Kanceri i Gjirit, Veronesi: Çfarë
mund të bëni për gruan shqiptare

Kanceri i Gjirit, Veronesi: Çfarë<br />mund të bëni për gruan shqiptare
Janë disa sëmundje të cilat deri në momentin që nuk vijnë afër, i dëgjon me indiferentizëm dhe pa emocion. Kur prek dy histori të ngjashme, por me një zhvillim plotësisht të kundërt dhe kur kupton se fati i njerëzve është i lidhur ngushtë me politikat dhe me shkencëtarët e duhur që një vend prodhon dhe stimulon, atëherë mendoj se kushdo duhet të bëjë maksimumin. Duhet të kontribuojë, të bëjë diçka, cilësdo fushë i takon. Historia e Anës (nuk është emri i vërtetë, por historia e vërtetë e një mikeshës time italiane) dhe historia e Verës (nuk është emri i vërtetë, por historia e vërtetë dhe mikja ime shqiptare) bashkohen, por dhe ndahen në një mënyrë dramatike. Afërsisht e njëjta moshë: mbi 40 dhe 42 vjeçe. E njëjta sëmundje: kanceri i gjirit. Por perspektiva të ndryshme. Ana arriti ta zbulojë shumë shpejt falë një kontrolli rutinë, të përvitshëm, në një nga qendrat italiane të screening. E zbuloi kur gjëndra në gjoksin e djathtë ishte më e vogël se 1 centimetër. Vera jo. Zbulimin e bëri tepër vonë: një masë tumorale më e madhe se 4 centimetra ishte fshehur në gjirin e saj, duke prekur me metastaza dhe organe të tjera të trupit. Nuk kishte bërë asnjëherë, asnjë kontroll më parë. Asnjë mamografi. Asnjë ekografi. Ndjehej e fortë dhe e shëndetshme. Çdo gjë do të ndryshonte për Verën nëse, si Ana, do të bënte kontrollet rutinë. Në Itali i bëjnë të gjithë vajzat e gratë.
Fqinji ynë përtej Adriatikut sot është një nga vendet e para në Evropë për nivelin e lartë të mbijetesës pas sëmundjes së kancerit të gjirit. Por për të arritur këtë në Itali është dashur shumë punë, shumë insistim dhe një shkencëtar si Profesor Umberto Veronesi, që jetën e tij ja ka dedikuar pikërisht kësaj sëmundjeje duke arritur rezultate të mrekullueshme në shërimin e shumë pacientëve. Instituti kërkimor ku ai operon IEO në Milano, është një nga qendrat ekselente të kurimit të tumoreve.
Në këtë intervistë eksluzive për Shqiptarja.com, profesor Veronesi, por dhe dy kirurgë të tjerë dhe kolegë të tij, Alberto Luini drejtor i Departamentit të Senologjisë dhe Stefano Martella zv/Drejtor i Departamentit të kirurgjisë Plastike dhe Rindërtuese, rrëfejnë se si një vend si Italia ka mundur të bëjë shumë për gruan e prekur nga kjo sëmundje e rëndë. Nuk ka qenë e lehtë dhe në vendin fqinj. Dhjetëra vite "luftë" me mentalitetin dhe me paragjykime, por sot është bërë shumë kundër këtij vrasësi të madh të gruas që sipas Profesor Veronesit, "nuk është më aq i frikshëm". A do të arrijë dhe Shqipëria të bëjë diçka në ndihmë të gruas së sëmurë? Vitet e fundit po bëhen disa hapa, por mbetet për t'u bërë ende shumë. Shumë. Tetori është muaji i fjongos rozë, i kontrolleve dhe diagnostikimit të parakohshëm. Ne të mediave kemi në dorë të bëjmë këtë: të shkruajmë, të flasim, të sensibilizojmë e t'u japim zë më të mirëve në këtë fushë.

Profesor Veronesi, falë shkencëtarëve si ju historia e kancerit të gjirit ka ndryshuar. Vrasësi më i madh i grave në botën perëndimore, tani është më pak i frikshëm. Se e vështirë ka qenë lufta për të arritur deri këtu dhe si e shihni ju perspektivën e kësaj sëmundjeje të rëndë?

Çdo projekt i madh ka brenda disa vështirësi, është normale. Ideja ime primare ka qenë gjithnjë përmirësimi i prespektivave të kurimit të tumorit duke i kushtuar vëmendje absolute cilësisë së jetës së njerëzve. Duhet të mjekohet personi, jo vetëm sëmundja: për këtë ideova dhe studiova kuadrantektominë dhe të gjithë përballjet konservuese për tumorin e gjirit. Pikërisht për këtë arsye, i jam përkushtuar kaq shumë dhe informimit të gruas mbi kurat dhe diagnostikimin e parakohshëm. Kisha nevojë për bashkëpunimin e grave, për ndërgjegjësimin e tyre. Nuk është asnjëherë e lehtë të modifikosh kulturën e një populli, veçanërisht ta bësh të ndjeshme në domosdoshmërinë për të bërë diagnostikim të parakohshëm duke kapërcyer barriera paragjykimi dhe turpi, por ja vlen, pasi rezultati është shpëtimi i shumë jetëve. Sëmundja tumorale është akoma e vështirë, komplekse, kërkimi shkencor ecën përpara sepse duhen bërë akoma shumë hapa dhe ka ende shumë nevoja.

Cilat janë terapitë e reja në horizont? Kemio vazhdon të jetë një terapi-çelës apo ka të reja më pak të rënda?

Kemioterapia është një nga kurat bashkë me kirurgjinë (që është absolutisht thelbësore), me terapitë farmakologjike të gjeneratës së fundit (si ilaçet receptorë dhe terapitë endokrine) dhe me radioterapinë. Nuk do ta përkufizoja kemioterapinë si terapi-çelës: e them me shumë respekt për këtë terapi, por edhe me bindjen se në kancerin e gjirit kombinimi i kirurgjisë me forma të tjera mjekimi është çelësi i vërtetë. Terapitë për kancerin e gjirit njësojnë bashkë specializime dhe teknika të ndryshme për të synuar trajtimin e një personi me veçantinë e sëmundjes përkatëse. Të personalizosh sëmundjen është thelbësore.

Gratë shqiptare po përballen vitet e fundit me një shtim, për fat të keq në rritje të vazhdueshme të kancerit të gjirit, që zbulohet në faza të avancuara. Harta e kësaj sëmundjeje është më e dendur në vende të zhvilluara si në Amerikë, Europë: Çfarë nuk funksionon në filozofinë tonë të jetës?

Stili i jetës ka një impakt të rëndësishëm në mundësinë për t'u sëmurur ose për të qenë i shëndetshëm. Ushqimi, për shembull, tymi i duhanit, aktiviteti fizik: të gjitha gjëra që e dimë se janë të lidhura me mirëqënien tonë, por që jo gjithnjë jemi në gjendje t'i shndërrojmë në dobinë tonë. Jo se ka një garanci absolute që stili i jetës na ruan nga sëmundjet, por me siguri të aplikosh normat e buonsensit dhe të parandalimit është një ndihmë e madhe.
Shumë paciente që janë kuruar në Institutin tuaj, dëshmojnë me kënaqësi se nuk kanë ndjerë dhimbje. Ju jeni një mjek që keni bërë shumë për të luftuar dhimbjen edhe në pacientë të prekur rëndë si dhe për të përqendruar disa ndërhyrje në një seancë të vetme. Përse është e vështirë të gjesh të njëjtin mentalitet edhe në spitale të tjera në botë, por edhe në Itali?

Për shumë kohë është menduar se dhimbja kishte një domethënie katarsisi, pastruese, shpëtuese. Pra, një domethënie pozitive. Shkolla fetare dhe filozofike predikonin që dhimbja të konsiderohej si pjesë e domosdoshme e sëmundjes. Kjo nuk është e vërtetë, dhimbja nuk ka një vlerë pozitive, ndaj duhet luftuar dhe hequr. Kush është i sëmurë, nuk duhet të ndjejë dhimbje, ta lesh dhimbjen do të thotë të heqësh dorë nga një mision preciz që ka mjeku: përkujdesja ndaj një individi deri në fund, duke pasur për zemër mirëqënien e tij. Të heqësh dhimbjen është e mundur dhe duhet bërë.
Nuk lodheni asnjëherë duke iu përsëritur italianëve të ruajnë një regjim të shëndetshëm ushqimi. Ju vetë jeni vegjetarian. Në vendin tim konsumohet shumë mish. Në Shqipëri ka një rritje të statistikave të kancerit të mushkërive, gjirit etj. Sa ndikon ushqimi jo korrekt dhe sa ndotja në modifikimin e celulave?

Tumori në mushkëri njeh një shkaktar kryesor që është tymi i duhanit. Pirja e duhanit është një problem social gjigand dhe dramatik. Në gjenëzën e të gjithë tumoreve stili i jetës ka një rol të një farë niveli (edhe pse jo i vetmi). Ushqimi jo korrekt është dëm për trupin, jo vetëm sepse ekspozon më shumë ndaj rrezikut tumoral, por edhe ndaj sëmundjeve të tjera të rënda dhe vdekjeprurëse siç janë ato kardiovaskulare dhe diabeti.
Ushqim i shëndetshëm do të thotë ushqim që ndjek diktatin e shkencës, me të paktën pesë porcione në ditë perime dhe fruta dhe me vegjetalët si burim kryesor ushqimi, pa superalkoolikë dhe sheqer fin dhe me shumë pak yndyrna shtazore. Të qënit vegjetarian për mua nuk ka të bëjë me shëndetin, por mbi të gjitha me një zgjedhje etike: është respekti për jetën, për çdo formë jete, por edhe ndërgjegjësimi se të hash mish përkeqëson gjendjen e planetit dhe rëndon drama si uria në botë.
Çështja e ndotjes është pak më e komplikuar. Sigurisht, disa zona veçanërisht të ndotura mund të krijojnë probleme reale sëmundjesh, por nuk më pëlqen të drejtoj gishtin përgjithësisht tek ndotja, si të ishte një çështje e lehtë. Nuk është aspak e lehtë. Të respektosh mjedisin ka pasoja në shëndet, është e qartë, por zgjidhjet për problemet tona mjedisore nuk janë të lehta.
Shumë do të donin që ju të merrnit çmimin Nobel, falë një jete dedikuar përmirësimit të cilësisë së jetës të pacientëve të prekur nga kanceri. Kush ju njeh nga afër dëshmon se veç shkencës, ju keni besim dhe te dashuria dhe te një buzëqeshje e bukur për të mposhtur këtë të keqe.

Dashuria është energjia më e fuqishme në absolut. Eshtë arsyeja për të jetuar, për të menduar, për të vepruar. Nuk operohet kurrë vetëm në një trup, por në një qënie që ka mendje, emocione, dëshira, ndjenja, shpresa. Çdo gjë është pjesë e jetës dhe e mbijetesës në rast sëmundjeje. Si mjek kam dashur gjithmonë të kujdesem për personin në total dhe këtë u kam mësuar dhe bashkëpunëtorëve të mi.

Çfarë do t'u thonit shumë të rejave shqiptare që sot po përballen me kancerin e gjirit, zbuluar fatkeqësisht në fazë të avancuar? Çfarë mund të bëhet që edhe në Shqipëri, siç ka ndodhur në Itali, diagnostikimi i parakohshëm të shndërrohet në një kulturë jete?

Të studiohet situata, të mos improvizohet, por të njihet mirë dhe nëse është e mundur, të ndiqen këshillat e atyre që janë më përpara në fushën e diagnostikimit të hershëm dhe komunikimit. Sigurisht, pa humbur karakteristikat specifike të kulturës.
(Shkrimi u publikua më 20 shtator 2012 ne suplementin ALMEDICUS, te Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete