Në një intervistë për Top Channel, Peter Stano tha se Komisioni Europian "po shqyrton në detaje vendimin e KQZ-së dhe kujtoi se liria e medias është një prej vlerave dhe parimeve bazë të Bashkimit Europian, e cila duhet të garantohet dhe jo të kufizohet".
Cili është qëndrimi juaj mbi vendimin e KQZ për të detyruar mediat, që të transmetojnë kasetat e gatshme të partive politike për fushatë zgjedhore?
Peter Stano: “Ne jemi në dijeni të këtij vendimi të KQZ-së dhe gjithashtu për reagimin nga shoqata e gazetarëve në Shqipëri. Aktualisht ne po shqyrtojmë detajet e këtij vendimi, për të parë se a përputhet ai me masat për të garantuar lirinë e medias në vend, si dhe sa përputhet me standardet dhe parimet në këtë fushë”.
A është ky vendim në përputhje me standartet e medias dhe mbi të gjitha me vetë rolin e KQZ-së dhe pritshmëritë e BE-së për mirëfuksionimin e institucioneve demokratike, një prej kushteve për statusin kandidat?
Peter Stano: “Ne e kuptojmë mirë ndjeshmërinë e situatës, veçanërisht në këto momente të fushatës zgjedhore. Kur flasim për lirinë e medias, ajo që është e rëndësishme për ne është që të garantohet se në çdo kohë dhe posaçërisht para zgjedhjeve, mediat të mund të veprojnë të lira, pa asnjë lloj ndërhyrjeje. Por siç e thash, ne po e shqyrtojmë vendimin e KQZ-së në detaje, për të parë a përputhet apo jo me rregullat standard”.
A duhet të paguajë media “çmimin” e pavarësisë nëpërmjet gjobave të një institucioni të ashtuquajtur të pavarur?
Peter Stano: “Nga pikëpamja e Bashkimit Europian në përgjithësi, është e rëndësishme që media të mund të veprojë e lirë. Liria e medias është një prej vlerave dhe një prej parimeve të Bashkimit Europian dhe është edhe pjesë e procesit të integrimit që pasqyrohet ç‘do vit në raportet e progresit, për të gjitha vendet e këtij procesi. Vetëm pas pak ditësh do të ketë një konferencë të posaçme kushtuar lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes në vendet e Ballkanit dhe në Turqi, e këto çështje do të diskutohen gjithashtu edhe aty. Mendoj se po i kushtojmë mjaft vëmendje dhe po përpiqemi të ngulisim tek partnerët tanë mesazhin se sa e rëndësishme është që të sigurojnë se media po vepron në një klimë lirie, dhe që liria e medias dhe liria e shprehjes të garantohet, dhe jo të kufizohet”.
Marre nga Shqip
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)