5 medalje me të pestë sportistët e përfaqësuar mori klubi i Studentit në kampionatit ballkanik të taekwondo-s, që u zhvillua më 16-17 nëntor në Bullgari. Sportistët e rinj garuan për flamurin shqiptar, duke spikatur fillimisht në kategorinë ‘Senior’ ku Tedi Likometi dhe Gledis Burba siguruan medalje të artë, ndërsa Sidorela Likometi të argjendtën.
“Ndeshjet shkuan shumë shumë mirë. Pritshmëritë i kisha për vend të parë, kampion ballkani dhe ia dola,”-u shpreh Tedi Likometi, sportist i taekwondo-s.
“Çdo stërvitje, çdo mund na u shpërblye. Ndeshjen e parë pata më shumë vështirësi, që ishte me një maqedonas, ndërsa ndeshja e dytë me një boshnjak dhe e treta me një serb,”-tha Gledis Buba, sportist i taekwondo-s.
“Pritshmëritë e mia ishin për vendin e parë pavarësisht se finalen e humba. E dyta në podium pasi munda serben në ndeshjen e parë, por humba të dytën me një rumune,”-deklaroi Sidorela Likometi, sportiste e taekwondo-s.
Në kategorinë ‘Junior’ 18-vjeçari Fatih Hoxha siguroi medaljen e bronztë.
“Normalisht synoja medaljen e arit. Megjithatë nuk ndodhi ashtu. Dola i treti në Ballkan, por pretendojmë që në evropianin që do zhvillohet në nëntor të dalim në vendin e parë,”-tha Fatih Hoxha, sportist i taekwondo-s.
Darel Marku është më i vogli i pesë sportistëve të Studentit i cili garoi në kategorinë ‘Cadet’ dhe siguroi medalje të bronztë, por megjithatë ai ka ëndrra të mëdha.
“Kam rreth 4 vite që merrem me taewkondo, por duke vazhduar të bëj stërvitje fort mendoj se mund të arrij medalje në Lojërat Olimpike,”-deklaroi Darel Marku, sportist i taekwondo-s.
Ndonëse 5 sportistë sollën 5 medalje te klubi Studenti pritshmëritë ishin më të mëdha.
“Morëm pjesë jo me një numër të madh sportistësh nga klubi, por kemi përqendruar te disa talente, nga të cilët kemi qenë të sigurt se do merrnin rezultate të larta. Pritshmëritë ishin për më shumë medalje ari, por ndonjëherë fati ti sjell gjërat jo ashtu siç dëshiron,”-u shpreh Julian Caca, trajner i ‘Studentit.
Në kampionatin ballkanik të zhvilluar në Dupnica të Bullgarisë morën pjesë rreth 700 sportistë.
Komente










