Artisti me ndikim global Kanye West do të performojë live në Tiranë më 11 korrik 2026, në një nga eventet më të mëdha muzikore që janë organizuar ndonjëherë në Shqipëri. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Turizmit, që ka ndarë me mediat detajet nga produksioni gjigand i standardeve më të larta botërore që do të ndodhë në kryeqytetin shqiptar.
Koncerti do të mbahet në një skenë të ndërtuar enkas, “Eagle Stadium”, në Kashar, në aksin Tiranë–Durrës, me një kapacitet prej rreth 60 mijë spektatorësh. Sipas Gonxhes, bëhet fjalë për një performancë “one-night-only”, një super-produksion i standardeve ndërkombëtare që shkon përtej një koncerti të zakonshëm.
“Tirana bëhet skena e botës: Kanye Ëest sjell një super-spektakël historik në Shqipëri. Më 11 korrik 2026, Ye (Kanye West) vjen në Shqipëri për një performancë ONE-NIGHT-ONLY që pritet të hyjë në histori. Një super-produksion i standardeve globale, një eksperiencë që shkon përtej një koncerti. Ky është një moment që vendos Shqipërinë në hartën e eventeve më të mëdha ndërkombëtare”, u shpreh ministry Gonxhja.
Organizimi i koncertit realizohet nga kompania ndërkombëtare Streetlife, në bashkëpunim me Redcloud të cilët do të mbështesin realizimin në terren të këtij eventi në Tiranë. Autoritetet e turizmit dhe të kulturës thonë se prania e West në Tiranë do të rrisë profilin ndërkombëtar të Shqipërisë përmes industrisë së eventeve dhe turizmit kulturor.
Ky aktivitet i përmasave të mëdha pritet të gjenerojë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale, duke nxitur turizmin, rritur vizibilitetin ndërkombëtar dhe krijuar mundësi të reja bashkëpunimi për profesionistët e industrive kreative dhe të eventeve në Shqipëri.
Kush është Kanye West
Kanye West është një reper, producent muzikor, sipërmarrës dhe stilist mode amerikan, i lindur në Atlanta dhe i rritur në Chicago. Artisti, i njohur sot edhe si Ye, ndryshoi ligjërisht emrin në tetor 2021, duke shpjeguar se ky emër ka një domethënie fetare për të. Ai konsiderohet një nga artistët më të suksesshëm të të gjitha kohërave, me rreth 135 milionë disqe të shitura në mbarë botën. Karriera e tij nisi fillimisht si producent në fillim të viteve 2000 për label-in Roc-A-Fella Records, ku realizoi hite për emra të njohur si Jay-Z, Ludacris dhe Alicia Keys.
Më pas, ai ndërtoi karrierën e tij solo si reper, duke publikuar albumin debutues “The College Dropout” në vitin 2004, që u prit shumë mirë nga kritika dhe publiku. Përveç muzikës, Ëest ka qenë shpesh në qendër të mediave për qëndrimet e tij të drejtpërdrejta dhe jetën personale, përfshirë marrëdhënien e tij shumë të komentuar me ish-bashkëshorten Kim Kardashian. Në botën e modës, ai ka themeluar markën Yeezy, duke bashkëpunuar me kompani të mëdha si Adidas, Nike, The Gap dhe Louis Vuitton. Ai është gjithashtu themelues i DONDA, një kompani kreative e krijuar në vitin 2012.
Komente






