Investimi kolosal që pritet të bëjë në ishullin e Sazanit dhëndri i ish presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave prestigjoze si “Reuters”.

Media amerikane i ka kushtuar një artikull të posaçëm investimit që do kryejë Kushner në jug të Shqipërisë, duke renditur disa pikëpyetje të ngritura në lidhje me ndikim që mund të ketë në mjedis ky projekt por edhe benefitet e shumta që sjell për popullsinë e Vlorës dhe jo vetëm.

Fillimisht “Reuters” ka sjellë shqetësimin e banorëve të zonës të cilët frikësohen se investimi mund të dëmtojë biodiversitetin në ishull dhe më tej.

“Projektet mund të nxisin ekonomitë lokale duke tërhequr vizitorët, por ato janë përballur me kundërshtimin e atyre që kanë frikë se do të dëmtojnë mjedisin ose, në rastin e Beogradit, do të kërcënojnë vendet me rëndësi kulturore”,- shkruan “Reuters”.

Por, artikulli vë në pah dhe optimizmin e banorëve dhe drejtuesve të institucioneve së ky investim do të ketë një impakt shumë pozitiv në ekonomi duke e rritur ndjeshëm atë.

“Planet e Kushnerit, të cilat vendasit i quajnë “vilat e Trump”, tashmë po bëjnë bujë. Agjenti i pasurive të paluajtshme Flori Brahimaj tha se çmimet për apartamentet me një pamje të mundshme mbi truallin e planifikuar të projektit tashmë janë rritur midis 100-200 euro për metër katror”,- shkruan Reuters.

Po ashtu, media amerikane ka marrë në intervistë dhe kryebashkiakun e Vlorës, Ermal Dredhën, i cili përshëndeti projektin e Kushnerit, që përfshin bankina jahtesh, pishina dhe vila ekskluzive, duke thënë se ai planifikoi ta kthejë qytetin në një "destinacion turistik të nivelit të lartë" dhe u zotua të mos dëmtojë mjedisin.

"Pa investim, si do t'i tërheqim gjithë këta njerëz që vijnë këtu dhe zgjedhin Vlorën?",- ka thënë Dredha.