Kaosi në Kuvend, Rithemelimi mbledh deputetët: Gardistët me armë në sallë, kallëzojmë në SPAK Nikollën! Garda për Report Tv: Nuk është e vërtetë

Kaosin që ka përcaktuar ‘fatin’ e disa seancave plenare javët e fundit opozita angazhohet se do ta vazhdojë. Menjëherë pas seancës së kësaj të enjteje, (2 nentor) Sali Berisha tha se asgjë nuk do t’i ndalë deri sa t’i fitojnë të drejtat, që lidhen kryesisht me komisionet hetimore. 

"Ju patë sot reagimin me forma civile të mosbindjes civile dhe një grevë të përkohshme. Protesta është grevë, grevë-protestë në parlament nga deputetët e opozitës me kërkesën e prerë të rikthimit të të drejtave të tyre kushtetuese" tha Berisha.

Edhe protagonisti i tymueseve në sallë, Erin Salianji përforcoi se ai që e quajnë mision do të vazhdojë.

Në mesditë deputetët e Berishës dhe Bardhit zhvilluan një mbledhje urgjente me grupin parlamentar pas seancës plenare. Gazment Bardhi akuzoi Nikollën se ka lejuar punonjësit e Gardës të futen të armatosur në sallën e Parlamentit dhe paralajmëroi kallëzim penal për Nikollën.

"Shprehim indinjatën për sjelljen e Nikollës e cila ka lejuar futjen në sallë pa pasur asnjë situatë të punonjësve të gardës që kanë qenë të armatosur. Me urgjencë sot PD do depozitojë kallëzim për shpërdorim detyre ndaj Nikollës që mendon se do trembë opozitën me gardistë, punonjës policie të armatosur apo do ta ndalojë opozitën të ngrejë zërin për të drejtat e veta” tha Bardhi.

Edhe ish-kryeministri Berisha deklaroi se opozita ka prova të pakontestueshme për armatosjen e Gardës brenda ambjenteve të kuvendit, kjo në kundërshtim me ligjin.

" Në mënyrë absolute kemi prova se personi, i cili fizikisht u shty dhe u kap me Ervin Salianjin kishte armë nën xhileh' tha Berisha

Për këtë pretendim të Berishës e Bardhit Report Tv pyeti në Gardën e Republikës, e cila mohoi në mënyrë absolute që ndonjë prej punonjësve të saj të kenë pasur armë brenda në sallën e seancave plenare, pasi ligji dhe rregullorja e Kuvendit e ndalon në mënyrë kategorike.

Ish kryeministri Sali Berisha e Gazment Bardhi dënuan me forcë edhe praninë e agjentëve të BKH-së në kuvend, pas përfundimit të seancës plenare.

"SKAP-i, një organizatë e vërtetë kriminale që komandohet nga Edi Rama, është sot në sallën e parlamentit. A ndodhi një krim për SKAP-in aty, më thoni, pyesni? Duke dëshmuar se është një vegël e verbër e Edi Ramës" tha Berisha 

" Ne i presim prokurorët të shkojnë në zyrën e Edi Ramës, në zyrën e ministrave, ku në mungesë të plotë transparence ndaj qytetarëve, vidhen çdo ditë miliona Euro nga buxheti i shtetit dhe të ardhurat nga qytetarët shqiptarë' tha Gazment Bardhi.

Në mbledhjen e grupit, njëzëri demokratët vendosën përshkallëzim të aksionit opozitar deri në plotësimin e kërkesave të tyre për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, shqyrtimin e nismave ligjore të propozuara si dhe ndryshim të përbërjes së anëtareve të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Në të kundërt, ata thonë se do përdorin çdo formë të mosbindjes civile brenda dhe jashtë Parlamentit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:58
Pretendimet e Rithemelimit, Garda për Report Tv: Asnjë punonjës s’ka qenë me armë në sallë

1698919113_aa6.jpeg

Rithemelimi pretendon se Garda ka qenë në seancën plenare me armë në sallë. Për këtë, Gazment Bardhi paralajmëroi se do të kallëzojnë Nikollën në SPAK për shpërdorim detyre. Por në një reagim për Report Tv, Garda thotë se ky pretendim nuk është i vërtetë dhe se në mënyrë kategorike asnjë prej punonjësve të Gardës s’ka qenë i pajisur me armë brenda në sallë.

Burime nga Garda për Report Tv thanë se pretendimi është i deputetit Edmind Spaho për gardistin që ka qenë pranë kryeparlamentares Nikolla, por që sipas Gardës ka mbajtur në dorë një dosje jeshile për të shmangur ndonjë incident.

Më pas në një reagim zyrtar për të gjithë mediat, Garda tha se është e vendosur që të ushtrojë detyrën në funksion të garantimit të ligjit.

"Ky pretendim është tërësisht i pa vërtetë. Asnjë prej punonjësve të Gardës së Republikës, siç parashikon baza ligjore në fuqi, nuk ka qenë i pajisur me armë zjarri brenda sallës ku zhvillohen punimet.   Garda e Republikës mbetet e vendosur të ushtrojë gjithë përgjegjësitë dhe detyrat e ngarkuara, në funksion të garantimit të ligjit", thuhet në reagimin e shpërndarë nga Garda më vonë për mediat. 

S.G/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, Kevin Hajrulla u qëllua nga disa plumba në bark, ndodhet në gjendje të rëndë! Flet një dëshmitar: Sapo dëgjova të shtënat u shtriva barkas

Atentati në Vlorë, Kevin Hajrulla u qëllua nga disa plumba në bark, ndodhet në gjendje të rëndë! Flet një dëshmitar: Sapo dëgjova të shtënat u shtriva barkas