TIRANE - Është arrestuar në Rinas Ilir Peraj i dënuar dje në Napoli me 17 vjet për vrasjen e një personi. 43-vjeçari është larguar dje nga Italia sapo është vënë në dijeni për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Napolit. Pritet që brenda 48 orëve gjykata të shprehet për ekstradimin e tij drejt Italisë.

Ilir Peraj nga Gramshi, pronar i një taverne dhe ish-president i shoqatë “Nënë Tereza” është shoqëruar disa herë në polici dhe i proceduar penalisht për vepra penale si kanosje, vjedhje me dhunë me dhe paramendim si edhe për përdhunim.

Në vitin 2011 Peraj është akuzuar për vrasjen e Alban Kolecit në ambientet e lokalit të tij, ku janë gjetur edhe dy shkopinj bejsbolli, me të cilët i janë shkaktuar plagët viktimës dhe një shokut të tij. Në lidhje me këtë akuzë Peraj u dënua po në 2011-ën nga Gjykata e Shkallës së Parë me 10 vjet burg, por duket se 43-vjeçari “ia ka hedhur” drejtësisë ku gjykatat shqiptare e lanë më tej e lanë të lirë.

Gjykata e Tiranës deklaroi fajtorë përveç Ilir Perajt edhe dy kushërinjtë e tij Elis dhe Elidon Peraj dhe i dënoi ata me një total prej 26 vjetësh burg. Tre të pandehurit u deklaruan të fajshëm për akuzat e “vrasjes me dashje” në dëm të Alban Kolecit dhe “plagosje të rëndë me dashje” në dëm të Agostin Gjergjajt, të dyja kryer në bashkëpunim.

Ilir Peraj u dënua me 10 vjet burg, ndërsa vëllezërit Elis dhe Elidon Peraj u dënuan përkatësisht me 9 vjet e 4 muaj dhe 6 vjet e 8 muaj burg. Gjykimi i tyre u bë me kohë të shkurtuar, prej të cilit në masën e dënimit përfundimtar përfituan uljen e një së tretës. Sipas vendimit të gjykatës, sherri që përfundoi me vdekjen e Alban Kolecit dhe plagosjen e rëndë të shokut të tij, kishte pasur si fillesë rrëmujën, që viktima kishte bërë në tavernën e Ilir Perajt.

Për këtë shkak, mes tij dhe dy prej të pandehurve ka nisur një debat me fjalë, që më pas ka përfunduar dhunshëm. Pas kësaj, sipas organit të akuzës, të pandehurit Ilir Peraj, Elis Peraj dhe Elidon Peraj, në dalje të lokalit kanë marrë shkopinj që shërbejnë për të luajtur bejsboll dhe kanë filluar të godasin në pjesë të ndryshme të trupit shtetasin Alban Koleci.

Redaksia online
(Gre.M/ad.ti/Shqiptarja.com)