Kastrati: Vrasja e lituanezit të
EULEX-it, sulm ndaj të ardhmes

Kastrati: Vrasja e lituanezit të<br />EULEX-it, sulm ndaj të ardhmes
TIRANË - Kryetari i Komunës së Mitrovicës Avni Kastrati ka folur në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shqiptarja.com” lidhur me vrasjen e një prej pjestarëve të EULEX-it në Mitrovicë. Ai ka nënvizuar se kjo vrasje është një sulm që i bëhet të ardhmes së këtij vendi. Ndërsa ka pohuar se shqiptarët nuk e kanë acaruar asnjëherë situatën, ndërsa serbët e kanë prishur kurdoherë qetësinë. 

Z. Kastrati duke ju falenderuar për prononcimin tuaj, ju pyes: Cili do të ishte reagimi juaj pas vrasjes së një pjestari të EULEX-it dhe sa ka ndikuar kjo në situatën në Mitrovicë?
 
Ju falenderoj për interesimin tuaj, aq më tepër në një ditë të vështirë që kalon jo vetëm Mitrovica, Kosova, por edhe për forcat e EULEX-it e BE. Jo vetëm unë dhe strukturat e komunës dhe banorët e qytetit të Mitrovicës, por kushdo që e dëgjon e cilëson një sulm drejtuar të ardhmes. Është dënuar ashpër vrasja e pjestarit të EULEX-it dhe plagosja e dy të tjerëve, që ndodhi të mërkurën në afërsi të komunës së Zveçanit, duke e cilësuar një akt të mirfilltë kriminal. Bashkë me revoltën tonë ishte edhe kërkesa drejtuar strukturave vendore dhe ndërkombëtare të Sigurisë, që të veprojnë me urgjencë dhe vendosmëri për të vënë në pranga vrasësit. Kjo duhet bërë një minut e më parë, ndryshe agravohet situata.
 
Çfarë veprimesh janë bërë deri tani z.Kastrati?
 
Sigurisht që u vunë në lëvizje strukturat. Menjëherë pas incidentit të rëndë Drejtoria për Mbrojtje dhe shpëtim, organizoi një takim të jashtëzakonshme të Komitetit lokal për siguri publike, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të EULEX-it dhe KFOR-it, ku jo vetëm dënuam ashpër ngjarjen e rëndë, por në emër të Komunës dhe qytetarëve të Mitrovicës ju shprehëm ngushëllimet familjes së të ndjerit që humbi jetën në krye të detyrës, ashtu edhe EULEX-it. Në këtë takim të jashtëzakonshëm për nga rëndësia, foli edhe  drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bexhet Bala. Është në interes të të gjithëve arrestimi i autorëve të kësaj masakre, që ka tronditur veçanërisht Mitrovicën. Duhet të theksoj se ky incident është kundër Marrëveshjes së Brukselit, që kërkon normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe kundër zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 3 nëntor në veri të Kosovës.
 
Cila është situata në Mitrovicë 48 orë pas këtij krimi të rëndë z. Kastrati?
 
E tensionuar dhe ky tension do të vazhdojë deri në kapjen e autorëve. Ky krim i rëndë dëshmon për ndjeshmërinë e situatës, të gjëndjes në veri të vendit. Situata rëndohet edhe më tej teksa po afrojnë zgjedhjet vendore. Ne vazhdimisht kemi kërkuar shtimin e forcave të sigurisë në veri në prag të fushatës së zgjedhjeve lokale edhe për faktin se grupet ekstremiste serbe e kanë kundërshtuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Gjithësesi gjykojmë se edhe autoritetet e Beogradit, në zbatim të Marrëveshjes së Brukselit, do të japin kontributin e tyre, se në fund të fundit, kjo është në dëm të vetë serbëve.
 
 Çfarë masash ka marrë Komuna për mbajtjen e zgjedhjeve të 4 nëntorit?
 
Larg konfrontimeve, ruajtja e qetësisë, rendit dhe organizimi i zgjedhjeve të lira, sigurisht me mbështetjen e EULEX-it. Asgjë e keqe nuk ka ardhur nga shqiptarët, që kërkojnë bashkëjetesë e mirëkuptim, respektimin e të drejtave dhe pjesmarrjen e serbëve në strukturat vendore. Qetësia është prishur kurdoherë nga serbët.
 
Z. Kastrati, meqë flisni për herë të parë në një gazetë shqiptare, mund të mësojmë se kush është kryetari i Komunës Mitrovicës?
 
Kam lindur në Gjakovë dhe mbush 65 vjeç më 3 tetor. Kam kryer studimet e larta në Fakultetin Teknik, Degën e Makinerisë e ka mbaruar në Prishtinë  dhe jam diplomuar Inxhinieri  i Makinerisë - Drejtimi i Prodhimtarisë. Kam qënë pedagog në shkollën e mesme teknike. “Boris Kidriç” në Mitrovicë e pastaj edhe në Shkollën e Lartë Teknike - Dega e Makinerisë, si profesor i lëndëve profesionale. Jam ndër të parët që kam mbajtur mësim në gjuhë shqipe. Kam punuar në Trepçë, në Metalurgjinë e Zinkut, më pas për 5 vite rrjesht kam kryer detyrën e drejtorit teknik në ndërmarrjen për transport të mallrave në vend dhe transport ndërkombëtar “TransKosova”, ku kam menaxhuar 350 punëtorë. Nga viti 1992–1999 kam qenë pronar dhe menaxher gjeneral i Sh.P.K. “Noring” në Mitrovicë. Më pas menaxher gjeneral dhe pronar i Sh.P.K.. “Oil-trade” në Mitrovicë.
 
Më falni, mos më keqkuptoni, por perderisa keni qënë biznesmen, cili është kontributi juaj për komunitetin?
 
Pyetje shumë e drejtë. Vëmëndja ime është përqëndruar edhe për donacione të ndryshme. Kështu kam kontribuar në shkollim duke dhënë bursa dhe kompjutera për studentë të rajonit të Mitrovicës gjatë viteve 1995 – 1998. Mbështetje të vazhdueshme financiare për UÇK-në, Shoqata "Miqtë e TMK-së" nga viti 2002 deri 2006, si dhe donacione për ngritjen e  shtatoreve të dëshmorëve të Luftës së UÇK-së. Mbështetje financiare kam dhënë edhe për rinovimin e xhamive si dhe anëtarëve të Shoqatës Handikos; si dhe financime të vazhdueshme Shoqatës së Shkrimtarëve të Mitrovicës "Jakup Ceraja".
 
Mund të flisni diçka për Mitrovicën?
 
Mitrovica është njëri prej vendbanimeve më të vjetra të njohura në Kosovë. Pozita strategjike dhe gjeografike në mes dy lumenjve të rëndësishëm, Ibrit e Sitnicës si dhe motivet ekonomike kanë bërë që territori i Mitrovicës të popullohet qysh në parahistori. Prej kohës antike deri në mesjetë njihej si Albanik (Monte Argentarum), vend i pasur me argjend e plumb. Zhvillim të hovshëm Mitrovica përjetoi në shekullin e 19-të, pasi u zbuluan burime të mineraleve dhe xeheve, përderisa më vonë u shndërrua në qytetin më të zhvilluar industrial në Kosovë. Komuna e Mitrovicës gjendet në veri të Kosovës në një distancë afërsisht 40 km nga Prishtina, me një sipërfaqe prej 326 km katrorë dhe paraqet rreth 3.25 për qind të territorit të Kosovës. Komuna e Mitrovicës numëron  46 vendbanime. Shtrihet në shkallën 42. 53 shkallë të gjerësisë gjeografike veriore dhe në 25.52 shkallë të gjatësisë lindore. Lartësia mbidetare e Mitrovicës është 508 - 510 metra. Nga të dhënat që bazohen në regjistrimin e fundit zyrtar që është bërë në vitin 1981, mandej të dhënat nga Zyra Statistikore e Kosovës, regjistrimin e vitit 1991, 1998 etj, del se Komuna e Mitrovicës ka rreth 126, 000 banorë, prej të cilëve 110,000 mijë jetojnë në jug të qytetit, ku pos  shqiptarëve përfshihen edhe minoritetet tjera si boshnjak, turq, romë dhe ashkali.
 
Ju faleminderit!

Shkrimi u publikua sot (20.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në Shëngjin/ Policia urdhëroi dje evakuimin e banorëve, ja cisterna me 5 mijë litra gaz

Zjarri në Shëngjin/ Policia urdhëroi dje evakuimin e banorëve, ja cisterna me 5 mijë litra gaz