Një mjeshtër grabitjesh është arrestuar nga policia e Tiranës. Të merkurën në mbrëmje, është arrestuar 31-vjeçari Florenc Burri, i cili sipas policisë, i grabiste njerëzit, duke u hedhur valium në doza të larta në pije. Tri raste janë denoncuar, ndërsa i riu është identifikuar nga viktima e tij e fundit.

Grabitësit në Tiranë, kanë ndryshuar strategji për mënyrën e vjedhjes së qytetarëveë. Në periudhën, kur policia pretendon se ka arritur të ulë numrin e vjedhjeve dhe grabitjeve në rrugë, një skemë e pazakontë është shpikur kohët e fundit, ku medikamenti farmaceutik Valiumi, ka zënë vendin e pistoletës, për të grabitur qytetarët.

31-vjeçari Florenc Burri, kishte zgjedhur një skemë duke mos përdorur as pistoletën por as thikën, për të vjedhur qytetarët e ndryshëm. Ai kishte preferuar që një veprim të tillë ta kryente, duke përdorur valiumin e tretur në pijet freksuese dhe ujë, duke bërë që më pas qytetarët, që në shumicën e rasteve kanë qënë të moshuar, i zinte gjumi.

Sapo viktimat e tij, binin në gjëndje dalldie, Florenc Burri, hidhej në aksion duke i bërë një kontroll fizik personave, prej nga më pas u merrte sendet personale dhe paratë që kishin me vete. Pas këtij veprimi Burri, largohej në drejtim të paditur, duke lënë në gjumë personat që kishin arritur të psinin pijen freskluese, në të cilën ishte hedhur valiumi.

Aktualisht komisariati nr. 2 ka arritur të zbulojë plot tre raste që kanë të njëjtën skemë dhe të arrestojë shtetasin e dyshuar si autor të këtij krimi. Burri është denocuar nga tre qytetarë, ku sipas policisë së Tiranës, identifikimi i tij është bërë nga një picier, të cili i kishte dhënë një pije freksuese dhe më pas e kishte grabitur, pasi atë e kishte zënë gjumi.

GRABITJE E DY PENSIONISTËVE

Nga hetimet e kryera është arritur të provohet se Florenc Burri, ka kryer aktivitetin kriminal në një periudhë 6 mujore. Gjatë kësaj kohe mendohet se 31-vjeçari ka arritur të kryejë dhjëtëra vjedhje, duke përdorur si armë të tijën, stimulantin e valiumit që e blinte gjithnjë në farmaci të ndryshme.

Sipas uniformave blu, rasti i parë i dokumentuar daton në muajin shkurt dhe ka lidhje me dy të moshuar, të cilët pritnin në radhë për të marrë paratë e pensionit. 31-vjeçari ka qëndruar në radhë mes pensionistëve dhe aty i ka ftuar dy të moshuarit për të pirë diçka freskuese në lokal.

Ftesa i është bërë, pas marrjes së lekëve të pensionit, ku 31-vjeçari gjatë qëndrimit në rradhë ka zënë me pensionistët muhabet, duke i pohuar se edhe ai po qëndronte në rradhë për të marrë pensionin e së ëmës. Pasi dy të moshuarit kanë marrë lekët, ai i ka ftuar për një kafe, duke i thënë, se e kishin të nevojshme pasi kishin qëndruar gjatë në këmbë.

Kërkesës së 31-vjeçarit Burri, dy të moshuarit i janë përgjigjur pozitivisht dhe janë ulur në kafe. Sipas policisë, Florenc Burri ka shkuar vetë në banak dhe u ka ofruar pijet, të cilat edhe pse të hapura nuk kanë ngjallur dyshime tek të moshuarit. Menjehërë pas pijes ata kanë humbur ndjenjat dhe kur janë zgjuar nuk kanë gjetur portofolët dhe sendet personale.

VALIUMI NË “RED BULL”

Rasti i dytë sipas policisë së Tiranës, lidhet me një shofer taksie, të cilit Burri ka arritur t’i marrë shumën prej 90 mijë lekë të reja, si dhe sendet personale. Sërisht “arma” në këtë ngjarje ka qënë valiumi, ndërkohë që “silenciatori” ka qënë një pije energjike “Red Bull”. Ngjarja është regjistruar në muajin Mars, ku taksisti që ushtronte aktivitet në zonën e stadiumit “Dinamo”, ka marrë me taksi shtetasin Florenc Burri.

Pasi kanë bërë pak rrugë bashkë, 31-vjeçari i ka kërkuar të ndalë dhe të presin një person tjetër që do vinte me ta. Nga çanta ka nxjerrë një kanaçe “Red Bull” dhe e ka hapur. E ka ndërruar me një tjetër të hapur që mbante në çantë dhe që duhej të ishte e hapur dhe ia ka ofruar si qerasje shoferit, ndërsa ka pirë vetë tjetrën. Taksisti ka humbur ndjenjat dhe kur është përmendur, ka parë se i mungonin 90 mijë lekë të reja, ora e dorës, unaza, byzylyku dhe katër telefonë.

VJEDHJA E PICIERIT

Rasti i fundit ai që e zbuloi 31-vjeçarin Florenc Burri, ishte ai i një picieri, të cilit iu deshën 24 orë në spital për të dalë nga koma ku kishte rënë si pasojë e ilaçit për gjumë. Burri kishte shkuar në picerinë e tij dhe e kishte ftuar të shikonte një lokal për të punuar bashkë, të cilin pretendonte se e kishte në pronësi.

Ndërsa ka ulur picierin në tavolinën jashtë lokalit që do shikonin ka dalë me dy pije freskuese të hapura, të cilat i kishte marrë në banak. Picierit i ka shpëtuar momenti kur i ka hedhur substancën e gjumit dhe kur është përmendur në spital ka kuptuar skemën e pazakontë të vjedhjes.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.04.2013

Redaksia Oline
(b.m/shqiptarja.com)