Policia ka arrestuar Endri Copjan dhe Argel Lulajn si autorë të atentatit ndaj Lulzim Kullës në Shkodër në 13 janar. Më shumë se 500 gr tritol u vendos Lulzim Kullës për ta vrarë, por shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa u plagosën edhe 7 persona të tjerë.

Këto janë pamjet e arrestimit të Endri Copjas dhe Argel Lulajt pranë tregut agro-ushqimor në Elbasan.

RENEA, forcat operacionale dhe FNSH kanë hyrë në brendësi të tregut agro-ushqimor ku kryejnë kontrolle tek një godinë dy katëshe.

Paruke, radio dhe rreth 6 mijë euro kanë gjetur policia në banesat e të arrestuarve. Siç mund të dallohet nga video e policisë, RENEA kryen kontrolle të imtësishme tek Tregu Agro-Ushqimor.

Gjatë operacionit “Together” është arrestuar edhe Serxho Teta, i cili akuzohet se ka penguar Policinë për të ushtruar kontrollet.

Drejtor i Policisë Shkodër Gjovalin Loka tha se për të arrestuarit ka prova që vërtetojnë akuzën.

Operacioni për arrestimin e Endri Copjas dhe Argel Lulajt është bërë nga Policia e Shtetit dhe ajo Elbasanit, ndërsa të arrestuarit menjëherë më pas janë çuar në Shkodër. Për Endri Copjan dhe Argel Lulajn Gjykata e Shkodrës ka dhënë "Arrest në burg, në mungesë", për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim",
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”.

Er.K/Shqiptarja.com