Kasoruho e Tupe: S’ka pse të ndalohet

Kasoruho e Tupe: S’ka pse të ndalohet
“Mein kampf” (Lufta ime), po trazon opinion publik shqiptar. Libri i Hitlerit, i konsideruar si traktati i tij politik, ka shënuar interes të veçantë që nga ditë e dielë kur u publikua për herë të parë lajmi i botimit në gjuhën shqipe. Dje, së bashku me debatet e para mbi këtë libër ka nisur edhe shqetësimi institucional. Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve e ka nisur axhendën javore pikërisht duke ngritur një grup pune mbi këtë botim. Prej tyre mësuam se historia e këtij botimi ka disa anë jo shumë të qarta dhe hyn në ato botime, pothuajse klandestine. Mësohet se në këtë takim është kërkuar që të merren masa për këtë rast, më të cilin nuk ishin përballur më parë në lëmin e botimeve shqip.

Ligji dhe debatet
Në ligj parashikohen dy nene ku mund të mbështetemi ëpr gjykimin e këtij rasti. Bëhet fjalë për nenin 265 dhe 266 të Kodit Penal, ku thuhet se dënohet me gjobë ose burg autorët e shkrimeve me përmbajtje raciale, nacionaliste apo fetare. Por, në këtë rast ligji nuk parashikon masa për botuesin e librit.
Ermir Nika, drejtor i drejtorisë së librit në MTKRS, tha se botuesi është i panjohur dhe më shumë funksionon si shtypshkronjë. Ndërsa përkthyesi i këtij libri, ka tentuar ta botojë edhe më parë duke ia ofruar këtë libër botuesve seriozë që nuk e kanë marrë përsipër.
“Liria e botimeve dhe qarkullimi i tyre është i mbrojtur me ligj në Shqipëri, por në rastin konkret kemi të bëjmë me një libër të cilin bota e ka harruar. Vepra në fjalë nuk është një vepër kulturore por një vepër politike. Në raste të tilla ne na ka dalë detyrë që situata të tilla t’i parashikojmë në ligj, dhe Ligji për Librin është shumë i qartë. Ky ligj përveç se harmonizohet me legjislacionin europian përkon edhe me nenet e kodit penal. Kështu që në një farë mënyre shteti infrastrukturën e ka të plotë”, tha drejtori Nika për shqiptarja.com, duke analizuar se këtë botim, sikurse edhe çdo hap tjetër të tillë e sanksionon ligji në fuqi.
Duke pohuar se është kundër këtij botimi, Nika ka përmendur rastet e ndalimeve dhe debateve të ashpra që janë zhvilluar në shumë vende të botës. “Ka ngjallur debate intelektuale nëse duhej botuar apo jo që shoqëria të njihej me pikëpamjet e Hitlerit. Por në Shqipëri është më pak e ndjeshme kjo dhe në një farë mënyrë nuk ka shumë interes për tu lexuar”.
Një çështje e diskutuar menjëherë pas botimit të librit është edhe ajo e të drejtës së autorit, duke ngritur zërin se botimi i këtij libri në shqip është bërë pa e pasur këtë të drejtë, të cilën në gjuhën origjinale, sipas ligjit gjerman e ka “Landi i Bavarisë” që gëzon këtë të drejtë deri në vitin 2015.

Debati mbi botimin, Tupe dhe Kasoruho

Përtej anës ligjore, një debat ndër njerëzit e librave duket me vlerë edhe në kontekstin shqiptar. Gazeta pyeti dje dy përkthyesit e njohur Edmond Tupe dhe Amik Kasoruho dhe sjell si më poshtë mendimet e tyre mbi këtë botim në gjuhën shqipe.

Edmond Tupja: Ndalimi? Gabim, lexuesi i do gjërat e ndaluara
Një këndvështrim ngacmues por edhe interesant ishte ai që ofroi për gazetën tonë përkthyesi i njohur Edmond Tupja. I njohur për gjykimet e tij të veçanta, Tupja tha për Shqiptarja.com se ndalimi i librit do të ishte një veprim i gabuar.
“Unë mendoj se me një parathënie të mirë, botimi është korrekt. S’ka asgjë për t’u habitur. E pse duhet të ndalohet? Lexuesi është pervers ndonjëherë dhe në këtë rast tek ai do të kishte efekt të kundërt. E them këtë sepse ka dhënë prova që një vepër e ndaluar lexohet më shumë”.
A do të zgjidhej kjo çështje, nëse libri të mblidhej nga libraritë e do të ndalohej botimi i tij? Edmond Tupe thotë jo, kategorikisht. “Kjo pasi vetëm do të shtyhej për më vonë”.
Ndërsa për efektin që mund të shkaktojë tek të rinjtë që mund t’ju bjerë në dorë libri, përkthyesi thotë se duhet bërë diçka tjetër. “Unë mendoj se të rinjtë duhet të shohim më shumë filma, mendojë që duhet folur më shumë nëpër shkolla, duhet folur për të gjitha botimet dhe librat që botohen”.

Amik Kasoruho: Të njohim të vërtetën historike

Z.Kasoruho si e konsideroni botimin e këtij libri në shqip?
Përsa i përket gjenocidit të Hitlerit ka edhe botime të tjera që e kamuflojnë këtë fenomen. Pse të mos botohen këto libra, le të njihen njerëzit me mendimet e mbrapshta që kanë udhëhequr klikat ushtarake, qeveritare, klika diktatoriale. E keqja është kur nuk njihen të vërtetat, sepse atëherë mund të keqinterpretohen dhe të fantazohet.
Mandej, unë kam lexuar nja 40 libra të tjerë, me shumë më pak vlerë se sa “Mein Kapf”.

A mund ta quajmë shqetësues faktin për të rinjtë, që kanë tendenca për lëvizje ndonëjherë ekstremiste?
Të rinjtë kanë qenë gjithnjë të prirur pas ideve të reja, të guximshëm (në idenë që nuk ishin me këmbë në tokë). Gjatë Luftës Nacionalclirimtare, kush ishte forca kryesore që i mbështeti? Ishin të rinjtë, sepse kishin guximin që të shpallin idetë e reja. Ky rrezik ekziton gjithnjë tek të rinjtë sepse janë pjesa më e paformuar e shoqërisë.

Po, edhe nëpër muret e rrugët e Tiranës e hasim jo rrallë herë shenjën e nazizmit...
Janë të rinj që nuk kanë taban, që nuk kanë kulturë, që nuk kanë arritur të formohen. Shoqëria duhet t’u bëj të qartë këtyre që realiteti ishte tjetër gjë.

Është mirë të debatohet sot për nazizmin si fenomen?
Në të vërtetë, nuk është folur akoma për fenomenet shqiptare. Kujtoj që duhet të flitet në radhe të parë për këto dhe më tej për të tjerat.

A zgjidhet ky problem me ndalimin e librit?
Jo absolutisht, unë kam këmbëngulur gjithnjë që të njihen të vërteta historike. Nëse nuk njihet e kaluara nuk mund të shkohet ballë për ballë të ardhmes.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza