Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në prezantimin e programit për konkursin ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë. Kampusi i ri do të jetë një riorganizim i godinave të drejtësisë si domosdoshmëri për mbështetjen e mëtejshme të pushtetit gjyqësor.

Rama tha se ky është financimi më i madh dhe tha se ndërsa drejtësia bën punën e saj, detyra e qeverisë është që ta mbështesë sistemin.

“Është padiskutim financimi më i madh që mund të jetë bërë ndonjëherë për infrastrukturën administrative. Sot janë krijuar mundësitë dhe janë përmbushur edhe një sërë arsyesh për ta bërë këtë sepse jemi në një proces kur pas një reforme shumë rrënjësore në drejtësi, duhet të vazhdojmë të bëjmë detyrat. Ndërkohë që detyrat tuaja i dini dhe bëni ju, detyra jonë është që të vazhdojmë ta mbështesim sistemin që ai të funksionojë me kushtet dhe standardet më të larta. Këtë nuk mund ta themi sot duke marrë parasysh kushtet ku punojnë gjykatësit, prokurorët dhe sa mbrapa është sistemi në aspektin e teknologjisë”,  tha Rama.

Duke u ndalur te zhvillimi i sistemit teknologjik, Rama tha se deri më tani ka ekzistuar një ngërç lidhur me të, i cili s’mund të jetë plotësisht i pavarur për shkak të ndërveprimit të nevojshëm me institucionet e tjera.

“Kemi pasur një vonesë katastrofike me menaxhimin e çështjeve gjyqësore sepse nuk merrnim dot vesh si duhet bërë qasja ndaj sistemit. Nuk mundet dot që në emër të pavarësisë së sistemit të drejtësisë, të ndërtohet një sistem i pavarur plotësisht sepse nuk flet dot me sistemet e tjera dhe të gjitha të dhënat që i duhen nuk i proceson dot. Duket qesharake, por për këtë konflikt u dogjën vite dhe fonde. Këtu një rol të rëndësishëm ka qeveria e gjyqësorit, por në ndërveprimin tërësor është yni. Kjo është shumë e rëndësishme që ky projekt që kemi të funksionojë edhe nga kjo pikëpamje. Procesi ka rreth 6 muaj që ka filluar dhe është i ndërtuar në marrjen e informacionit të drejtpërdrejtë nga përfaqësuesit e të gjithë institucioneve për të vënë para nesh të gjitha nevojat”, shpjegoi kryeministri.

Hapi pasardhës do të jetë një tur i dytë për rishikimin e planit që më pas do të kalojë në konkurs përfundimtar. Rama tha se projekti do të kërkojë shpronësim dhe gjykatësit s’duhet të tregohen shumë ‘dorëlëshuar’ me trajtimin e tyre. Në fund, kryeministri e përmbylli me një batutë pas debateve me gjyqtarët për pagat dhe njëkohësisht, mbingarkimin me të paraburgosur.

“Është një hapësirë që do të kërkojë shpronësim për interes publik. Shpresoj që gjykatësit që do të trajtojnë shpronësimet shpresoj mos t’i japin dorës se në fund të fundit janë të njëjtat para që kërkohen për të rritur pagat. Nuk janë shumë arka të shtetit, është një arkë e vetme. Sot ne kemi krijuar disa mundësi që nuk i kishim. Është bërë një investim i jashtëzakonshëm. Është shumë i madh si financim për ta bërë atë vend ku çdo prokuror e gjykatës kur të hyjë të ndihet njeriu më i nderuar i kësaj republike, qoftë edhe kur sheh muret. Për ne është një përpjekje që nuk ndalet dhe nuk kthehet mbrapa, pavarësisht surprizave që na bëni herë pas here, por janë pjesë e jetës, rritjes së një sistemi të ri që kërkon kohën e vet. Ky është rasti që ne të gjithë tani të shkojmë në paraburgim për shpërdorim detyre”, përmbylli Rama.

Lajm ne perditesim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:22
Rama batuta gjatë prezantimit të programit për konkursin ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë: Jemi si ndërtime gjysmë pa leje dhe gjysmë me leje (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të programit për konkursin ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë teksa vuri në dukje disa problematika në këtë sektor, nuk i kurseu as batutat.

“Është e qartë panorama e këtij rrugëtimi që kemi vendosur për t’i dhënë Shqipërisë një qendër e re drejtësie që të garantojë të gjitha kushtet dhe standardet për atë që punojnë aty. Po të kesh parasysh se në ça ndërtesash jemi formuar ne, jemi si ndërtime gjysmë pa leje dhe gjysmë me leje.

Është e rëndësishme që të bëjmë diçka që t’i rezistojë kohërave. Për fat të keq trashëgimia në këtë pjesë është goxha problemtike për të gjithë vetëm për sistemin e drejtësisë. Ne sot kemi një numër të konsiderueshëm institucionesh që janë qiramarrës në godina dhe hapësira private. Kemi nisur një proces që do të na çojë në zgjidhje përfundimtare me korporatën e investimeve duke marrë të gjitha pronat shtetërore dhe duke i vënë në dispozicion të këtij interesi publik.

Nuk ka asnjë shitje apo dorëzim të një copëze në favor të investitorëve privatë në Tiranë, por kërkojnë që shteti, njësoj si pronarët privatë, të përfitojë nga ato. Kemi disa projekte që janë drejt finalizimit të kontratave për të përfituar disa zyra dhe sipërfaqe. Për qendrën e re të drejtësisë mendoj se është më ndryshe. Sistemi duhet të funksionojë me kushtet dhe standardet më të larta. Ishim në një situatë të rëndë, ku çdo institucion bënte modelet e veta, sistemin e vetë”, tha Rama.

Ora 11:20
Projekti i Kampusit, Lamallari: Ta vendosim drejtësinë shqiptare në nivel europian

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari ishte i pranishëm në prezantimin e programit për konkursin ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë.

Gjatë fjalës së tij Lamallari u shpreh se kampusi i drejtësisë është sipërmarrja më e stofistikuar arkitekturore dhe inxhinierike e realizuar ndonjëherë nga qeveria shqiptare.

 “Sot është një ditë e veçantë që shënon momentin shpalosjes së vizionit të qeverisë shqiptare mbi të ardhmen e afërt arkitkturore dhe funksionale të infrastruturës gjyqësore në vend. Kampusi i drejtësisë është sipërmarrja më e stofistikuar arkitekturore dhe inxhinierike e realizuar ndonjëherë. Reforma në drejtësi ishte dhe mbetet programi më vizionar i kryeministrit dhe qeverisë shqiptare”, tha Lamallari.

Më tej ai vuri në dukje se pavarësia e gjyqësorit nuk mund të kuptohet pa llogaridhënie.

"Pavarësia nuk mund të kuptohet pa llogaridhënie. Përgjegjshmëria dhe efektiveti janë parakushtet e një sistemi nuk janë thjesht porta hyrëse në një sistem. Një sistem gjyqësor është po aq i pavarur sa i drejtë, këto janë parimet e një sistemi. Të mos presim pa fund për një vendim që prek jetën apo pronën e tjetrit. Detyra jonë është të kthejmë pritshmërinë e qytetarëve në realitet.

Drejtësia nuk është vetëm për këtë mandat apo për këtë brez, është për Shqipërinë që duam të lëmë pas. Të vazhdojmë të reformojmë, për ta vendosur drejtësinë shqiptare në nivel europian dhe për këtë angazhimi ynë mbetet i palëkundur”, shtoi Lamallari.