Prej ditës së djeshme Karkini është shpallur në kërkim, ndërkohë dyshohet se operacioni për arrestimin e biznesmenit të njohur është dekonspiruar. Karkini administron kompanitë “Idea-Tel” dhe “Alb Communication Consult” ndërkohë që është ka fituar disa vite më parë dhe tenderin për menaxhimin e shërbimit të mirëmbajtjes për Radarët Detarë të Ushtrisë dhe për mirëmbajtjen e rrjetit të dixhitalizimit të TVSH, me vlerë 8.8 milionë euro, aferë kjo e denoncuar nga “Shqiptarja.com” tre vite më parë. Karkini sipas tenderit të fituar merr çdo vit 2 milionë euro nga Televizioni Publik.
Karkini morri 1.15 mld lekë dhe pronë në Spille
Rasti më flagrant i këtij abuzimi është një pronë e Ministrisë së Mbrojtjes në Spille (poligon qitje) e cila nuk i është regjistuar kësaj ministrie pas tre kërkesave radhazi nga ky institucion në hipotekën e Kavajës, por ndërkohë atë e ka privatizuar biznesmeni Karkini.
Prokuroria thotë se ministria e Mbrojtjes ka aplikuar 3 herë për regjistrimin e pronës së saj nga viti 2005-2007 dhe nuk i është regjistruar kjo pronë, ndërsa në vitin 2016 kjo pronë regjistrohet në favor të biznesmenit Idlir Karkini. Gjatë kësaj periudhe Karkini ishte kontraktuar nga ministria e Mbrojtjes për shërbimit të mirëmbajtjes së radarëve me një vlerë prej fondin financiar 115.233.655 afërsisht 97 milion lekë në muaj.
Dokumentet falco që çuan në grabitjen e poligonit
Nga ana e Komandës së Forcës Ajrore dhe nga ana e Komisariatit të Policisë Rrogozhinë është bërë kallëzim penal në polici. Në pronën Poligoni i Qitjes Rreth-Greth me numër pasurie 368 është konsatuar prerje pyjesh dhe pastrim i barishteve nga një grup punëtorësh. Këta punëtor janë sjellë nga shtetasi Idlir Karkini, i cili ka çertifikatë pronësie për këtë sipërfaqe toke në pyllin dhe rërën buzë detit.
Në kallëzim pretendohet se kjo tokë është pronë shtetërore në pronësi të aviacionit shqiptar. Ministria e Mbrojtjes ka aplikuar 3 herë për regjistrimin e pronës së saj nga viti 2005-2007 dhe nuk i është regjistruar kjo pronë, ndërsa në vitin 2016 kjo pronë regjistrohet në favor të Idlir Karkinit.
“Nga Këshilli qarkut Tiranë jemi informuar se shkresa Nr.2147 dt.28.12.2015 e Këshillit të Qarkut Tiranë drejtuar ZVRPP Kavajë, që ka shërbyer për ndryshimin e zërit kadastral nuk është përgatitur nga Institucioni i tyre dhe nuk është dërguar në ZVRPP Kavajë. Ndërsa shkresa Nr.5836 dt.18.11.2015 e ZVRPP Kavajë nuk është dërguar fare në Këshillin Qarkut Tiranë as dorazi dhe as me postë”-thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Si funksiononte skema
Pas një hetimi shumë mujor të Prokurorisë së Kavajës u mundësua identifikimi i disa shtetasve të dyshuar si përgjegjës për përfshirje në tjetërsimin e pronave në bregdetin e Spillesë në Kavajë. Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë vazhdoi me fazën e dytë të hetimit, pjesë e procedimit penal të regjistruar më parë për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal në lidhje me ndërtimet në zonën e plazhit të Spillesë.
Këtij procedimi penal i janë bashkuar edhe 4 procedime të tjera për të njejtin fakt penal. Deri tani në këtë hetim të vazhduar janë përfshirë gjithsej në të dy fazat 23 persona, për tjetërsimin e pronave nëpërmjet krijimit të një mekanizmi të njëjtë, duke administruar AMTP të një periudhe mbi 15 vjet, në kundërshtim me ligjin, më pas duke proceduar me konfirmimet nga zyrat e Këshillit të Qarkut Tiranë, duke fshehur dhe zëvendësuar konfirmimet e qarkut me konfirmime që parashtrojnë rrethana të rreme, nëpërmjet falsifikimit të statusit të parcelave apo pasurive të veçanta, duke i bërë pjesë e praktikës (dosjes) të aplikuesve kanë arritur t’i regjistrojnë si pasuri personave të ndryshëm.
Në vijim të hetimeve ka rezultuar se këto pasuri janë regjistruar e më pas janë tjetërsuar nga persona të tjerë, nëpërmjet shit-blerjeve në një periudhë tepër të shpejtë, në kundërshtim të hapur me ligjin. Gjithashtu janë kryer hetime dhe në lidhje me ndërtimet e 27 lokaleve përgjatë vijës bregdetare, ku vetëm 4 persona investitorë rezultojnë të jenë banorë të zonës, ndërsa të gjithë personat e tjerë janë qytetarë të rretheve të tjera.
Ndërtimet e këtyre lokaleve rezultojnë vetëm mbi bazën e një aplikimi në Bashkinë Rrogozhinë, duke paraqitur vetëm një plan vendosje, kjo sipas preferencave të investitorëve, pa patur asnjë plan zhvillimor të Bashkisë Rrogozhinë.
Idlir Karkini
d.c./shqiptarja.com