrasje të njerëzve të panumërt. Sot, jemi këtu për të kujtuar vuajtjet e personave që, me përdhunë, u sollën këtu.
 
Po ashtu, kemi detyrimin të kujtojmë edhe rreth 6 000 njerëz të varrosur në varre pa emër, në mbarë Shqipërinë, gjatë periudhës komuniste. Është e rëndësishme që të gjenden këta persona të zhdukur dhe të përpiqemi të zbulojmë të vërtetën e plotë, si për hir të familjarëve të tyre, ashtu edhe për shoqërinë në tërësi.
 
Shqiptarët, por sidomos familjet e të vrarëve apo të të zhdukurve, kanë të drejtën të dinë se çfarë ndodhi. Shoqëria ka nevojë të dëgjojë historitë e të mbijetuarve dhe të perceptojë qartë përmasat e dhunës të regjimit të atëhershëm. Kurdo që është e mundur, familjarëve u duhet treguar e gjithë e vërteta, që të mbajnë zi, të nderojnë dhe të përkujtojnë të dashurit e tyre në paqe. Edhe qytetarëve u duhet krijuar bindja se autoritetet po punojnë aktivisht për të hedhur dritë mbi ato dhunime dhe për të mos lejuar përsëritjen e tyre.
 
Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Humbur, që ka bërë punë të shkëlqyer në gjetjen dhe identifikimin e të humburve në Bosnjë dhe jo vetëm, vendosi kontaktet e para me autoritetet shqiptare në vitin 2010, që u pasuan me një vizitë monitorimi një vit më pas. Ne nxitim fuqimisht autoritetet shqiptare që të punojnë me këtë organizatë për çështjen e personave të zhdukur. Po aq i rëndësishëm është dëgjimi dhe bashkëpunimi me familjarët e tyre, si edhe ndërgjegjësimi i publikut rreth këtij procesi.
 
Çështja e personave të zhdukur duhet të trajtohet me ndjeshmëri dhe përkushtim, si pjesë e një procesi më të gjerë për trajtimin e trashëgimisë që la regjimi komunist. Përshëndesim nismat për të shndërruar disa objekte të komunizmit në objekte përkujtimore, si “Shtëpia e Gjetheve” në Tiranë apo Burgu i Spaçit. Prezenca e OSBE-së po jep këshillim dhe ekspertizë për nismat që nxisin hapjen e drejtë dhe transparente të dosjeve të ish-Sigurimit, si edhe po mbështet dëmshpërblimin e drejtë të të përndjekurve të regjimit.
 
Prania jonë në këtë ditë në Tepelenë, na kujton se duhet të bëjmë më shumë për t’u përballuar me të kaluarën komuniste. Për këtë arsye, Prezenca e OSBE-së – me mbështetjen e qeverisë gjermane – ka shpallur nismën për të promovuar një dialog kombëtar gjithëpërfshirës se si të trajtohet e kaluara e Shqipërisë. Pikërisht për këtë temë, javën e ardhshme, do të organizojmë një veprimtari publike, së bashku me Avokatin e Popullit. Ne nxitim si institucionet shtetërore, ashtu edhe qytetarët, të ndërmarrin rol aktiv në trajtimin e së kaluarës.
 
Përballja me të kaluarën komuniste shërben për të garantuar të ardhmen demokratike të Shqipërisë. Kjo është një çështje sa shoqërore, aq edhe thellësisht personale, jo vetëm për të mbijetuarit e kampeve si ky i Tepelenës dhe për familjarët e të zhdukurve, por për të gjithë shqiptarët.

Pres me padurim diskutimet që do të zhvillojmë sot mbi mënyrat më të mira për ta çuar përpara këtë proces thelbësor.

(ROBERT WILTON- Zëvendës Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri )

 
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Fier/ Gruaja bie nga kati i shtatë, ndërron jetë

E rëndë në Fier/ Gruaja bie nga kati i shtatë, ndërron jetë