Kampionët përpos vendit të parë këtë edicion vendosën edhe ekipin që do të marrë pjesë në Evropa League, pasi me humbjen që i lejuan vetes përballë Laçit i dërguan këta të fundit automatikisht në Evropë.
Evropa
Ndeshja e shumë pritur në Korçë për vendasit për festën dhe për të huajt për rezultatin përfundoi me rezultatin 1-2. Ndeshjet e fundit të kampionatit do të mbeten në memorien e tifozëve për humbjen në Korçë dhe për bojkotin e Besës ndaj Tiranës.
Ashtu sikur ishte paralajmëruar edhe nga kapiteni edhe trajneri i Skënderbeut ekipi nuk do të kishte si qëllim pikët përballë Laçit, pasi mendja ishte te festa, por lëshimi la me duart bosh ekipin e Partizanit, teksa edhe pse e kishte siguruar titullin në ndeshjen me të kuqtë para dy javësh ishte tejet i motivuar duke i mundur në Tiranë.
Ndërkohë që Teuta arriti të fitonte me ekipin e Vllaznisë me rezultatin 1-3 në Shkodër duke u barazuar me të njëjtën kuotë pikësh me Laçin, por bardhezinjtë siguruan Evropën falë ndeshjes direkte. Vllaznia shënoi fillimisht me Krujën, por Jakupi, Xhafaj dhe Samb i dhanë fitoren Teutës.
Ndërsa Partizani e nisi me disavantazhin 2-0 pas dy golave të Cankës, por ‘karremin’ nuk e hëngri Laçi duke detyruar të kuqtë të shënonin 4 gola me Nexhipin 2 herë, Krasniqin dhe Vatnikajn për të marrë tre pikët për statistika. Ndërsa Flamurtari fitoi me lehtësi në Krujë 1-3 me golat e Abilaliajt dy herë dhe Licajt, ndërsa për vendasit shënoi Manuka.
Rënia
Besa nuk pranoi të zbriste në fushë përballë Tiranës, pasi sipas presidentit Bizhdili gjithçka ishte e fiksuar në kurriz të tyre. Bardheblutë me stadiumin plot pritën për 45’ minuta.
Pas respektimit të procedurës me pritjen prej 45 minutash skuadra e Tiranës dhe gjyqtarët zbritën në fushë, për të formalizuar gjithçka me topin e parë të nisur nga Elvis Sina në ditën e lamtumirës, menjëherë më pas gjyqtari kryesor i takimit shënoi sinjalizimin e mbylljes së ndeshjes, e cila përfundon me fitoren 3-0 në tavolinë të Tiranës, ndërsa Besa rrezikon që penalizmin për bojkotin e ndeshjes ta marrë me vete edhe në Kategorinë e Parë. Besës një kategori më poshtë iu bashkuan edhe Kastrioti, Bylisi dhe Lushnja.
d.b/shqiptarja.com
