Një 33-vjeçar nga Lushnja është arrestuar në Kavajë, pasi dyshohet se kanosi me pistoletë një 19-vjeçar gjatë një konflikti për motive të dobëta. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Rrogozhinë-Kavajë.
Policia i vuri prangat dhe sekuestroi armën, të cilën ai dyshohet se e kishte fshehur pranë vendit të ngjarjes. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet edhe municion luftarak i kalibrave të ndryshëm. Hetimet për rastin vijojnë.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
"Kavajë / Finalizohet operacioni i koduar “Reaction”, parandalohet përshkallëzimi i një konflikti.
Kanosi me armë zjarri pistoletë, 19-vjeçarin me të cilin u konfliktua, në fshatin Kryeluzaj, arrestohet në flagrancë 33-vjeçari.
Sekuestrohet pistoleta e dyshuar e përdorur për kanosjen, të cilën autori e kishte fshehur afër vendit të ngjarjes, si dhe municion luftarak i kalibrave të ndryshëm.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, mbrëmjen e djeshme, pasi morën informacion se një shtetas ishte kanosur me armë zjarri, gjatë një konflikti, në fshatin Kryeluzaj, organizuan menjëherë punën për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit dhe kapjen e autorit. Në kuadër të operacionit të koduar “Reaction”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi:
-A. H., 33 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kanosja”.
Ky shtetas dyshohet se mbrëmjen e djeshme, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në një subjekt, në aksin rrugor “Rrogozhinë-Kavajë”, ka kanosur me armë zjarri shtetasi D. T., 19 vjeç, banues në fshatin Kryeluzaj.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar pistoletën, të cilën 33-vjeçari e kishte fshehur afër vendit të ngjarjes, në fshatin Kryeluzaj. Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. H., u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës sasi municioni luftarak i kalibrave të ndryshëm.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme"








Komente
Komento