Kaosi i shkaktuar nga opozita, ka kapluar jetën parlamentare në vend. Pas bllokimit të mbledhjeve të komisioneve, së fundmi aksioni opozitar kulmoi me përmbysjen e karrigeve në Kuvend dhe hedhjen e tymueseve duke bërë të pamundur vijimin e seancës plenare.
Për të diskutuar lidhur me këtë aksion të dhunshëm të ndërmarrë nga opozita, në panelin e të ftuarve në emisionin “Frontline” nga Marsela Karapanço në Report TV, ishte edhe ish-deputeti i PD Luçiano Boçi i cili u shpreh se kjo është rruga e gjetur pasi opozitës nuk i është lënë e drejta të luajë funksionin e saj si balancuese e pushtetit.
“Pjesa e përpjekjeve për eliminimin e opozitës është një skenar i gjerë. Opozita nuk ka pasur të drejtën të luajë funksionin e saj si balancuese e pushtetit. Kjo situatë ka sjellë edhe skenarë të tillë. Kërkesat që keni parashtruar ju në emision janë themelore. Por nuk janë vetëm këto. Janë një varg kërkesash mënyra sjelljesh. Edhe mënyra e votimit të projektligjeve në Kuvend pa debatuar është një mënyrë arrogante e sjelljes së qeverisë. Opozita është pamundësuar që të ketë bashkëpunimin e saj në kontributet që duhet të japë. Është kërkuar të eliminohet. Aksioni ynë në vijim do jetë më i fortë”- u shpreh ish-deputeti.
Nga ana tjetër deputeti socialist, Petro Koçi tha se situata e krijuar vjen si pasojë e nisjes së hetimit të SPAK ndaj Berishës për privatizimin e kompleksit “Partizani”. Ai tha se Berisha e kishte nuhatur prej kohësh se do të vihej nën hetim dhe prandaj po përpiqet ta kthejë në raport politik dhe jo në raport mes tij dhe drejtësisë.
“Përsa kohë opozita do mendojë se situata ndodhet është për fajt të mazhorancës, nuk ka për t’u shëruar kurrë. Do të vazhdojë në të njëjtën mënyrë duke mos i zgjidhur dot as përçarjet mes tyre. Kur u shpall Berisha non-grata, ai dhe shumë të tjerë folën për fakte që mungonin. Nëse do pyesim opinionin publik në Shqipëri, ka plot fakte që janë përmendur gjithmonë por kemi një fakt që është kthyer në akuzë direkte nga SPAK për çështjen e privatizimit të kompleksit Partizani. Kjo fabul që po ndërton opozita është si pasojë e asaj që i ndodhi Berishës. Ai e ka nuhatur prej kohësh, dhe po përpiqet ta kthejë në raport me natyrë politike. Mendoj se kjo që po ndodh është përpjekje për të transferuar krizën që ka ky individ dhe gjithë opozita në parlament"- tha Koçi.
Mes të tjerash, deputeti socialist tha se nëse opozita do të vijojë në këtë mënyrë, e ka të sigurtë rrugën drejt humbjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
Analisti Mentor Kikia tha se imazhet e sotme nga seanca plenare e parlamentit, e kthejnë pas vendin dhe shtoi se kjo duket si një strategji e mirëmenduar nga opozita për të radikalizuar situatën.
“Pamjet e karrigeve të përmbysura në parlament si të atij lokalit që është mbyllur. Është një imazh që na kthen pas dhe do doja që lufta politike të kishte çdo lloj forme por jo këtë. Ky nuk është një incident i shkurtër por strategji e paracaktuar për të vazhduar duke u radikalizuar”- u shpreh Kikia.
Sot (2 nëntor) në Kuvend, pati përshkallëzim të veprimeve të opozitës, pasi deputetët përmbysën karriget dhe përdorën tymuese duke pamundësuar vijimin normal të seancës plenare. Pas mbylljes së seancës, deputetët e opozitës paralajmëruan se do të depozitojnë një kallëzim penal në SPAK ndaj kryeparlamentares Lindita Nikolla, me pretendimin se kjo e fundit ka lejuar që punonjës së gardës të hynin të armatosur në Kuvend.
Deputeti i PS, Petro Koçi i ftuar në studion e "Frontline" ka debatuar me ish-deputetin e PD, Luçiano Boçi sa i takon aksionit të dhunshëm që opozita ka ndërmarrë në parlament dhe në komisione. Koçi tha se këtë situatë të shkaktuar, PD e ka model kryesor të sjelljes dhe se nuk ndodh për herë të parë.
Ndërsa Boçi tha se deputetët e PD janë dhunuar nga garda e Kuvendit dhe shtoi se nëse do të jetë e nevojshme opozita do ta fitojë edhe “me grushte”.
Pjesë nga debati në studio:
Petro Koçi: Ajo që përkon më shumë është kjo që PD këtë ka model kryesor të sjelljes politike. Nuk po ndodh për herë të parë.
Luçiano Boçi: Ke qenë vetë aty kur ke bërë zhurmë në parlament në 2006 dhe nuk të ka prekur njeri. Këta vendosën një gardist për deputet. Kjo është e turpshme. Garda është sjellë aty për të goditur deputetët e opozitës.
Petro Koçi: Po çfarë thua, çfarë janë këto ëndrra opozitare. Ju doni ta bëni përshesh. Doni ta bëni me grushta?
Luçiano Boçi: Nëse është nevoja edhe me grushte e fitojmë të drejtën tonë.
Petro Koçi: Kjo sjellje e opozitës shtron rrugën e mazhorancës për fitore në 2025-ën, ju vazhdoni bëni të njëjtën gjë.