Një tjetër shpërndarës heroine është kapur nga Policia e Beratit, vetëm një ditë pasi kjo polici goditi një grup trafikantësh prej 4 personash. Në pranga ka rënë shtetasi Ilir Leka, 43 vjeç, banues në lagje ‘30 Vjetori’, në Berat.

Ky i fundit është arrestuar, pasi gjatë kontrollit fizik dhe në automjetin e tij i janë gjetur dy doza me heroinë.

Ndërkohë, një ditë më parë u arrestuan shtetasit Argent Myftari, 31 vjeç, banues në Berat; Françesko Mehmetaj, 19 vjeç, banues në Kuçovë, (i dënuar më parë për veprën penale Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike); Alvaro Merka, 37 vjeç, banues në Kuçovë, (i dënuar më parë për veprën penale Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike); Geri Molishti, 36 vjeç, banues në Berat, (i dënuar më parë për veprën penale Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike).

Njoftimi i policisë:
Nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: Ilir Leka, 43 vjeç, banues në lagjen “30 Vjetori”, Berat.

Arrestimi i tij u krye, pasi gjatë kontrollit që u ushtrua nga shërbimet e policisë në automjetin e tij dhe kontrollit fizik, iu gjetën dy doza lëndë narkotike e dyshuar Heroinë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprën penale, ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal.