Kanceri i gjirit, Sallaku: 7 mijë
raste të reja, 2500 vetëm në Tiranë 

Kanceri i gjirit, Sallaku: 7 mijë<br />raste të reja, 2500 vetëm në Tiranë 
TIRANE- 7000 mijë raste të reja zbulohen çdo vit si të prekura nga kanceri i gjirit tek gratë dhe nënat shqiptare, ku vetëm në kryeqytet, janë 2500 prej këtyre rasteve. Kjo është shifra alarmante që vjen nga Organizata Ndërkombëtare për Kancerin me qendër në Lion, shifra të cilat tregojnë trendin në rritje të kësaj sëmundje që po rrezikon çdo ditë dhe më shumë jetën e grave dhe nënave shqiptare në vend.
 
“Sipas të dhënave ndërkombëtare të Institutit për Kancerin në Lion ne llogaritemi në rreth 7000 raste të reja me kancer në vit, llogarisni që një e treta praktikisht i përket Tiranës. Në regjistrin ndërspitalor ne shkojmë në nivelet e 4500 - 5000 rasteve, pra ka një disnivel të rëndësishëm dhe pikërisht regjistri i kancerit do të bëjë që të japi numrin e saktë të njerëzve që sëmuren çdo vit”, thotë mjeku Agim Sallaku.
 
Por pse një shifër e tillë në Shqipëri? Shefi i Shërbimit Onkologjik në QSUT, Agim Sallaku, në një interviste për “A1 Report”, tregon se gratë dhe nënat shqiptare, ende nuk e kanë kulturën shëndetësore që t’i drejtohen mjekut për çdo problem shëndetësor që kanë, ndërsa në rastin konkret, ekzaminimet janë në fazë minimale. Kujdesi për të kapur që në fazat fillestare kancerin e gjirit është i ulët dhe kjo për disa arsye, kryesorja nga të cilat duket se është jo mungesa e informacionit, por zbatueshmëria e saj nga gratë shqiptare.
 
“Gratë duhet të kuptojnë fare qartë që sot nuk është më frika të shkohet te mjeku që mos më zbulojë një sëmundje të keqe, duhet të shkojnë sa më herët të jetë e mundur, për çdo problem që ata kuptojnë në trupin e tyre sepse kjo është baras me shpëtim jete”, thotë mjeku Sallaku.
 
Tetori, muaji kundër kancerit të gjirit, duhet të shërbejë si periudhë sensibilizuese për gratë dhe nënat shqiptare, për ekzaminimin dhe kapjen që në fazat fillestare të kancerit të gjirit tek to. Shtimi i rasteve çdo vit e bën të pamundur përballimin e shërbimit të Onkologjikut në Tiranë, por doktori shprehet se shumë shpejt ky shërbim do të ofrohet edhe në spitalet rajonale.
 
“Shërbimi i onkologjisë prej shumë kohësh është bërë një strukturë shumë e vogël për të mbuluar gjithë këtë fluks. Është krijuar një strategji kombëtare për kancerin dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë shumë shpejt do krijohen dhe struktura të tjera, bëhet fjalë këtë vit në Durrës vitin tjetër në Shkodër dhe në qytetet e tjera kryesore brenda strukturave spitalore rajonale do krijohen sektorët e onkologjisë”, vijoi mjeku Sallaku.
 
Pritet që në gjithë muajin tetor një sërë aktivitetesh të sensibilizojnë të gjithë gratë shqiptare për kujdesin që duhet të tregojnë për trupin e tyre.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024