Kreu i PS është përpjekur që në të gjitha qarqet listat të kryesohen nga anëtarë të kryesisë për të pasur një përfaqësim në nivelin më të lartë politik në gjithë qarqet përballë kryesuesve të listave PD të cilët kanë dhe ata në krye të listës së kandidatëve për deputetë një anëtar kryesie dhe figurë qendrore partiake.
Kryesuesi i listave të kandidatëve për deputetë në secilin qark do të ketë dhe detyrën e vështirë të drejtimit të shtabeve elektorale dhe të gjithë punës së partisë me elektoratin, pra fushatën elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit të këtij viti.
Kështu në qarkun e Lezhës ka marrë fund dilema për zgjedhjen e kryesuesit të listës së kandidatëve për deputetë, pasi është përcaktuar përfundimisht anëtarja e kryesisë së PS Mimi Kodheli, aktualisht deputete e qarkut të Korçës por shumë e përfolur për të qenë kandidate dhe në qarkun e Durrësit.
Ndërsa dy ditët e fundit kreu i PS e ka caktuar përfundimisht të kryesojë listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Lezhës, ku aktualisht deputetë janë Gjovalin Kadeli, Armando Prenga e Ndrecë Deda. Ndërkohë në qarkun e Kukësit është fiksuar përfundimisht treshja e parë e listës së kandidatëve për deputetë, ku lista udhëhiqet nga ish-prokurori Vexhi Muçmata, i ndjekur nga Vladimir Elezi dhe Ram Hoxha.
Kreu socialist ka filluar herët fiksimin e disa prej kandidatëve potencialë për deputetë, duke tentuar të shmangë debatet, që janë të zakonshme në gjirin e socialistëve. Ndryshe nga Berisha që i lë në momentet e fundit, për shkak se vepron me dorë të hekurt në PD, Rama ka bërë deri më tani prezantimin vetëm të prurjeve të reja dhe tek tuk ka bërë dhe ndonjë fiksim të kryesuesve të listës së kandidatëve për deputetë nëpër qarqe.
Pas prezantimit të ish-gazetarit të njohur Alfred Peza në qarkun e Elbasanit, prokurorin e njohur Vexhi Muçmata në qarkun e Kukësit, ish-kreun e KQZ Ilirian Celibashi në qarkun e Fierit, por dhe fiksimin e Mimi Kodhelit në krye të listës në qarkun e Lezhës, me sa duket janë fiksuar dhe kandidatët në qarkun e Gjirokastrës.
Kështu listën e kandidatëve në këtë qark e udhëheq anëtarja e kryesisë dhe e deleguara në këtë qark Arta Dade, e ndjekur nga sekretari për sipërmarrjen në PS Arben Ahmetaj dhe ish-ministri i Financave Anastas Angjeli. Duke i dhënë fund të gjitha hamendjeve për këtë qark të rëndësishëm në jug të vendit.
Njëherësh kryesimi i listave të qarqeve për PS me sa duket me pak ndryshime është konturuar, duke qënë se në Fier vijon të jetë në krye Gramoz Ruçi, në Vlorë Valentina Leskaj, në Durrës Blendi Klosi, në Elbasan Ben Blushi, në Korçe Pandeli Majko, në Tiranë kuptohet vetë kreu i PS Edi Rama, ndërsa në Berat Erjon Braçe dhe në Shkodër Ilir Beqja. Ky është formatimi më i ri i drejtimit të listave të kandidatëve për deputetë të PS, ku në krye të tyre në të gjitha qarqet është ruajtur formula e anëtarëve të kryesisë.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.03.2013
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)