Konflikti mes Ministres Teknike të Arsimit, Mirela Karabina dhe Sekretarit të Përgjithshëm të MAS, Plarent Ndreca, ka marrë përmasa të mëdha duke u kthyer në një pengesë në mbarëvajtjen e punës në Ministrinë e Arsimit.
 
Mirela Karabina në një dalje për mediat ka deklaruar se Ndreca përbën një rrezik të madh për institucionin pasi lëviz në ambientet e Ministrisë me persona të armatosur.
 
Ministrja Karabina shprehet se në kundërshtim me ligjin Sekretari i Përgjithshëm i MAS, Plarent Ndreca, ka firmosur, me datë 27.06.2017 një Kontratë te Shërbimit me një Kompaninë Kontraktore të sigurisë duke krijuar situate të paprecedentë në një institucion shtetëror.
 
Aktualisht në MAS sipas Karabinës ka dy kompani private sigurie, njëra e ligjshme dhe tjera e kontraktuar nga Plarent Ndreca, i cili sipas ministres është i pezulluar nga detyra.
 
Ndërkohë nga ana e tij Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë Arsimit, Plarent Ndreca, hedh poshtë të gjitha akuzat e Ministres Karabina .
 
Ndreca i kujton kësaj të fundit se ai është edhe në detyre dhe se Ministrja nuk mund ta shkarkojë.
 
“Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është në detyrë dhe kjo ndodh jo për shkak të dëshirës së Ministrit të Arsimit dhe Sportit, por për shkak se jam i detyruar nga Kushtetuta dhe Ligji. Ka një muaj që të gjithë institucionet shtetërore (Komisioni për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Departamenti i Administratës Publike) që merren me mbikëqyrjen dhe administrimin e shërbimit civil, me vendime të prera, i kanë bërë të qartë ministres, se ajo nuk është kompetente për pezullimin apo largimin e nëpunësve civil të ministrisë qe ajo drejton. Por ministrja me kokëfortësi irracionale, në shkelje flagrante të këtyre vendimeve, vijon të njëjtin qëndrim”.
 
Në lidhje me konfliktin në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit midis drejtuesve të këtij institucioni, ka reaguar edhe Policia e Shtetit. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com