Një shqiptar 22-vjeçar njohur për aftësitë e tij akrobatike, u arrestua nga policia italiane ndërsa mbërrinte në portin e Barit nga Durrësi. Ai akuzohet si pjesë e një grupi që grabisnin banesat në Itali.
 
Sipas burimeve të policisë, aktiviteti për të cilin ishte akuzuar Amarildo Lleshaj dyshohet se ishte kryer në periudhën mars- qershor. Në një prej vjedhjeve të kryera prej të arrestuarit dhe bandës së tij, Lleshaj kishte lënë gjurmët e gishtërinjve. Disa javë më vonë, Lleshaj u arrestua për kundërshtim të punonjësve të policisë dhe pas dënimit të vuajtur ai u la i lirë. Ndërkohë ai erdhi në Shqipëri, ndërsa policia italiane zgjeroi hetimin, duke dokumentuar se ai ishte autor i së paku një vjedhjeje ku ishte zbuluar edhe gjurma e tij e gishtit. Për këtë shkak ai ishte shpallur edhe në kërkim nga policia italiane.
 
Sipas hetimit, Lleshaj falë aftësive të tij fizike dhe muskujve ngjitej në katet e treta dhe të katërt, apo edhe më të larta të banesave, ku bashkë me bandën e tij bastisnin banesat.
 
Tashmë ai duhet të përballet me akuzat e vjedhjes në bashkëpunim dhe të bastisjes së banesave në Itali. Veç tij, policia italiane ka shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtorë të Lleshajt, të dyshuar si pjesë e bandës së tij.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)