Kapitullimi i Italisë, Çfarë ndodhi para
Masakrës së Korçës 9 shtator’43

Kapitullimi i Italisë, Çfarë ndodhi para<br />Masakrës së Korçës 9 shtator’43
TIRANE- Duke kërkuar të kuptojmë vrullin e habitshëm të qarkorit të PKSH-së për Korçën në organizimin e manifestimit të 9 shtatorit 1943, në pamundësi që të dhëna për të të marrim prej botimeve zyrtare të periudhës së para nëntëdhjetës, ku, siç do ta provojmë pak më poshtë, ka heshtje pothuaj totale, burime informuese do të na bëhen dy bashkëkombës: njëri i ditëlindjes 1925 dhe tjetri i vitit 1927. Tani, në shkurt 2015, ata janë shëndoshë e mirë dhe mjaft të kthjellët në rrëfimin dhe shpjegimin e ndodhisë.

I pari burim të dhënash, paralel me librin e gjeneralit italian Masimo Koltrinari, është bashkëkombësi Shefqet Pojani. Ai ka funksionin publik të kryetarit të Komitetit lokal të Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare për Korçën. Tjetri quhet Petrika Simo dhe është veprimtar i këtij Komiteti.

Pojani nuk ka ndodhur në ngjarje, kurse Simo ka qenë pjesëmarrës në të dhe manifestues i organizuar. Para se ta paraqesim atë demonstratë të 9 shtatorit 1943 me të gjitha hollësitë e nevojshme, vëmë në dukje se e harruar krejtësisht në shkallë kombëtare, e shndërruara në një masakër, në atë territor ku ndodhi, pra në mjedisin autokton korçar, ajo trajtohet në mënyrë të anasjellë. Ruhet gjallërisht në kujtesë. Madje bëhet gjithçka që të mos fshihet prej saj. Në 70-vjetorin e çlirimit nga pushtuesit fashistë, në fundnëntorin e kaluar, një sesion nderues si edhe një vendosje kurorash në vendin e ngjarjes së dhimbshme, ishte dukshëm veprimtari me autoritet.

Megjithatë edhe këtë herë lajmi nuk mbërriti deri në Tiranë. U shua rrugës apo mbeti i braktisur në periferi të ndonjë edicioni informativ televizioni kombëtar. Sipas një shpjegimi të kryeveteranit lokal Shefqet Pojani që në mbrëmjen e vonë të 8 shtatorit “Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ lëshoi këtë deklaratë: “8 milion bajonetat e Italisë fashiste që mbanin më këmbë Perandorinë Romake, hodhën armët dhe flamurët në këmbët e fitimtarëve, ndër ta jemi edhe ne, partizanët shqiptarë. Sot më tepër se kurrë t’i tregojmë armikut tjetër, nazistëve gjermanë, fuqinë dhe vendosmërinë në luftën e shenjtë çlirimtare”.

Një tjetër thirrje në gjuhën italiane i drejtoi Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ edhe Komandës së Lartë të Ushtrisë Italiane që në përputhje me aktin e kapitullimit forcat ushtarake të rreshtoheshin përkrah armatës partizane për të luftuar pushtuesin gjerman, tani edhe armik i shtetit italian. Po ashtu t’ia dorëzonin UNÇ armatimin dhe bazën materiale ushtarake.

“Meqenëse edhe takimet me komandën e Divizionit “Arezzo” nga Shtabi Ushtarak partizan i Qarkut të Korçës nuk dhanë rezultat, pohon në shpjegimin e tij Shefqet Pojani, u vendos që më 9 shtator, në orët e para të mëngjesit, fëmijë, të reja e të rinj, gra e burra, grupe nga të gjitha lagjet e rrugicat e qytetit, por edhe nga fshatrat e afërta, të grumbulloheshin në sheshin kryesor, te Luftëtari Kombëtar, ku do të mbahej dhe fjala e rastit”. Sipas këtij rrëfimi, edhe sikur bisedimet me të dërguar apo edhe vetëm me telefon të kenë ndodhur vërtet, vendimi për kryerjen e demonstrimit është marrë pasi ato kanë dështuar, saktësisht kur gjenerali Torriano ka deklaruar prerë “jo”.

Kjo donte të thoshte se njësitë italiane as do të bashkoheshin me partizanët dhe as do t’u dorëzonin atyre armët. Një pyetje, megjithatë, të vjen natyrshëm në majë të gjuhës: a mund të konsiderohet kohë të mjaftueshme që, duke filluar nga ora 21.00 e 8 shtatorit, po atë natë të dilej në gjykimin se bisedimet me Arturo Torrianon qenë mbyllur përfundimisht dhe për pasojë duhej mobilizuar populli si pjesë e strategjisë për ndikim dhe presion ndaj komandës së divizionit? (Për t’i krijuar lexuesit mundësinë t’i përfytyrojë sa më qartë veprimet që do të ndodhin dhe sjellin përgjakje masive të njerëzve të pafajshëm, do t’i përshkruajmë ato një për një. Prandaj edhe informojmë se komanda e njësisë “Arezzo” ishte atje ku sot në Korçë ndodhet ndërtesa e bashkisë, pra në një pozicion të dukshëm dhe të favorshëm publik dhe strategjik).

Kryeveterani lokal i Luftës Nacionalçlirimtare në bisedën telefonike që bëmë me të në mbrëmjen e 17 janarit 2015, vuri në dukje se manifestimi i të nesërmes “kishte dy qëllime: për të festuar kapitullimin e pushtuesit italian dhe fitoren e aleancës antifashiste, dhe së dyti, t’u bëhej edhe njëherë thirrja nga vajzat, nënat dhe gratë e Korçës për të dorëzuar armët dhe për të mos ua dhënë ato gjermanëve”. Ai shpjegon se për organizimin e demonstratës “tërë natën u çuan njërës nëpër fshatrat përreth”.

Këtë rrethanë e vërteton edhe pjesëmarrësi real në manifestim, Petrika Simo. Sipas tij (edhe biseda me të është bërë po atë mbrëmje të 17 janarit 2015) “Celulat e partisë në lagje na njoftuan për demonstratën. Mua ma tha djali i xhaxhait me të cilin banonin në të njëjtën shtëpi.

Ai qe tre-katër vite më i madh se unë, gati njëzetë vjeç, dhe bënte pjesë në njësitet guerile”. Pasi i kushëriri i pati shpjeguar se për të demonstruar në mënyrë paqësore këshilli nacionalçlirimtar i qytetit kishte biseduar paraprakisht me gjeneralin Arturo Torriano dhe prej tij patën marrë fjalën se, po të qe e padhunshme, ai nuk do ta pengonte manifestimin, simpatizantët e PKSH-së dhe veprimtarët e rezistencës nacionalçlirimtare filluan me shpejtësi të merrnin masa që ai të bëhej. Për këtë qëllim edhe i kushëriri e porositi Petrikën: “Nesër në mëngjes shpejt do të lajmërosh filanin e filanin e rrugës tonë. Në 7.30 do të grumbullohemi tek sheshi”.

Pikërisht kur dita po gdhinte dhe për jo pak banorë qe ende herët, nisi lëvizja dhe grumbullimi i manifestuesve për të shkuar më pas, në mënyrë të organizuar, tek monumenti i Luftëtarit Kombëtar. Ata vërshuan nga tre pika, nga ku edhe ishte planifikuar të vinin drejt qendrës së qytetit: prej lulishtes “Themistokli Germenji”, nga ana e Xhamisë së Madhe dhe prej Katedrales, kishës së krishterë.

Sipas Shefqet Pojanit grumbullimi i demonstruesve tek Xhamia e Madhe (në lagjen e myslimanëve), e cila ndodhej në pjesën e poshtme të Korçës, duke qenë se vendi qe fare afër me komandën e divizionit “Arezzo”, nuk u realizua dot. Shkaku ishte ndërhyrja e repartit italian, i cili përdori forcën e armëve për t’i shpërndarë manifestuesit menjëherë. Gjatë ushtrimit të kësaj dhune ushtarake u përdorën edhe bomba dore. Për pasojë një manifestues u vra dhe një tjetër u plagos.
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) - See more at: http://shqiptarja.com/kulture/2730/qendra-e-kinematografis--s--shqip-ris--n--berlinale-me-katalog-270971.html#sthash.PtHHgvXo.dpuf

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Dy humbjet në miqësore, Kombëtarja humbet pozicione në FIFA! Rivalët e Euro 2024 në 'top 10'

Dy humbjet në miqësore, Kombëtarja humbet pozicione në FIFA! Rivalët e Euro 2024 në 'top 10'