Prej thuajse 10 vitesh Namik Dokle ka hequr dorë nga politika për t’iu përkushtuar një pasioni të hershëm: krijimtarisë. Ish-politikani është kthyer në një shkrimtar dhe lexues me kohë të plotë duke e lënë imagjinatën të rendë e lirë për të hedhur më pas në letër rrëfime ku nuk i shmanget realitetit, por e servir me kujdes.

Në “Studio Live” në Report Tv me gazetarin Ermal Qori, ai vjen me dy libra “Vajzat e mjegullës” dhe “Asnjë trokitje në qiell”. Përpara se të tregojë diçka më shumë për ta, Dokle tregon për procesin e të shkruarit dhe të menduarit.

“Në librin tim s’ka fantazi, imagjinatë mund të ketë, përpunim në laboratorin krijues, por në fund është realiteti që jetojmë të gjithë, një realitet që e kemi jetuar në kohën e diktaturës, por edhe një realitet jo dhe aq i bukur dhe i ëmbël pa kësaj. Romani ‘Gora pa zogj’ ka të bëjë me braktisjen e viteve të fundit dhe që na trishton”, shprehet ish-deputeti.

Ai ndan edhe një koncept interesant për të gjithë admiruesit e librit, por edhe për vetë shkrimtarët.

“Ne e lexojmë librin, por thuhet që edhe libri na lexon ne. Në këtë pikë, autori mund të thellohet pak në imagjinatën e tij si libri lexon shtresa të caktuara të njerëzve sepse gjithkush ka interesa, dëshira, nivel kulturor të caktuar dhe në këtë kontekst, libri e lexon lexuesin”, thotë Dokle.

Metoda e të shkruarit të përditshëm nuk funksionon për Doklen. Ai thotë se kjo i duket shteruese, por gjithçka bëhet më e lehtë kur libri gjen rrugën e tij. Kështu ndodhi me “Vajzat e mjegullës”, një ide që i kishte feksur në mendje shumë kohë më parë, por mori kohën e vet.

“Nuk shkruaj shpesh, por as rrallë. Ka shkrimtarë që mirë është të shkruash çdo ditë nga një faqe. Unë nuk shkruaj dot çdo ditë se vjen një moment dhe shterohesh, duhet ta mbushësh gurrën me ujë që mos të të marrë etja. Gjithmonë shkruaj gjatë kohës së dimrit, por para se të shkruaj e vras mendjen shumë çfarë do të shkruaj e si e kështu me radhë. Te ‘Vajzat e mjegullës’ idetë e para i kam hedhur që në 1978. Gjithmonë mendoja ta shkruaja këtë libër, por s’isha i gatshëm dhe nuk ulesha. Mbaja shënime, shkruaja skena, personazhe, por jo për t’u ulur të shkruaja. Në një moment, shkrova një faqe dhe ajo faqja ime ka qëndruar mbi tavolinë më shumë se 6 muaj. Nuk vazhdoja dot faqen e dytë sepse më mungonte diçka aq sa kur erdhi momenti që gjeti shtratin e vet libri si do të zhvillohej, eci shumë shpejt”, tha Dokle.

Libri, i cili është përkthyer në 7 gjuhë të ndryshme, u frymëzua nga ditari i një të njohuri të Dokles, ku shkruhej: “Sa i trishtuar është fshati pa vajza!” Romani tjetër, “Asnjë trokitje në qiell” flet për vetminë dhe nxitja ka qenë një histori e përjetuar gjatë kohës kur Dokle shërbente si kryeministër, në vitin 2005 kur bora e acari e kishin bërë të pamundur lëvizjen.

“Më lajmërojnë që është një familje midis Lurës dhe Kurbneshit, e bllokuar, pa bukë, pa telefon, pa zjarr, pa asgjë dhe si mund ta nxjerrim nga ky kolaps? Me makinë nuk shkohej dhe shkova me helikopter bashkë me 2-3 të tjerë që më shoqëronin për t’u çuar ushqim. Kur arritëm atje, piloti thotë s’e ul dot helikopterin. I them e mban dot 10 minuta? ‘Po’, thotë, ‘por asnjë sekondë më shumë’. Hapëm dyert dhe u hodhëm ushqim dhe pashë 4-5 njerëz atje që shihnin drejt qiellit se çfarë po binte. Këtë ide e mendova shumë vite derisa arrita te romani ‘Asnjë trokitje në qiell’”, kujton Dokle.

Nëse e pyet cilët janë dy shkrimtarët e preferuar, përgjigjen e ka në majë të gjuhës: “Ismail Kadare, Dritëro Agolli”, por nuk harron të vlerësojë edhe të tjerë, mes tyre emra të rinj. Madje, ndalur te të rinjtë, shprehet se përkrahja e tyre është shumë e nevojshme.

“Në Roskovec hasa një gjë shumë të bukur. Bashkia shpall çdo vit në fund të vitit, 10 qytetarët më të mirë. Një nga 10 më të mirët është lexuesi më i mirë i vitit në bazën e të dhënave që ka biblioteka. Takova një vajzë maturante që më tha kam shkruar një roman, a ma lexon? Ia lexova romanin, i bëra ca sugjerime, por i thashë këto fjalë ti shkruan 10 herë më mirë se unë në moshën tënde, kur unë kam qenë në moshën tënde shkruaja 10 herë më keq se ti. Është rritur kultura, emocioni dhe ka talente që duhen përkrahur. E ka botuar romanin dhe më ka thënë që ka ecur mirë”, tha Dokle.

E ardhmja për një shkrimtar është gjithnjë historia e radhës dhe Dokle s’ka të ndalur sepse “mendja s’mund të qëndrojë në vend”, madje ndan edhe një histori gazmore.

“Kam projekte. Nuk qëndron në vend mendja e atij që dëshiron të shkruajë. Kur u shkëputa nga politika, një ish-kolege më pyeti ‘çfarë bën tani, me se merresh?’ I thashë LSHSH. E mori për ters, i thashë jo moj, lexoj, shkruaj dhe shëtis”, përmbylli ai mes të qeshurash.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:36
10 vite larg sallës së parlamentit, jeta ‘ndryshe’ e Namik Dokles: Unë jam larguar nga politika, por jo ajo prej meje

Namik Dokle e ka braktisur prej kohësh sallën e parlamentit, por kjo e fundit ‘e përndjek’ herë pas here. Në një intervistë në “Studio Live” në Report Tv me gazetarin Ermal Qori, kur pyetet sesi i ka marrëdhëniet me ‘dashurinë’ e dikurshme, thotë: Unë jam larguar nga politika, por jo ajo nga unë.

Kur Dokle bën një bilanc të ndryshimeve të 10 viteve të fundit në politikë, nënvizon vetëm diccka: nevojitet kulturë.

“Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje duhet një natë dimri sepse kanë ndryshuar shumë gjëra, shumë faktorë, gjërat që kanë çuar në këto ndryshime dhe s’po hyj në thekra, por ajo që më bën përshtypje, politika ka nevojë shumë më tepër sot për kulturë e humanitet. Qëkur kam botuar romanin e parë ‘Vajzat e mjegullës’, isha në kohën e fundit të mandatit dhe në kohën që botova librin bëra një deklaratë unë nuk kandidoj më! U mora me letërsinë sepse kisha një ëndërr e projekt të parealizuar“, tha ai.

Për këtë, sheh që mundësia janë të rinjtë në politikë.

“Mundësitë janë që djem e vajza me kulturë, ka plot Shqipëria e disaspora, të jenë në politikë”, tha Dokle.