Një sasi prej 60 kilogramë e 565 gramë marijuanë është sekuestruar nga policia greke pranë kufirit greko-shqiptar, ndërsa në pranga ka rënë një 18-vjeçar grek, i dyshuar për trafikim dhe transportim të lëndëve narkotike.
Sipas autoriteteve greke, operacioni u zhvillua mëngjesin e sotëm nga oficerët e Departamentit të Narkotikëve të Nëndrejtorisë së Ndjekjes dhe Hetimit të Krimeve në Igumenicë.
Efektivët lokalizuan në zonën e Sajadhës një automjet privat, në pronësi të një kompanie që jep makina me qira, i cili drejtohej nga 18-vjeçari. Gjatë kontrollit, në bagazh dhe në sediljet e pasme të mjetit u gjetën tre çanta, brenda të cilave ndodheshin 55 pako me marijuanë.
Autoritetet greke bëjnë të ditur se, që prej muajit shtator të vitit të kaluar, janë sekuestruar rreth 835 kilogramë marijuanë që dyshohet se kanë hyrë nga territori shqiptar.
Sipas policisë, rastet janë evidentuar në Igumenicë, në rrugë tokësore dhe detare, si edhe në zona të tjera si Janina, Selaniku dhe Kosturi.
Komente










