TIRANE- Një 24-vjeçar nga Tropoja me inicialet G.N, është arrestuar nga policia për akuzën e vrasjes në bashkëpunim të kryekomunares së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila. I riu nga Tropoja, tashmë ndodhet në burg dhe se ka treguar para policisë dhe prokurorëve të Krimeve të Rënda, të gjithë planin e detajuar të vrasjes së zyrtares kosovare.

Ndërkohë për këtë ngjarje janë shpallur në kërkim nga policia shqiptare dhe ajo kosovare, një biznesmen nga Kosova dhe ndërmjetësi. 24-vjeçari mbahet në mbrojtje të policisë dhe se pritet që ai të ekstradohet në Kosovë, ku do tregojë dëshminë e tij tek prokurorët e këtij shteti, të cilët paralelisht me drejtësinë Shqiptare kanë nisur hetimet.

Sipas burimeve të prokurorisë së Krimeve të Rënda i arrestuari ka treguar të gjithë planin e vrasjes së kryekomunares së Gjakovës dhe sekretarit të saj, dhe se motiv i kësaj vrasje është bërë një tender. Një kompani private ka humbur këtë tender dhe për pasojë pronarët e firmës kanë vendosur që të kryejnë vrasjen. Tashmë materiali hetimor për këtë çështje është administruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe se pritet që shumë shpejt ky material ti referohet autoriteteve kosovare.

Kontrata 300 mijë euro

Burimet thonë se i riu, është kontaktuar nga 44 vjeçari, A.Shiqerukaj, që tashmë është shpallur në kërkim dhe që mendohet se ishte ndërmjetësi mes biznesmenit nga Gjakova dhe vrasësit 24 vjeçar. I riu shqiptar ka treguar se biznesmeni i njohur në Gjakovë në fushën e hidrokarbureve, ka porositur vrasjen e kryetares së Bashkisë, Mimoza Kusari – Lila dhe sekretarin e saj, që dyshohet se ishte personi i besuar i kryetares.

Ai u ka thënë hetuesve se në takimin me biznesmenin që kishte humbur tenderin e Komunës, ky i fundit i kishte premtuar se për ekzekutimin e sekretarit, njëherazi të besuarit të kryetares së komunës do të paguheshin me 60 mijë euro. Pas kësaj ngjarje, dy vrasësit do ekzekutonin kundrejt 300 mijë eurove kryetaren e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila. Në rrëfimin e regjistruar nga hetuesit, 24 vjeçari, ka treguar se bashkë me A.Shiqerukajn ka qëndruar dy javë në hotel “Jakova”, me të gjitha shpenzimet e paguara, kohë kjo për të vëzhguar dhe ndjekur dy objektivët.

Sipas dëshmisë, i riu i ka thënë hetuesve se dy pistoletat, një kallashnikov, një snajper dhe makinën me të cilën lëviznin për të ndjekur objektivët ia kishte siguruar biznesmeni gjakovar. Në dëshmi thuhet se 4 ditë para se 24 vjeçari t’i dorëzohet policisë së Tropojës, ka tentuar të vrasë sekretarin e komunës në një parking publik por për shkak se ishte i shoqëruar me fëmijët nuk e kishin kryer atë.


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)