Kanadaja dhe Franca kanë hapur konsullata diplomatike në kryeqytetin e Groenlandës, duke treguar mbështetje për aleatin e tyre të NATO-s, Danimarkën, dhe për ishullin arktik, pas përpjekjeve të SHBA-ve për të siguruar kontrollin mbi territorin gjysmë-autonom danez.
Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Anita Anand, po udhëtonte drejt Nuukut për të inauguruar konsullatën, e cila, sipas zyrtarëve, mund të ndihmojë gjithashtu në rritjen e bashkëpunimit për çështje si kriza klimatike dhe të drejtat e inuitëve. Ajo u shoqërua nga guvernatorja e përgjithshme indigjene e Kanadasë, Mary Simon.
Ministria e Jashtme e Francës njoftoi se Jean-Noël Poirier do të marrë detyrën si konsull i përgjithshëm i vendit, duke e bërë Francën vendin e parë të Bashkimit Europian që hap një konsullatë të përgjithshme në Grenlandë.
Poirier do të jetë “i ngarkuar me thellimin e projekteve ekzistuese të bashkëpunimit me Grenlandën në fushat kulturore, shkencore dhe ekonomike, si dhe me forcimin e lidhjeve politike me autoritetet lokale”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Kanadaja kishte premtuar hapjen e një konsullate në Groenlandë në vitin 2024, përpara deklaratave të fundit të Trump për një marrje kontrolli dhe inaugurimi zyrtar ishte shtyrë nga nëntori për shkak të motit të keq.
Anand u takua të enjten me homologun e saj danez, Lars Løkke Rasmussen, në Danimarkë dhe shkroi në rrjetet sociale se “si kombe arktike, Kanadaja dhe Mbretëria e Danimarkës po punojnë së bashku për të forcuar stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin në të gjithë rajonin”.
Franca thotë se vendimi për të hapur përfaqësinë e saj diplomatike u mor gjatë vizitës së presidentit Emmanuel Macron në qershor.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi në janar se do të vendoste tarifa të reja ndaj Danimarkës dhe shtatë vendeve të tjera evropiane që kundërshtuan thirrjet e tij për një marrje kontrolli të Grenlandës nga SHBA-ja, por më pas i tërhoqi papritur kërcënimet, duke thënë se ishte arritur një “kuadër” marrëveshjeje për qasjen në territorin e pasur me minerale, me ndihmën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Pak detaje për këtë marrëveshje janë bërë publike.
Javën e kaluar nisën bisedime teknike mes SHBA-së, Danimarkës dhe Grenlandës për hartimin e një marrëveshjeje sigurie për Arktikun. Ministrat e Jashtëm të Danimarkës dhe Grenlandës kishin rënë dakord të krijonin një grup pune gjatë një takimi me zëvendëspresidentin amerikan, JD Vance, dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, përpara se Trump të shpallte kërcënimet me tarifa.
Komente









