Kapa, thumbat e satiristit
të viteve ’30 për deputetët

Kapa, thumbat e satiristit<br />të viteve ’30 për deputetët
Vlera e këtij autori rritet pa rreshtur po të shohim që dukuri të tilla, si korrupsioni politik e ekonomik, të cilat me penën e tij ai i ka goditur pa mëshirë, të pranishme janë në shoqërinë tonë edhe sot e këtë dite.
 
KANDIDAT PËR  DEPUTET
 
Dikur ju kam thënë popull e milet,
Se dhe un’ vendosa të dal deputet,
Se dhe un’ vendosa i dhashë karar
Veç rrogën e Shtetit tjetër gjë mos marr…
Kur t’a sjellë rasti të ketë lezet
Të mos u prish qefin, pranoj dhe ryshfet.
Andralla në paçi, punra po të kini,
Do caktonj orar në shtëpi të vini;
Në sjellçi me vete dhe ndonjë bakshish,
Frikë të mos kini se kjo nuk na prish,
Por të mos gaboni fjalë mos më thoni,
Po s’dhatë nënë -  dorë punë nuk mbaroni;
Jo se s’dua unë, po kështu është zakoni,
Ç’do mendim paguhet, këtë mos harroni,
Vetëm më jep votën pastaj mëndjen flije’
Se un’ jam pajisur me kultur’ e dije,
Dhe kam rresht dy muaj që po praktikoj
Që gishtrinjt’ e dorës shpejt e shpejt t’i çoj,
 
Çdo që t’paraqitet të di ta votoj,
Mos e dhëntë Zoti që t’a kundërshtoj.
Një ish- deputet, po më jep “privat”
Si duhet të sillem, fjalët si t’i mat,
Dhe ç’ilaç do marr të më zerë gjumi
Kur do bisedohet  moratoriumi.
Kam edhe program, s’jam sido kudo,
Por kam edhe shokët ashtu siç i do,
Kur të vijë koha ja ku le një shteg,
Ta paraqit listën cilin kam koleg.
Zanatin që zgjodha e kam me sevda,
Kush nuk ma jep votën do jet’maskara,
Dhe t’u them të drejtën, t’u kandis më mirë,
Kini koh’akoma t’a mblidhni fiqirë…
Jo me fjalë boshe, jo llafe të kota ,
Por ç’do gjë me rregull të çuditet bota,
Të çuditet bota, t’habitet mileti,
Të gjith’ të thëresin: “ rroftë deputeti”.

 
 
Autori i satirës së sipërme është KAPA (Kristaq Cepa), i njohur për veprën e tij  demaskuese të shumë dukurive të shëmtuara që viheshin re në shoqërinë shqiptare të viteve 1930. Ka qenë mik i përheshëm te “Bota e Re” në faqet e së cilës derdhi pa kursim, me mjeshtëri të lartë gjithë zemërimin e mbledhur, duke u bërë shembull i papajtueshmërisë me regjimin politik të kohës.

Kritikat e shumta kur bëheshin nëpërmjet një forme të lartë artistike – si satira e sipërme - ndikonin së tepërmi në krijimin e ndërgjegjes të popullit për të luftuar të bashkuar të keqen. Nga ana tjetër nuk mund të mos vlerësohet liberalizimi e toleranca për një farë kohe (vitet ’30 të shekullit të kaluar) e regjimit, që me sy mbyllur lejonte krijimin e një opozite, e cila shfaqej në plurializmin e mendimit dhe shprehjen pa frikë të tij.

Vlera e këtij autori rritet pa rreshtur po të shohim që dukuri të tilla, si korrupsioni politik e ekonomik, të cilat me penën e tij ai i ka goditur pa mëshirë, të pranishme janë në shoqërinë tonë edhe sot e këtë dite.

Qyteti i Korçës ndjen një krenari të veçantë për botimin e revistës “Bota e Re”, këtë thesar të dijes e kulturës shqiptare. Botuesi i saj, Gaqo Evangjeli me këtë revistë kulturore ka krijuar  vlera të pamohueshme, që u bën nder shqiptarëve  kudo që ndodhen, për nga cilësia e lartë e saj, humanizmi dhe ndjeshmëria, me të cilat trajtohen çështje sociale shumë të ndërlikuara. Në këtë revistë kanë shkruar mjeshtrat e letërsisë shqipe, si  Migjeni, Shuteriqi dhe shumë të tjerë.

Lënda e revistës asnjëherë nuk mund të quhet e studiuar në mënyrë përfundimtare.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 16.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Begaj dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor: Fryt i marrëveshjes pozitë-opozitë, vota e diapsorës historike! Debati për listat? Nuk është tagri im

Begaj dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor: Fryt i marrëveshjes pozitë-opozitë, vota e diapsorës historike! Debati për listat? Nuk është tagri im